Kërko

Shën Gjon Pagëzuesi Shën Gjon Pagëzuesi

Pse e kremton Kisha lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit?

Më 24 qershor, liturgjia përkujton lindjen e pararendësit, një nga të paktët shenjtën për të cilin Kisha kremton lindjen, jo vetëm vdekjen e tij. Kjo festë është e lidhur me Ungjillin, kalendarin e krishterë dhe misionin e posaçëm të atij që e drejtoi Krishtin si "Qengji i Hyut".

Vatican News

Një dëshmitar që dëfton Krishtin

Shën Gjon Pagëzuesi nuk është një figurë sa për të zbukuruar kalendarin. Ai është një profet kërkues, një dëshmitar radikal, një njeri që jeton për të treguar një tjetër. Lindja e tij kremtohet sepse shpall të ardhurit e Krishtit.

Më 24 qershor, Kisha përkujton jo vetëm një ngjarje familjare në shtëpinë e Zakarisë dhe Elizabetës, por përkujton edhe fillimin e një misioni: përgatitjen e rrugëve të Zotit, thirrjen për kthim në fe.

Kjo është arsyeja pse Gjoni mbetet, edhe sot, një zë i domosdoshëm. Jo një zë ngushëllimi, por një zë zgjimi. Jo një dritë e thjeshtë, por një llambë që ndizet para lindjes së diellit.

Më 24 qershor, Kisha kremton lindjen e Shën Gjon Pagëzorit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin liturgjik. Ky nuk është thjesht një përkujtim për devocion: Gjoni ka një vend të posaçëm në historinë e shpëtimit. Ai është profeti që mbyll Besëlidhjen e Vjetër dhe hap rrugën drejt së Resë; ai është pararendësi që shpall Krishtin; ai është zëri në shkretëtirë që bën thirrje për kthim në fe dhe përgatit njerëzit për takimin me Mesinë.

Kisha zakonisht feston shenjtorët në ditën e vdekjes së tyre, të ashtuquajturën lindje në qiell. Megjithatë, për Shën Gjon Pagëzorin, kalendari përkujton dy kremtime: lindjen e tij, më 24 qershor, dhe martirizimin e tij, më 29 gusht, kur i pritet kryet.

Ky është një privilegj i rrallë. Në kalendarin liturgjik, lindja tokësore kremtohet solemnisht për Jezusin, Shën Marinë dhe Gjon Pagëzuesin. Në rastin e tij, ky përjashtim flet shumë për misionin e tij: Gjoni nuk është vetëm një profet midis të tjerëve, por është  ai që përgatit ardhjen e Zotit.

Një datë e lidhur me Krishtlindjet

Festa e 24 qershorit bie saktësisht gjashtë muaj para Krishtlindjeve. Lajmi vjen nga Ungjilli i Lukës, i cili përcjell njoftimin e kryengjëllit Gabriel Zakarisë, atit të Gjonit, dhe më pas lajmin Marisë. Kur Marisë i bën vizitë kryeengjëlli, Elizabeta, nëna e Pagëzuesit është tashmë gjashtë muajshe shtatzënë.

Kjo është arsyeja pse liturgjia e vë lindjen e Gjonit gjashtë muaj para asaj të Krishtit. Elementi teologjik është i fuqishëm: Gjoni vjen para Jezusit jo për ta zëvendësuar atë, por për t'i treguar botës Krishtin. Madhështia e Gjonit qëndron pikërisht se ai e bën veten të vogël para Krishtit, sikurse thotë Ungjilli: "Ai duhet të rritet; unë, megjithatë, duhet të zvogëlohem".

Lidhja simbolike me dritën është gjithashtu domethënëse. Lindja e Gjonit bie gjatë solsticit të verës, kur ditët fillojnë të shkurtohen ngadalë. Krishtlindja bie pas solsticit të dimrit, kur drita fillon gradualisht të rritet përsëri. Tradita e krishterë e ka interpretuar këtë sekuencë si një shenjë: Gjoni zvogëlohet, Krishti rritet. Gjoni tërhiqet në mënyrë që Mesia të njihet.

Profeti që shtron rrugën

Figura e Gjon Pagëzuesit është qendrore në Ungjij. Ai paraqitet si një eremit, një njeri i shkretëtirës, ​​radikal në fjalët dhe stilin e tij të jetesës. Mesazhi i tij është thelbësor: kthimi në fe, pendesa dhe kthimi te Zoti. Gjoni pagëzon njerëzit në ujërat e Jordanit si shenjë pastrimi dhe ndryshimi të jetës.

