Sudan: vritet prifti që denoncoi vjedhjen e ilaçeve
Vatican News
Meshtari katolik Youhanna Al-Amin, famullitar i Kishës së Shën Vinçencit në Kauda, është vrarë më 19 qershor së bashku me dy persona të tjerë në rajonin e Maleve Nuba në Sudan. Sipas fondacionit katolik “Ndihmë Kishës që Vuan" (ACS), që citon burime lokale, vrasja dyshohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje pasi meshtari kishte denoncuar vjedhjen e ilaçeve që Kisha ruante për banorët e zonës.
Kauda, në shtetin e Kordofanit Jugor, ndodhet në një rajon të prekur nga konfliktet e armatosura dhe tensionet fisnore. Megjithë përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe largimin e disa klerikëve, Atë Youhanna kishte vendosur të qëndronte pranë komunitetit të tij, duke qenë një nga priftërinjtë e paktë që vazhdonin shërbimin në këtë zonë.
Vdekja e tij ka tronditur dioqezën e El Obeidit, ku ai shërbente që gati tri dekada. Besimtarët e përshkruajnë si një figurë të dashur dhe të përkushtuar ndaj të rinjve, fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Kisha lokale ka kërkuar zhvillimin e një hetimi të plotë për zbardhjen e rrethanave të krimit.
Ngjarja është pjesë e një serie incidentesh të dhunshme që kanë goditur Kishën Katolike në Sudan vitet e fundit. Në qershor 2025, prifti Luka Jomo u vra nga një plumb qorr gjatë një sulmi në qytetin El Fasher, ndërsa pak muaj më parë ipeshkvi i El Obeidit, Yunan Tombe Trille Kuku Andali, u sulmua dhe u plagos rëndë nga persona të armatosur.