Ipeshkvi i Lodit imz. Maurizio Malvestiti në audiencën jubilare me Papa Leonin XIV, shtator 2025. Ipeshkvi i Lodit imz. Maurizio Malvestiti në audiencën jubilare me Papa Leonin XIV, shtator 2025.

Papa në Sant'Angelo Lodigiano, imzot Malvestiti: Vizitë në gjurmët e Shën Francesca Cabrinit

Gjithçka është gati për të mirëpritur Leonin XIV, më 20 qershor, në qytetin e lindjes së pajtores së emigrantëve, e cila iu përkushtua këtyre me mish e shpirt në Amerikë. Ndërroi jetë më 22 dhjetor 1917, në Çikago, aty ku lindi Papa. Ipeshkvi i Lodit: "Fjalët e saj le ta rizgjojnë misionin si një përgjegjësi për të gjithë të pagëzuarit. Zemra e Francesca Cabrinit, të cilën Papa do ta nderojë, ishte e trazuar si ajo e Shën Augustinit, e mrekulluar nga Zoti."

Vatican News

Qyteti Sant'Angelo Lodigiano është plot emocione për mbërritjen e Leonit XIV. Papa do shkojë aty pasi të vizitojë Pavian, dhe do të ndalet në Bazilikën e Shënjtërve Andout abat  dhe Francesca Cabrinit, në adhurim të Shenjtnueshmit Sakrament dhe për nderim të zemrës së "nënës dhe pajtores së emigrantëve". Përgatitja e besimtarëve për pritjen e Papës nuk është thjeshtë organizim, por edhe një udhëtim i brendshëm i frymëzuar nga besimi dhe dashuria, me tubime të ndryshme. Do të përfshihen në këtë pritje 121 famullitë e dioqezës së bashku me komunitetet përkatëse të 60 komunave në zonën e Lodit dhe 10 në zonat jugore të Milanos, Pavias dhe Kremonës. Tre ekrane të mëdhenj do të instalohen në qytetin e lindjes së Francesca Cabrini-t për të ndjekur vizitën e Papës. Ato do të vendosen në Piazza Duca D'Abruzzi dhe Piazza della Libertà. Të parët që do të mirëpresin Leonit XIV – i cili do të mbërrijë në stadiumin komunal «Carlo Chiesa» me helikopter – do të jenë të rinjtë e kampeve verore lokale të oratorëve, me sloganin, "Bella Fra".

Bazilika famullitare ku do të ndalet Papa do të mbledhë besimtarët e Sant'Angelo-s, meshtarët, murgeshat dhe motrat rregulltare kabriniane, përfaqësuesit e famullisë, të rinjtë dhe kryetarët e bashkive dhe autoritetet lokale. Ndërkohë, në oborrin e kishës, të sëmurët dhe anëtarët e grupeve kishtare, së bashku me katekistët, do të jenë të parët që do të mirëpresin Papën.

Në vendet e Francesca Cabrini-t, ku ruhet zemra e saj

"Është një takim me të gjithë zonën e Lodit, bashkësinë e besimtarëve dhe jobesimtarëve, të cilët dëgjojnë bariun që na flet për Zotin dhe për paqen që të gjithë kërkojmë", tha ipeshkvi imzot Maurizio Malvestiti i Lodit në një konferencë për shtyp më 9 qershor, duke përmendur një për një, ditët e lutjes për të cilat besimtarët ishin përgatitur: 24 prill në Lodi, një ditë pas njoftimit të vizitës; 4 qershor në Bazilikën e Sant'Angelo-s; 7 qershor për të kremten e «Corpus Christi»-it në Katedralen e Lodit; dhe 12 qershor për Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Jezusit në Kishën e Taborit në Codogno, ku ruhet zemra e Shën Francesca Cabrini-t. Në kujtim të themelueses së Misionarëve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit, e cila ia kushtoi jetën e saj bamirësisë, vizita e Leonit XIV është "një thirrje për besim dhe shpresë, që të mishërohen në jetën e përditshme dhe jo vetëm në momente të jashtëzakonshme", shpjegoi ipeshkvi i Lodit gjatë vigjiljes së lutjes më 4 qershor. "Ju presim me besim dhe dashuri", i shkroi prelati Papës në një letër, duke e falënderuar për vendimin për të vizituar dioqezën e vet.