Predikimi i tij është i pakompromis. Gjoni nuk e ëmbëlson të vërtetën për ta bërë atë më të pëlqyeshme. Ai u flet turmave, mëkatarëve, ushtarëve, mbledhësve të taksave, por edhe të fuqishmëve. Dhe është pikërisht kjo liri profetike që e çon atë drejt martirizimit.

Sipas Ungjijve, Gjoni denoncon publikisht sjelljen e Herod Antipës, i cili bashkëjeton me Herodiadën, gruan e vëllait të tij. Për këtë, ai arrestohet. Gjatë një gostie, vajza e Herodiadës, Salomeja, vallëzon para Herodit i cili i premton se do t’i japë çkado që kjo të dëshirojë. Pas këshillës të së ëmës, ajo kërkon kokën e Gjon Pagëzuesit. Kështu, profetit i pritet koka në burg.

Vdekja e tij, që përkujtohet më 29 gusht, është plotësimi i një jete përkushtuar tërësisht së vërtetës.

Gjon Pagëzuesi dhe Jezusi

Marrëdhënia midis Gjonit dhe Jezusit është një nga pikat më domethënëse në traditën e krishterë. Ungjijtë tregojnë se Jezusi shkoi në lumin Jordan për t'u pagëzuar nga Gjoni. Ky episod ka një rëndësi të veçantë: Biri i Hyut bashkohet me radhët e mëkatarëve, pavarësisht se nuk ka mëkatuar, dhe kështu nis misionin e tij.

Nga perspektiva historike, figura e Gjon Pagëzuesit dëshmohet jo vetëm nga Ungjijtë, por edhe nga burime jashtë Besëlidhjes së Re, veçanërisht nga historiani hebre Jozef Flavi. Kjo gjë e bën Gjonin një nga figurat më të rrënjosura në historinë fetare të Palestinës së shekullit të parë.

Shprehja që përmbledh misionin e tij është ndër më të fuqishmet në Ungjill: "Ja Qengji Hyut". Gjoni nuk i mban dishepujt e tij pranë vetes, por i drejton ata drejt Jezusit. Ai është dëshmitari që nuk zë vend qendror në skenë por e përgatit atë.              

Festimi i dyfishtë liturgjik i Gjon Pagëzorit - lindja dhe martirizimi - na ndihmon të kuptojmë identitetin e tij. Më 24 qershor, Kisha e shikon fëmijën e lindur nga Zakaria dhe Elizabeta si një shenjë të besnikërisë së Zotit. Më 29 gusht, Kisha kundron profetin e rritur, të vrarë sepse refuzoi të heshtë përballë padrejtësisë.

E njëjta histori përsëritet në të dyja festat: Gjoni është njeriu në prag. Ai qëndron midis premtimit dhe përmbushjes, midis Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, midis pritjes dhe pranisë. Ai është i fundit i profetëve dhe dëshmitari i parë i Mesisë, tani i pranishëm.

Figura e tij ruan një forcë bashkëkohore. Në epokën tonë, Gjoni na kujton se e vërteta nuk është gjithmonë e përshtatshme por mbetet e nevojshme. Zëri i tij nuk kërkon miratim. Ai kërkon kthim në fe.

Nga kënga liturgjike te notat muzikore

Figura e Shën Gjon Pagëzuesit është gjithashtu e lidhur me një kuriozitet me rëndësi të madhe kulturore: zanafilla e emrave të notave muzikore. Himni latin "Ut queant laxis", kushtuar Gjon Pagëzuesit, u përdor nga Guido d’ Arezzo në shekullin e 11-të për të treguar notat e shkallës muzikore.

Emrat Ut, Re, Mi, Fa, Sol dhe La rrjedhin nga rrokjet fillestare të vargjeve të himnit. «Ut» u zëvendësua më vonë nga «Do», sepse kjo rrokje ishte më e lehtë për t'u kënduar, ndërsa «Si» rrjedh nga inicialet e Shën Gjonit. Kështu, gjatë gjithë historisë së muzikës, emri i Gjon Pagëzuesit ka mbetur i ngulitur në kulturën e krishterë dhe perëndimore.

23 qershor 2026, 16:01