VIZITA E KARDINAL ERNEST SIMONI (TROSHANI) UK
Vatican News
Nga 10 deri më 15 qershor 2026, komuniteti katolik shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar pati nderin dhe gëzimin të mirëpriste Kardinalin shqiptar Ernest Simoni Troshani, një figurë të jashtëzakonshme të Kishës Katolike dhe një dëshmitar të gjallë të fesë, qëndresës, afrimit dhe faljes.
Për shqiptarët e Britanisë, kjo vizitë do të mbetet një ngjarje historike. Kardinal Ernest Simoni solli me praninë e tij dëshminë e një jete të kaluar mes vuajtjeve, burgut dhe persekutimit, por edhe të një besimi që nuk u mposht kurrë. Ai kujtoi se dashuria për Zotin është më e fortë se çdo pengesë dhe se shpresa lind edhe në kohët më të vështira. Është një imazh që të mbetet gjatë në mendje: një 97-vjeçar që magjeps dhe mbledh rreth vetes turma të tëra njerëzish. Kardinal Ernest Simoni Troshani e dëshmoi këtë magji edhe gjatë vizitës së tij në Londër. Ai u mbijetoi 18 viteve burgim dhe një dekade pune të detyruar nëpër humnerat e kanalizimeve të Shqipërisë komuniste, me të vetmin „faj” se ishte prift.
Vizita u organizua nga Misioni Katolik Shqiptar në bashkëpunim me autoritetet kishtare britanike dhe me mbështetjen e besimtarëve shqiptarë, të cilët e pritën Kardinalin me shumë dashuri e respekt. Edhe pse në moshën 98-vjeçare, Kardinal Ernesti mori pjesë në të gjitha aktivitetet e programuara, duke treguar energji, përkushtim dhe afërsi të jashtëzakonshme me njerëzit. Po më hollësisht nga Londra të ndjekim njoftimin e dom Kastriot Gjoka:
VIZITA E KARDINAL ERNEST SIMONI (TROSHANI)
BRITANI E MADHE, 10–15 QERSHOR 2026
Në Mbretërinë e Bashkuar janë vendosur një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Ata, përveç punës dhe jetesës që kanë këtu, kanë nevojë edhe për mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar, si dhe për anën shpirtërore.
Kanë nevojë për një pikë referimi që i përgjigjet kësaj nevoje të tyre.
Aktualisht, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka caktuar një kalendar vjetor të vizitave dhe të kremtimit të Meshës, për besimtarët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Konkretisht për Krishtlindje, për Pashkë, për festën e Shën Antonit të Padovës, për festën e Shën Nënë Terezës së Kalkutës më 5 shtator, si dhe për festën e të Gjithë Shenjtorëve më 1 dhe 2 nëntor.
Vizitën e parë të këtij kalendari vjetor e nisi Mons. Artur Kola për Krishtlindjet e vitit të kaluar. Mons. Arturi është aktualisht përgjegjës për misionin në Mbretërinë e Bashkuar. Për Pashkë dhe për festën e Shën Antonit të Padovës, shërbimet fetare janë kryer nga Dom Kastriot Gjoka. Këtë herë, pra për festën e Shën Antonit, Mons. Arturi, Dom Kastrioti dhe z. Genti Palaj, në bashkëpunim me Ipeshkvin ndihmës të Westminster-it, Mons. Paul McAleenan dhe sekretarin e tij, Father Patrick von der Woerst, kanë organizuar vizitën e Kardinal Ernest Simoni Troshani në Mbretërinë e Bashkuar, pranë bashkësisë katolike shqiptare, nga data 10 deri më 15 qershor 2026.
Kjo vizitë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me besimtarët e komunitetit shqiptar, si dhe me motrat “Bijat e Dashurisë Hyjnore” që shërbejnë këtu, motër Linda Pergega dhe motër Leonarda Pergega, si dhe me motër Silva Jaku, motër Salvatoriane, e ardhur në Britani për studime.
