Mesdheu: një vizion për dialogun, paqen dhe vëllazërinë
R.SH. / Vatikan
Me rastin e Takimeve Mesdhetare në Barcelonë dhe ceremonisë së bekimit të Kullës së Jezusit në Bazilikën e Sagrada Familias, Rrjeti Teologjik Mesdhetar (RTMed) bëri publik dokumentin me titullin “Shënime metodologjike për një teologji nga Mesdheu”, fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe dialogu ndërmjet teologëve, teologeve dhe institucioneve akademike nga të gjitha brigjet e Mesdheut.
Dokumenti iu dorëzua, dje, Papa Leonit XIV si shprehje e angazhimit të këtij rrjeti ndërkombëtar për të zhvilluar një reflektim teologjik që i përgjigjet sfidave të kohës sonë dhe nxit kulturën e takimit, të paqes dhe të dialogut ndërmjet popujve e feve.
Pas Manifestit për një teologji nga Mesdheu, ky tekst i ri ofron orientime metodologjike për të lexuar realitetin mesdhetar në dritën e Ungjillit. Mesdheu paraqitet si një “vend teologjik”, një hapësirë ku kryqëzohen popuj, kultura, tradita dhe fe të ndryshme, ku bashkëjetojnë plagët e konflikteve dhe shpresat për një të ardhme më vëllazërore.
Në zemër të dokumentit qëndron kategoria e “ndërmjetës” – hapësira e takimit me tjetrin – si shenjë e një mendimi të hapur, dialogues dhe ndërdisiplinor. Mesdheu, “deti mes tokave që ndan dhe bashkon”, bëhet simbol i një identiteti që nuk mbyllet në vetvete, por pasurohet përmes dialogut dhe marrëdhënieve.
Pikërisht nga kjo perspektivë lind thirrja për një teologji jo vetëm mbi dialogun, por një teologji që zhvillohet në dialog, e aftë të kalojë kufijtë kulturorë, fetarë dhe akademikë. Një teologji që ecën së bashku me njerëzit, ndërtohet në rrjet dhe kontribuon në thurjen e lidhjeve të paqes, solidaritetit dhe shpresës.
Dokumenti, i përkthyer në disa gjuhë, përfshirë arabishten, thekson rëndësinë e dëgjimit dhe të shoshitjes shpirtërore, duke u nisur nga historitë konkrete të njerëzve dhe përvojat e bashkësive. Një vëmendje e veçantë i kushtohet paqes, duke e paraqitur teologjinë si një shkollë pajtimi, drejtësie dhe vëllazërie.
Shënimet metodologjike nënvizojnë gjithashtu nevojën për të forcuar formimin teologjik përmes bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, studiuesve dhe studentëve, duke promovuar rrugë të përbashkëta studimi dhe kërkimi.
Të ofruara për debatin kishtar, akademik dhe kulturor, këto Shënime nuk paraqiten si një përfundim, por si një ftesë për të ecur së bashku. Në këtë vizion, Mesdheu shfaqet jo si kufi që ndan, por si një laborator i gjallë vëllazërie, dialogu dhe paqeje, i aftë të frymëzojë Kishën dhe botën e sotme.
Ndër përfaqësues nga Shqipëria marrin pjesë, imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Arqidioqezës Shkodër-Pult, imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Arqidioqezës Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Gjonlleshaj, kryeipeshkëv i Tivarit.