Jezusi me dishepujt e tij Jezusi me dishepujt e tij

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XII të vitit liturgjik 'A'

...Ti do, o Jezus, që fjala Jote/e ngushëllimit dhe e shpresës/Ungjilli/të arrijë tek çdo burrë e çdo grua./Prandaj, na paralajmëron/nga njëra prej pengesave më të mëdha/që hasim në udhën tonë:/frika, frika nga njerëzit,/nga gjykimi dhe nga marrëdhëniet e tyre/nga refuzimi dhe nga mashtrimet e tyre/nga fyerjet dhe përbuzjet e tyre...

Vatican News

 

Në Ungjillin e sotëm të Mateut (10, 26-33), ndjehet fuqimisht ftesa që Jezusi ua drejtoi dishepujve të tij, për të mos pasur frikë, për të qenë të fortë  e plot besim përballë të vështirave të jetës e kundërshtimeve, që i prisnin. Është një thirrje, kjo e Jezusit, që njerëzimi i sotëm ka nevojë ta dëgjojë më shumë se kurrë. Tri herë rresht, në pjesën e shkurtër ungjillore, Jezusi u përsërit nxënësve të vet të njëjtat fjalë: „Mos keni frikë!”, "Mos druani!".

Frika është një nga ndjenjat tona më të vjetra dhe më të fuqishme. Ne kemi frikë nga e nesërmja, frikë nga sëmundjet, frikë se mos mbetemi vetëm, frikë nga mendimi i të tjerëve dhe, mbi të gjitha, frikë nga vdekja. Por Jezusi sot nuk po na flet për një frikë thjesht njerëzore. Jezusi i nis nxënësit e tij në mision dhe i paralajmëron me sinqeritet se: të jetosh sipas Ungjillit do të thotë të shkosh kundër rrymës, e kush shkon kundër rrymës do të ndeshë patjetër keqkuptime, refuzime e herë pas herë edhe persekutim. Dhe pikërisht për këtë arsye, Jezusi nuk ngurron: tri herë, me qetësi dhe forcë njëkohësisht, përsërit të njëjtat fjalë — "Mos keni frikë". “Mos druani”.:„Mos keni frikë nga njerëzit, sepse nuk ka gjë të fshehur që s’do të zbulohet”. Kështu, Ungjilli i së dielës XII të vitit liturgjik A, marrë nga Mateu, na kërkon të mos kemi frikë nga njerëzit. Jezu Krishti i dërgon dishepujt e tij të predikojnë edhe nga pullazet. Po të ndjekim fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu.

Ungjilli i së dielës XII të vitit liturgjik A, marrë nga Mateu, na kërkon të mos kemi frikë nga njerëzit. Jezu Krishti i dërgon dishepujt e tij të predikojnë edhe nga pullazet.

26 Aso kohe, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thoni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikoni nga pullazet! 28 Mos i droni ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. 29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura! 31 Pra, mos droni! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!” 32 “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor”.

Të lutemi së bashku:

 

Lajmi i Mirë nuk është ndonjë

sekret për t’u ruajtur në rrethe ekskluzive,

as ndonjë doktrinë për t’ua njoftuar vetëm pak të zgjedhurve.

Ti do, o Jezus, që fjala Jote

e ngushëllimit dhe e shpresës

të arrijë tek çdo burrë e çdo grua.

 

Prandaj, na paralajmëron

nga njëra prej pengesave më të mëdha

që hasim në udhën tonë:

frika, frika nga njerëzit,

nga gjykimi dhe nga marrëdhëniet e tyre

nga refuzimi dhe nga mashtrimet e tyre

nga fyerjet dhe përbuzjet e tyre.

 

Ke të drejtë, o Zot,

sepse është pikërisht kjo frikë, që nganjëherë na paralizon,

na bllokon, na pengon të bëjmë e të themi

çfarë është në përkim me Ungjillin tënd.

O Zot, na liro nga kjo frikë!

20 qershor 2026, 10:10