Kardinali Simoni u strehua nga Mons. Paul McAleenan në kuvendin e motrave “Little Sisters of the Poor” në Londër. Vizita e Kardinal Simonit ishte një vizitë e mbushur me takime, bekime dhe kremtime liturgjike. Kardinali ynë, edhe pse 98-vjeçar, nuk i tha jo asnjë takimi të organizuar dhe as nuk tregoi shenja lodhjeje apo mërzitjeje, pavarësisht moshës së shtyrë. Ai merrte pjesë në të gjitha aktivitetet e ditës dhe shpesh kthehej në vendin e akomodimit pas orës 23:30.
Ditën e parë të vizitës, Kardinal Ernest Simoni u prit në Parlamentin Britanik, ku u takua me disa deputetë të atij parlamenti, ndër të cilët z. Martin Vickers, dhe të tjerë. Po ashtu, morën pjesë diplomatë, gazetarë, ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z. Uran Ferizi, si dhe ambasadori i Kosovës, z. Ilir Kapiti.
Kardinal Ernest Simoni u prit gjithashtu nga kapelani katolik i Parlamentit Britanik, Father Christopher Colven. Në këtë pritje u mbajtën disa fjalime të shkurtra nga Dom Kastriot Gjoka dhe Prof. Romeo Gurakuqi. Më pas fjala iu dha Kardinalit, i cili në fjalimin e tij foli për Krishtin, për faljen e Krishtit dhe për triumfin e Tij nëpërmjet Ngjalljes.
Dom Kastrioti theksoi rëndësinë e kësaj vizite për komunitetin shqiptar në Britani, ndërsa Prof. Romeo Gurakuqi prezantoi një përmbledhje të jetës dhe dëshmisë së Kardinal Ernest Simonit, duke vënë në dukje vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist dhe rolin historik të klerit katolik shqiptar në jetën kombëtare. Pas kësaj, kapelani i Parlamentit e ftoi Kardinalin në kapelën e Parlamentit për një moment lutjeje.
Më 11 qershor, Kardinali vizitoi një nga bashkësitë e “Motrave të Nënë
Terezës” në Londër, ku kremtoi edhe Meshën e Shenjtë. Po atë mbrëmje ai vizitoi Seminarin Dioqezan “St. Thomas More”. Rektori i seminarit, Father John O’Leary, e priti Kardinalin për lutjen e Mbrëmësores dhe organizoi një darkë në nder të Tij.
Më 12 qershor u kremtua Mesha Solemne në Westminster Cathedral. Ajo që ra më shumë në sy gjatë kësaj vizite ishte entuziazmi, krenaria dhe gëzimi i njerëzve për praninë e Kardinalit në mesin e tyre. Të gjithë dëshironin të jepnin kontributin e tyre dhe të ndiheshin pjesë e kësaj vizite historike. Në të dyja Meshët kryesore, si në Westminster Cathedral ashtu edhe në Holy Apostles Church në Pimlico, pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht emadhe. Në Westminster Cathedral morën pjesë rreth 3,000 vetë, ndërsa në Pimlico rreth 2,000 vetë.
Në Meshën e Westminster Cathedral ishin të pranishëm Nunci Apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, Mons. Miguel Maury Buendía, Arqipeshkvi i Westminster-it, Kardinal Vincent Nichols, si dhe shumë meshtarë dhe besimtarë vendas.
Në fillim të Meshës u bë një prezantim i shkurtër i jetës dhe dëshmisë së Kardinalit në gjuhën shqipe nga Dom Kastriot Gjoka dhe në gjuhën angleze nga znj. Gabriela Berisha Turmalaj. Predikimi i Kardinalit u përkthye nga z. Anton Kooll Kaçuba. Hyrja në Meshë u bë me procesion dhe me veshje tradicionale shqiptare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, duke mbajtur figurat e Zojës së Shkodrës, të Shën Nënë Terezës dhe të Martirëve Shqiptarë.
Pas Meshës, Kardinali dha bekimin e tij për të gjithë të pranishmit. Radhët e besimtarëve që prisnin bekimin e tij ishin të gjata dhe prekëse. Pas Meshës u organizua një darkë për Kardinalin nga grupi organizativ i komunitetit katolik shqiptar në Britani. Të nesërmen u zhvillua vizita në Manchester, ku Kardinali kremtoi Meshën për shqiptarët që jetojnë në atë zonë. Ai u prit nga Ipeshkvi i Salford-it, Mons. John Arnold, si dhe nga motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore.
