Kërko

Kardinal Simoni në Mbretërinë e Bashkuar pranë shqiptarëve

Gjatë vizitës së tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani mori pjesë në një sërë takimesh dhe kremtimesh liturgjike në Londër dhe Manchester. I burgosur dhe i dënuar me vdekje nën regjimin komunist të Shqipërisë, Kardinal Ernest Simoni mbetet një dëshmitar tronditës i fesë, qëndresës dhe shpresës në Zotin.

Vatican News

Komuniteti Katolik Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar shpreh mirënjohjen e tij të thellë për vizitën baritore të Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simoni Troshani nga data 10 deri më15 qershor 2026.  I burgosur dhe i dënuar me vdekje nën thundrën e regjimit komunist në Shqipëri, Kardinal Ernest Simoni mbetet një dëshmitar prekës i fesë, qëndresës dhe hirit të Zotit.

Kjo vizitë, njofton Komuniteti Katolik Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, përbën një moment të rëndësishëm shpirtëror, kishtar e kombëtar për komunitetin tonë, duke sjellë dëshminë e gjallë të fesë, shpresës dhe qëndrueshmërisë së krishterë. Gjatë vizitës së tij, Kardinali mori pjesë në një sërë takimesh dhe kremtimesh liturgjike në Londër dhe Manchester. E është vërtet diçka e jashtëzakonshme të shohësh një 97-vjeçar të mbledhë turma njerëzish. Kardinal Ernest Simoni Troshani e bëri këtë gjatë vizitës së tij në Londër.

Programi i vizitës nisi me një pritje në Parlamentin e Westminsterit, ku Hirësia e Tij u mirëprit nga dy ambasadorët shqiptarë z. Ilir Kapiti dhe z. Uran Ferizi, së bashku me deputetë të Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë takimit u vlerësua dëshmia e jashtëzakonshme e jetës së Kardinal Ernest Simoni Troshanit, besnikëria e tij ndaj fesë në kohë persekutimi dhe kontributi i tij i çmuar në shërbim të Kishës Katolike dhe të popullit shqiptar.

Kardinali Simoni gjithashtu kremtoi Meshën Solemne në Katedralen Westminsterit, organizuar nga komuniteti katolikë e diapsora shqiptare në bashkëpunim me Kishën katolike vendore, ku u mirëprit me respekt dhe dashuri e një pjesëmarrje nga mëse 3000 besimtarë. I burgosur dhe i dënuar me vdekje nën regjimin komunist të Shqipërisë, Kardinal Ernest Simoni mbetet një dëshmitar tronditës i fesë, qëndresës dhe shpresës në Zotin. Kardinal Ernest Simoni Troshani nuk flet për të kaluarën, por për të sotmen, sepse ajo ishte më e rëndësishme. 

Komuniteti shqiptar i Mbretërisë së Bashkuar shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë meshtarët, rregulltarët, organizatorët, vullnetarët dhe bamirësit që mundësuan realizimin me dinjitet të kësaj vizite. Duke përmbyllur këtë vizitë të bekuar, lutemi që frytet e saj shpirtërore të mbeten në zemrat tona dhe që bekimi i Zotit kërkuar nga Kardinal Ernestit të qëndrojë mbi familjet tona dhe mbarë komunitetin shqiptar, me ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë dhe të Shenjtes Nënë Terezë.

nga Komuniteti Katolik Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar

17 qershor 2026, 10:50