Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtohen nga ipeshkvijtë Zemrës së Jezusit
R.SH. / Vatikan
Sot, e enjte 11 qershor, në dritën e festimeve për 250-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë (4 korrik 1776), ipeshkvijtë do t'i kushtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës Zemrës së Jezusit, përpara solemnitetit që kalendari liturgjik kremton ditën e nesërme. Famullitë kishtare anembanë vendit janë ftuar t'u bashkohen barinjve përmes një udhëzuesi të përgatitur online për dioqezat amerikane, ku janë përzgjedhur pjesë të çmuara në anglisht dhe spanjisht nga Meshari Romak dhe Libri i Leximeve Biblike.
„Bëj që zemrat tona të bashkohen me zemrën Tënden, me qëllim që familjet dhe bashkësitë tona të gëzojnë paqe e lumturi; që urat e thyer të miqësisë të rindërtohen, padrejtësitë të ndreqen dhe plagët e tokës sonë të gjejnë shërim“, thonë ndër të tjera rreshtat e kësaj lutjeje drejtuar Zemrës së Shenjtë të Jezusit.
Ky akt i kushtimit të kombit nga ana e ipeshkvijve vjen si kurorëzim i një nëntëditëshi shpirtëror (nga 3 deri më 11 qershor). Gjatë këtyre ditëve – siç njofton faqja zyrtare e Konferencës Episkopale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – u meditua rreth urtësisë së shenjtorëve dhe pasardhësve të Pjetrit mbi Zemrën e Krishtit. Këto meditime ofruan nxitje të vyera për lutje dhe veprim, të frymëzuara thellësisht nga enciklika e Papës Françesku, Dilexit nos, mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezusit, si dhe nga nxitja apostolike e Papa Leonit XIV, Dilexi te, kushtuar dashurisë dhe kujdesit ndaj të varfërve.