Të dielën, Kardinali ishte i ftuar nga komuniteti Jezuit në Londër, ku u prit nga Father Dominic Robinson. Edhe aty ai dha bekimin e tij për besimtarët e pranishëm. Pasditen e së dielës, më 14 qershor, Kardinal Ernesti kremtoi Meshën në Holy Apostles Church në Pimlico, ku morën pjesë rreth 2,000 vetë. Në këtë Meshë ishte i pranishëm edhe Sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë dhe Uellsit, Mons. William Agley.
Gjatë vizitës u shpërndanë certifikata mirënjohjeje të firmosura nga Kardinali, si dhe figura të Zojës së Shkodrës, të Shën Nënë Terezës dhe të Martirëve Shqiptarë për individë dhe institucione që kishin kontribuar në jetën e komunitetit.
Vizita e Kardinalit Simoni ishte një ngjarje historike për shqiptarët në Britani dhe do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit tonë. Kardinali solli me vete një dëshmi të gjallë të fesë, të faljes, të dashurisë për Krishtin dhe të qëndresës përballë vuajtjeve. Ai tregoi se dashuria për Zotin nuk ndalet nga asnjë pengesë: as nga persekutimi, as nga burgu, as nga sëmundja, as nga mosha.
Një mirënjohje e thellë shkon për Papa Françeskun, i cili e emëroi Kardinal Ernest Simonin Kardinal të Kishës Katolike, si dhe për Papa Leonin XIV që vazhdon ta nderojë dhe vlerësojë figurën e tij.
Kardinal Ernesti është një dëshmi e gjallë e një brezi që vuajti shumë dhe nuk u përkul kurrë. Shqiptarët në Britani i janë thellësisht mirënjohës për dëshminë e tij.
Tani është radha e falënderimeve.
Një falënderim i përzemërt për Mons. Artur Kolën, Dom Kastriot Gjokën, motër Silva Jaku, z. Gent Palaj, Fishta Institute, z. Dorian Lula, z. Martin Kiri, z. Ardi Mujaj, z. Gjon Matusha dhe z, Valentin Vuçaj bashkorganizatorë të vizitës së Kardinalit në Britani; për Imzot Gjergj Metën, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe për Atë Mariano Tarantino, përgjegjës për emigracionin pranë Konferencës Ipeshkvnore.
Një falënderim për Arqipeshkvin e Westminster-it, Kardinal Vincent Nichols, për Mons. Paul McAleenan dhe sekretarin e tij Father Patrick von der Woerst, për bashkëpunimin e tyre në realizimin e kësaj vizite.
Një falënderim për Father Slawomir, famullitar i Westminster Cathedral, dhe për Father Chris Vipers, famullitar i Holy Apostles Church në Pimlico.
Një falënderim për motrat “Little Sisters of the Poor” , motër Silva Jaku sds dhe për motër Linda Pergega. Një falënderim për korin, e udhëhequr nga Mariela Cingo dhe motër Leonarda Pergega, përkthyesin Anton Kooll Kaçuba dhe Gabriela Berisha Turmalaj.
Një falënderim për median, z Valentin Vucaj që pasqyroi vizitën dhe për sponsorët që ndihmuan realizimin e saj. Një falënderim për të gjithë vullnetarët dhe për të gjithë besimtarët që morën pjesë në kremtimet liturgjike në Londër dhe Manchester.
Një falënderim për z. Ardian Dodani, që mundësoi lëvizjen me makinë në Manchester nga Londra. Një falënderim i shkon edhe z. Luis Prendi për shoqërimin që i ka bërë Kardinalit gjatë ditëve të vizitës së tij në Britani.
Një falënderim për shoqëruesin e Kardinalit, z. Preng Gjinaj. Një falënderim i veçantë për deputetët britanikë z. Martin Vickers dhe z. John Grogan, për kapelanin e Parlamentit Britanik Father Christopher Conley, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë vizitë dhe që nuk janë përmendur me emër.
Dhe në fund, një falënderim i përzemërt i shkon Kardinalit tonë të dashur Ernest Simoni për vizitën e tij në Britani.
Faleminderit.
Me respekt,
Dom Kastriot Gjoka
Organizator i vizitës së Kardinalit në Mbretërinë e Bashkuar dhe përgjegjës i përkohshëm për misionin shqiptar katolik në Britani.