Disa ditë para takimit me Papën, imzot Malvestiti përshkroi përgatitjet e fundit për mediat e Vatikanit, duke theksuar shpresën se fjalët e Papa Leonit drejtuar besimtarëve do të t’u japin zemër këtyre në udhëtimin kishtar të misionit dhe të solidaritetit.

Si e pret Dioqeza e Lodit vizitën e Leonit XIII në Sant'Angelo Lodigiano?

Dioqeza është mirënjohëse për vizitën e Papës. Që nga njoftimi, më 23 prill, ajo është përgatitur për gjithçka, veçanërisht në famullitë tona, me ngjarje të rëndësishme në nivel dioqezan. Këtu përfshihet mbrëmësorja për thirrjet meshtarake, përqendruar në lutjen për Papën, i cili na thërret ta duam dhe t'i shërbejmë Krishtit në Kishë dhe në botë. Ne e bëmë këtë takim të parë në kishën historike të qytetit të Shën Françeskut, duke e lidhur emrin e tij me atë të Shën Francesca Cabrini-t dhe të Papa Leonit. Gjatë Vigjiljes së Rrëshajëve, bashkë me shoqatat laike dhe përfaqësuesit e famullisë, si dhe gjatë të kremtes së «Corpus Christi»-it në qytet dhe në të gjitha famullitë, i shprehëm falënderimet tona Zotit për bashkimin, parimi i dukshëm i të cilit është Papa që presim, ndërsa jemi gjithashtu të gatshëm të dëgjojmë udhëzimet që ai do t'i japë dioqezës. Në fund bëmë dy udhëtime: në Sant'Angelo Lodigiano dhe Codogno. Ky udhëtim i dytë ishte planifikuar për solemnitetin e Zemrës së Shenjtë, sepse në Codogno ndodhet kisha e Malit Tabor, që Shën Francesca Cabrini aq shumë e donte. Të shtunën e kaluar pastaj, përgatitjet arritën kulmin me shugurimin e katër meshtarëve të rinj në katedrale – të gjithë të rinj.

Ju e ftuat Papën në Sant'Angelo Lodigiano menjëherë pas zgjedhjes së tij. A mund të na tregoni më shumë?

Në takimin e parë me të gjithë ipeshkvijtë italianë, më 17 qershor 2025, në Sallën e Bekimeve, në Vatikan, unë personalisht e përshëndeta Papën dhe menjëherë i thashë: "Shenjtëria Juaj, kur të vizitoni Sant'Angelo Lodigiano, siç është e drejtë, duhet të ndaleni, se është e drejtë edhe kjo gjë, në dioqezën e Lodit: ne jemi fqinjë dhe është «bashkëqytetarja» juaj që po ju kërkon." E pashë që po mendohej për «po!» dhe mendova se vizita te Shën Francesca Cabrini do të bëhej. Pastaj, më 6 shtator 2025, në shtegtimin dioqezan për Jubileun – ishim një grup i mirë, rreth 800 besimtarë – me meshtarë dhe seminaristë të mbledhur për një fotografi, i dhashë letrën që konfirmonte ftesën. I thashë se ka shumë dëshmitarë të pranishëm dhe nga buzëqeshja e tij kuptova se ishte i gatshëm.

Ekzistojnë disa lidhje midis Sant'Angelo Lodigiano dhe Papa Leonit XIII. Shën Francesca Xavier Cabrini lindi në këtë qytet të vogël në provincën e Lodit. Papa Leoni XIII e nxiti të shkonte në mision në Amerikë, ku më vonë iu përkushtua emigrantëve dhe themeloi shkolla, konvikte, jetimore, azile pleqsh dhe spitale në New York. Një grua e palodhur, e cila më vonë vdiq në Çikago, në vendlindjen e Robert Francis Prevost. Për më tepër, Shën Francesca Xavier Cabrini u lumnua në vitin 1938, më 13 nëntor 1938, ditëlindjen e Shën Augustinit. Si i gjykoni të gjitha këto rastësi?

