Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në jug të Filipineve. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në jug të Filipineve.

Tërmet në Filipine: Kisha nis mbledhjen e ndihmave ndërsa vlerësohen dëmet

Numri i të vdekurve nga tërmeti rrënues që goditi ishullin Mindanao të Filipineve, të hënën e kaluar, ka shkuar në të paktën 61 të vdekur dhe 40 të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën e tyre, ndërsa autoritetet e Manilës njoftuan se tërmeti shkaktoi gjithashtu ngritjen e fundit të oqeanit deri në dy metra në disa vise bregdetare. Ndërkohë, Kisha vendase vijon angazhimin e saj për viktimat.

R.Sh. / Vatikan

Është koha për të vlerësuar dëmet në Filipine, shtet që u godit të hënën e kaluar nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballë, i cili shkaktoi të paktën 61 të vdekur dhe 40 të zhdukur, sipas raportit të fundit nga agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të Manilës.

Tërmeti i 8 qershorit, njoftoi Ministria e Mjedisit – bazuar në hetimet fillestare dhe dëshmitë nga banorët e ishullit jugor të Mindanaos – shkaktoi gjithashtu ngritjen e shtratit të oqeanit deri në dy metra në disa rajone bregdetare. Ky fenomen paraqet rreziqe serioze mjedisore, veçanërisht për koralet, të cilat mund të ekspozohen ndaj ajrit dhe temperaturave të larta.

Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë

Pothuajse një javë pas dridhjeve, ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë të zhdukurit nën rrënoja. Deri tashti ka më shumë se 500 persona të plagosur dhe me dhjetëra mijëra të shpërngulur. Tërmeti në brigjet e Mindanaos, i cili goditi pikërisht në fillim të vitit shkollor, shkaktoi shembjen e ndërtesave dhe rrëshqitje të dheut në pjesën më të madhe të ishullit, gjithashtu sepse, prap, lëkundje të shpeshta dhe të forta vazhduan të dridhnin tokën pas lëkundjes fillestare. Rreziku i ngadalësoi përpjekjet e ndihmës në orët menjëherë pas tërmetit, aq sa të plagosurit e parë morën ndihmë nga ekipet e emergjencës jashtë, nën diellin përvëlues. Në provincën e Saranganit që është dëmtuar më rëndë, u përdorën helikopterët për të shkuar në disa zona.

Grumbullimi i veçantë i ndihmave të Kishës Filipinase

Banorët përshkruan pamje tmerri gjatë dridhjeve dhe dëshpërimin e njerëzve, pasi banorët panë se si u rrënua gjithçka që kishin, duke filluar nga të dashurit e deri tek shtëpitë. Infrastruktura, rrugët dhe disa kisha u shkatërruan po ashtu, veçanërisht në zonën e qytetit të General Santos. Bashkësitë katolike filipinase u qëndruan menjëherë pranë viktimave, duke u dhënë ndihmë humanitare të mbijetuarve dhe ofruan lutje të pandërprera për njerëzit e prekur nga tërmeti.

Një ditë pas tërmetit, raportoi Fides, kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Filipineve, imzot Gilbert Garcera, kryeipeshkëv i Lipës, u bëri thirrje dioqezave, famullive, bashkësive fetare dhe institucioneve katolike që të shprehin ndjete të veçanta për viktimat e tërmetit gjatë Meshës së sotme, më 14 qershor. Lëmoshët e Meshës së sotme do të shkojnë në qendrat e veprimit social dioqezan dhe Caritas-it të Filipineve si ndihmë për zonat e dëmtuara.

14 qershor 2026, 18:07