Kërko

Ndërroi jetë Fra Ilija Kovačević, misionar i përvuajtur dhe shërbëtor besnik i Zotit

Në moshën 70-vjeçare, pas 51 vitesh jete rregulltare dhe 44 vitesh shërbimi meshtarak, fra Ilija e përfundoi udhëtimin e tij tokësor dhe iu kthye Atij të cilit i kishte kushtuar gjithë jetën – Zotit, të cilit i shërbeu me besnikëri, përvujtëri dhe dashuri të pashtershme.

R.SH. / Vatikan

Me dhimbje të thellë dhe me zemra të pikëlluara, Françeskanët e Gjakovës njoftojnë se në natën e 14 qershorit 2026, në Kuvendin Françeskan të Shën Antonit në Gjakovë, kaloi në amshim fra Ilija Kovačević, rregulltar e meshtar i Provincës Françeskane të Bosna Srebrenës dhe zëvendës-famullitar i Famullisë së Shën Pjetrit dhe Palit në Gjakovë.

Në moshën 70-vjeçare, pas 51 vitesh jete rregulltare françeskane dhe 44 vitesh shërbimi meshtarak, fra Ilija e përfundoi udhëtimin e tij tokësor dhe iu kthye në shtëpinë e  Hyjit Atë, të cilit i kishte kushtuar gjithë jetën, duke i shërbyer me besnikëri, përvujtëri dhe dashuri të pashtershme.

Fra Ilija lindi më 3 mars 1957 në Kovaçevci të Famullisë Plehan, nga prindërit Ante dhe Anđa (Matković), në Bosnje Hercegovinë. Qysh në rininë e hershme dëgjoi thirrjen e Zotit dhe, më 15 korrik 1975, veshi zhgunin françeskan, duke nisur rrugën që do ta shoqëronte deri në frymën e fundit. Kushtet e para rregulltare i bëri në Shenjtëroren e La Vernës, ndërsa kushtet e përjetshme në vitin 1981 në Sarajevë. Një vit më pas u shugurua meshtar, duke filluar një shërbim të gjatë e të frytshëm në Kishë në shërbim të popullit të Zotit.

Gjatë katër dekadave të meshtarisë së tij, françeskani misionar fra Ilija shërbeu në Bosnje e Hercegovinë, në Gjakovë dhe në Shkodër. Në çdo vend ku u dërgua, la gjurmë të mirësisë, urtisë dhe afërsisë njerëzore. Ishte bari i përkushtuar i besimtarëve, vëlla i dashur për fretërit dhe mik i sinqertë për të gjithë ata që e takuan.

Pjesën më të madhe të jetës së tij françeskane e meshtarake e kaloi në Gjakovë, mes popullit shqiptar, të cilin e deshi me zemër dhe të cilit iu përkushtua me vetëmohim. Në kohë të vështira dhe në kohë gëzimi, fra Ilija qëndroi pranë njerëzve, duke ndarë me ta dhimbjet, shqetësimet, shpresat dhe lutjet. Për shumë familje ai ishte ngushëllim në pikëllim, forcë në sprova dhe dëshmitar i palodhur i dashurisë së Krishtit.

Me të njëjtin përkushtim shërbeu edhe në Shqipëri, ku dha ndihmesën e tij në formimin e brezave të rinj françeskanë, në Shkodër. Si formator dhe mësues, fra Ilija la pas vetes jo vetëm kujtime të bukura, por edhe dëshminë e një jete të jetuar në përkushtim ndaj Ungjillit dhe rregullës françeskane.

Fra Ilija e donte thellësisht edhe vendlindjen e tij, Plehanin. Ai ndau fatin e popullit të Posavinës gjatë viteve të luftës dhe pasluftës, duke qenë pranë njerëzve në plagët dhe vuajtjet e tyre. Me fjalën e Zotit, me praninë e tij të qetë dhe me zemrën e tij atërore, ai sillte ngushëllim, shpresë dhe besim atje ku kishte më shumë nevojë.

Ndërsa e përcjellim, me lutje e mirënjohje, drejt shtëpisë së Atit qiellor, falënderojmë Zotin për dhuratën e jetës së tij dhe për të gjitha të mirat që fra Ilija mbolli ndër njerëz. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e fretërve, të besimtarëve dhe të të gjithë atyre që patën hirin ta njohin dhe ta duan.

Shpirtin e tij ia besojmë Zotit, Atit të mëshirshëm, në duart e Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur, të cilit Fra Ilija i shërbeu me besnikëri gjatë gjithë jetës së tij. Zoti, që është Ringjallja dhe Jeta, i dhashtë pjesën e të zgjedhurve në Mbretërinë e Qiellit. Atje ku nuk ka më dhimbje, as lot, as vdekje, por vetëm paqe e gëzim i amshuar në bashkimin e shenjtë të shenjtorëve, në lavdinë e Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt.


Pusho në paqen e Krishtit dhe në Dritën e Amshuar,

 o shërbëtor besnik i Zotit.

Lamtumirë, fra Ilija!

Pushoftë në paqen e Krishtit. Amen.

15 qershor 2026, 10:29