Ato na çudisin, mbi të gjitha përsa i përket anës shpirtërore. Disa biografi të Shën Francesca Cabrini-t tregojnë se Papa Leoni XIII, duke i besuar asaj mandatin e misionit, thuhet se iu drejtua thjesht me mbiemrin e saj: "Cabrini, nuk duhet të shkosh në Lindje, por në Perëndim". Skena është përshkruar në nefin e bazilikës famullitare të Sant'Angelos. Misioni në Amerikë është sprovë e frytit të bindjes kishtare. Nëna Cabrini madje mori shtetësinë amerikane, duke u bërë shenjtorja e parë e këtij kontinenti. Unë i kam ndjekur gjurmët e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me banorë të Lodit. Në Çikago, vizituam dhomën e saj, të ruajtur ashtu siç ka qenë. Por mbi të gjitha, lidhja me Shën Augustinin është prekëse.

Zemra e Shën Franceskës ishte e shqetësuar, për dashurinë që ajo ushqente për Jezu Krishtin, dhe donte ta lehtësonte zemrën e Krishtit duke lehtësuar varfërinë e skajshme të emigrantëve. Te vepra «Rrëfimet», Shën Augustini shkruan se zemra nuk ka prehje deri kur të pushojë në Zotin, dhe Francesca Cabrini nuk pushoi kurrë, sepse donte që zemra e Jezusit të pushonte përmes afërsisë së saj me miqtë e posaçëm: emigrantët e privuar nga dinjiteti njerëzor dhe i krishterë.

"Bella Fra" është slogani i kampit të fëmijëve «Grest 2026» të Dioqezës së Lodit. Ju sugjeruat që e shtuna ka një kuptim të trefishtë. A mund të na e shpjegoni këtë?

"Fra" është shkurtim për emrin Françesk, por edhe fretnit quhen "fra", dhe ndoshta Shën Françesku i Asizit quhej Fra Francesco. Varfanjaku i Asizit është figura kyçe e kampit «Grest» të këtij viti për shkak të 800-vjetorit të kalimit në amëshim të Shën Françeskut. Por kjo mund të thuhet edhe për Shën Francesca Cabrinin dhe tashti, edhe për Papa Leonin, për shkak të emrit të tij të pagëzimit, "Françesk Robert Prevost". Kështu që, të shtunën do të kthehem nga Pavia, ku të gjithë ipeshkvijtë lombardë do të përshëndesin Papën, dhe do të nxitoj drejt stadiumit Sant'Angelo Lodigiano për t’i nënvizuar mirë këta tre "Fra". Shpresoj që Papa të thotë disa fjalë para se t'u japë bekimin e tij apostolik të gjithë fëmijëve të kampeve verore, bashkë me udhëheqësit e tyre dhe të rinjtë. Ndoshta do të përpiqemi, me atë anglishten e çalë, siç thonë burimet historike të Shën Françeska Cabrini, ta përshëndesim duke thënë në kor: "Atë i Shenjtë, faleminderit dhe bekona ne!". Po bëjmë prova. Por është një sekret papnor!

Çfarë frytesh prisni nga vizita e Papës për dioqezën tuaj?

Përforcimi në fe se ky është misioni i Papës; një rizgjim i misionit, si përgjegjësi e të gjithë të pagëzuarve, veçanërisht e meshtarëve dhe e diakonëve. Prandaj, në përshëndetjen time, do të them se po lutemi që fëmijët dhe të rinjtë, sipas fjalëve të Papës, të mund ta dëgjojnë thirrjen e veçantë të Jezusit: "Ejani dhe më ndiqni".

Në fund, solidariteti. Besimi, misioni, solidariteti si shtigje drejt shenjtërisë, që nuk i frikësohen "gjërave të reja". Augustini dhe Francesca Cabrini nuk i kishin frikë ato. E reja sjell me vete vështirësi, por edhe mundësi. Ne, dishepujt e Krishtit, duhet të kujtojmë se Ungjilli është risi.

19 qershor 2026, 10:14