"U kthyen në Jerusalem me gëzim të madh", libri Kard. Pizzaballa
Vatican News
Libri i ri i Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit "U kthyen në Jerusalem me gëzim të madh", botuar nga Libreria Editrice Vaticana, është në librari. Përmban Letrën e tij drejtuar Dioqezës së Jeruzalemit, shpërndarë në katër vende (Izrael, Palestinë, Jordani dhe Qipro). Teksti, sipas fjalëve të autorit, është mënyrë “për të ofruar një fjalë më prekëse dhe një reflektim më të plotë" mbi situatën, me qëllim që të jetë "propozim për ta jetuar thirrjen e Kishës në Tokën Shenjte", siç thuhet në nëntitullin e Letrës.
Perspektivë e krishterë
“A mund ta përballojmë ne, si të krishterë, këtë konflikt? Kjo është pyetja që shoqëron prej kohësh shërbesën time si bari". Kështu fillon reflektimi i shkruar nga Pizzaballa... Një tekst i medituar gjatë, i lindur nga një vështrim i kthjellët mbi çështjet njerëzore dhe ngjarjet politike, i interpretuar përmes syve të dikujt që vijon të ketë besim në një Zot shpëtimtar, pavarësisht nga çka ngjet në botën e madh:
"Jemi të thirrur të ofrojmë interpretimin e kohërave aktuale nga një perspektivë e krishterë, që na dallon qartë", shkruan Patriarku i Jerusalemit.
Dyer të hapura
Duke u frymëzuar nga libri i Zbulesës, Kardinali ofron interpretimin e pranisë së krishterë që, duke filluar nga Toka Shenjte, bëhet kuptimplotë për të gjithë: "Misioni i Kishës nuk është të vendosë kufij më të ngushtë, por t’i mbajë dyert hapur, duke dëshmuar një dashuri që nuk dorëzohet kurrë dhe që i arrin edhe më të largtit, dyshues ose rezistentë". Dëshmia e të krishterëve nuk është përpjekje politike; ka të bëjë me zbulesën e Zotit, madje edhe në mes të luftës: "Pashkët përurojnë një mënyrë të re për ta parë realitetin. Na lejojnë ta shohim jetën edhe aty ku sytë tanë fizikë shohin vetëm vdekjen, disfatën ose shkatërrimin". Këto faqe prekëse dëshmojnë se Krishterimi sjell jetë të re në histori.
Të ardhurat nga shitja e këtij vëllimi mbështesin punën e Patriarkanës Latine të Jerusalemit.