Shtrëngim duarsh ndërmjet Papa Leonit XIV dhe emigrantëve, Tenerife Shtrëngim duarsh ndërmjet Papa Leonit XIV dhe emigrantëve, Tenerife

Tenerife, ipeshkvi Santiago: Shpresoj që fjalët e Papës të prekin edhe ata që përfitojnë nga të ligështit

Vlerësohet lart vizita e Papa Leonit në ishull. "Nuk e kuptoj qëndrimin e disa politikanëve që nuk tregojnë mëshirë kundrejt atyre që vuajnë. Ne duhet të vazhdojmë të flasim hapur, t'u japim zë migrantëve; duhet një përgjigje globale që frymëzohet nga parime humanizmi. Nuk dua ta dëgjoj fjalën 'rimigrim' sepse është shenjë se njerëzimi ka dështuar. Udhëtimi në Spanjë më çuditi sepse pati një përgjigje të jashtëzakonshme."

Vatican News

Imzot Eloy Santiago, ipeshkëv i San Cristóbal de La Laguna, në Tenerife, ishulli kryesor i arqipelagut të Kanarieve, tregon pikturën e madhe të varur në hyrje të selisë ipeshkvnore, që paraqet Papa Leonin, e cila u bekua nga vetë Papa kur erdhi këtu. Në këmbët e Papës janë pikturuar shumë migrantë që zbarkojnë në ishull dhe thërrasin për ndihmë. Prelati spanjoll komenton për mediat e Vatikanit vizitën e Papës Leonit XIV në këtë ishull dhe, në përgjithësi, mbi udhëtimin e tij apostolik në Spanjë.

Shkëlqesia Juaj, cili është vlerësimi juaj për vizitën e Papës, e para e tij në këtë copë toke në Atlantik?

Vlerësimi është shumë pozitiv, gjë e dukshme kjo kudo te hareja e popullit. Ishte vërtet një moment hiri dhe bekimi për ne si popull, por edhe për të gjithë banorët e Ishujve Kanarie. Një moment i përjetuar thellë edhe nga jo-katolikët. Një ngjarje që e tejkaloi mendimin tonë, sepse Papa shihet si një figurë ndërkombëtare për paqen dhe dinjitetin njerëzor, siç e ka dëshmuar tashmë në enciklikën e tij të parë. Shumëkush dëshironte ta shihte dhe ta dëgjonte.

Thirrja për kthimin në fe të trafikantëve ishte tepër e fortë. Si ju tingëllojnë këto fjalë të Leonit XIV? A mendoni se do të jehojnë?

Shpresoj. Ato ishin fjalë të fuqishme dhe mënyra se si i tha menjëherë më solli në mendje thirrjen e Gjon Palit II drejtuar mafies në Sicili. Shpresoj që kjo thirrje të arrijë në zemrat e këtyre njerëzve që shfrytëzojnë dobësinë e njerëzve për përfitimet e tyre. Shpresoj që ligësia e tyre të ndalet. Sa shumë jetë humbasin për shkak të këtyre interesave ekonomike që përfitojnë nga vuajtjet e të tjerëve... Sa shumë njerëz trajtohen si sende, jo si njerëz! Ishte një nga momentet më të fuqishme që më preku thellë.

Takimi në Las Raíces krijoi mundësinë për të hedhur dritë mbi një realitet që ndoshta rrallë diskutohet. Cili do të jetë fati i kësaj strukture, sipas mendimit tuaj?

Shpresoj të zhduket, se nuk do të ketë më nevojë për të. Kur kombet të jenë të hapura për pritjen zyrtare dhe të rregullt të emigrantëve, nuk do të ketë më nevojë për këto struktura, kaq të mëdha dhe, në një farë mënyre, çnjerëzore duke pasur parasysh numrin e njerëzve që jetojnë atje. Sot ka rreth 600 vetë, por ka pasur periudha kur ka pasur deri në 4,000. Ky nuk është vendi i duhur për ta. Fatkeqësisht, këta ishujt tanë janë bërë si kafaz për ta. Nuk është normale. Mendoj se, nëse i shikon në fytyrë, zemra njerëzore nuk bën dallime dhe të gjitha tezat ideologjike thjesht rrëzohen.

A ka ndonjë skenë që ju bëri përshtypje veçanërisht?

Sigurisht afërsia e Papës me fëmijët migrantë. Ajo vajza e vogël në Las Raíces... Papa tregoi se nuk kishte ngut dhe i dha rëndësi secilit person... Gjestet e tij ishin të bukura.

Dy grupe migrantësh – somalezë, sudanezë, liberianë dhe gambianë – u shpëtuan mbrëmë nga dy anije organizatash joqeveritare dhe u çuan në Lampeduzë. Si i shihni këto udhëtime shprese, veprimet e shpëtimit të organizatave joqeveritare që janë kriminalizuar kaq shumë nga disa udhëheqës politikë?

Është e vështirë të pranohet ky qëndrim i politikanëve që nuk tregojnë dhembshuri për ata që vuajnë. Nuk i kuptoj fare. Ne duhet të vazhdojmë të flasim hapur, t'u japim zë migrantëve, të tregojmë se ky është një problem i përbotshëm. Dhe kemi nevojë për një përgjigje po aq të përbotshme, të frymëzuar nga parime humanizmi.

Vizita e Papës në Ishujt Kanarie është e lidhur me vizitën e tij në Lampeduzë. Si e komentoni vendimin e Papa Leonit XIV për të vizituar ishullin italian më 4 korrik?

Mendoj se data dhe vendi flasin vetë. Mesazhi që Papa dëshiron të përcjellë është i qartë. Fatkeqësisht, deri në njëmijë vetë vdesin çdo vit në rrugën e Atlantikut. Vizita në Lampeduzë do të jetë shumë domethënëse, pasi Mesdheu është gjithashtu një det ku shumë njerëz vdesin duke u përpjekur të arrijnë brigjet evropiane. Do të jetë një mundësi për të kujtuar atë që Papa Françesku pati bërë më parë. Shpresoj se do të ripërtërijë një thirrje të rëndësishme për të vazhduar në rrugën e vëllazërisë dhe të miqësisë universale; ne jemi një familje njerëzore dhe duhet ta mirëpresim njëri-tjetrin.

Pra, si ju tingëllon fjala "rimigrim"?

Nuk dua ta dëgjoj sepse është një shenjë se njerëzimi ka dështuar. Nuk mund të flasim me këtë terminologji. Jeta njerëzore, që nga fillimi i botës, ka qenë gjithmonë në lëvizje. E drejta për të emigruar në mënyrë të sigurt duhet të garantohet. Këto janë shpesh migrime të detyruara: gjithçka duhet bërë për të siguruar që njerëzit të mos detyrohen të ikin, por kur largohen, nuk mund të kthehen. Ata duhet të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet.

Në përgjithësi, cili është vlerësimi juaj për udhëtimin apostolik të Papa Leonit në Spanjë?

U mahnita. Përgjigja ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se Papa arriti të fitonte zemrat e popullit spanjoll. Ai vetë m’a ka thënë se ishte prekur veçanërisht nga entuziazmi. Shpresoj se do të jetë një shtysë për të vazhduar ungjillëzimin, në një Kishë që është gjallë dhe u shërben më të varfërve.

16 qershor 2026, 12:19