Ndërroi jetë Kardinali Camillo Ruini
Vatican News
Ndërroi jetë dje, më 16 qershor, Kardinali Camillo Ruini. Ishte në moshën 95 vjeç. Me origjinë nga Sassuolo, Itali, shërbeu si president i Konferencës Episkopale Italiane nga viti 1991 deri në vitin 2007, si Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Dioqezën e Romës dhe Kryeprift i Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, nga viti 1991 deri në vitin 2008.
Dioqeza e Romës shpreh ngushëllimet
Njoftimin e shpalli Kardinali Vikar Baldassare Reina dhe Këshilli Episkopal i Dioqezës së Romës, të cilët shprehën mirënjohjen për jetën e gjatë dhe të frytshme të krishterë të Kardinalit Ruinit dhe për shërbimin e tij ndaj Kishës. "Udhëheqja e tij baritore, nga viti 1991 deri në vitin 2008", shkruhet në një deklaratë, "me inteligjencën e tij la gjurmë të thellë në interpretimin e pranisë së të krishterëve në qytet, duke e kombinuar atë, me përgjegjësinë e Kryetarit të Konferencës Episkopale të Kishës Italiane. I mprehtë në dallimin e ndryshimeve politike dhe shoqërore të vendit, e konsideroi themelore udhëheqjen kulturore me krenarinë e kujdesin katolik, si kujdestar i një trashëgimie vlerash që nuk duhen fshehur, por përkundrazi, të mbrohen, duke përmbushur moton e tij episkopale, “Veritas liberabit nos".
Zuppi: një jetë kushtuar Ungjillit
"Mblidhemi në lutje dhe ia besojmë mëshirës së Hyjit Atë Kardinalin Camillo Ruini, të cilin Zoti e thirri pranë vetes", shkruan Kardinali Matteo Zuppi, Kryeipeshkëv i Bolonjës dhe President i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në një mesazh ngushëllimi. "E kujtojmë", shton Kardinali Zuppi, "me mirënjohje për jetën që kaloi në shërbim të Ungjillit, Kishës së Romës dhe Konferencës Ipeshkvnore Italiane", së cilës Kardinali Ruini i shërbeu "me inteligjencë, pasion baritor dhe me një ndjenjë të thellë kishtare". Në mesazhin e tij, Zuppi theksoi edhe vizionin baritor të kardinalit të ndjerë, sipas të cilit "feja nuk është kurrë e huaj për historinë" dhe mesazhi i krishterë duhet "të përmbushë pyetjet e vërteta të njerëzimit, shoqërisë dhe kulturës". Ky angazhim ndihmoi që Kisha në Itali të "mendonte, të dallonte, të fliste dhe të ecte në kohën e vet, duke ruajtur lidhjen e gjallë me Pasardhësin e Pjetrit dhe Kishën universale". Presidenti i CEI-t kujtoi gjithashtu edhe moton episkopale të Ruini-t, Veritas liberabit nos, e cila përfaqëson "një mandat për të gjithë: të kërkojmë të vërtetën që është Krishti, sepse vetëm ajo na bën të lirë dhe të aftë për të dashur".
Dziwisz: kërkoi gjithmonë të mirën e Kishës
"Emocion i thellë" është ndjenja e shprehur nga Kardinali Stanislaw Dziwisz, Kryeipeshkëv Nderi i Krakovisë si dhe, për shumë vite, sekretar personal i Gjon Palit II. Ruini ishte "bashkëpunëtor besnik" i Papës polak, gjithnjë "pranë tij në çaste vendimtare në jetën e Kishës dhe të shoqërisë, gjithmonë i shtyrë nga dëshira për të dëshmuar Ungjillin në zemrat e njerëzve dhe në botë", shkruan Kardinali Dziwisz në një letër. E quan kardinalin Ruini "shërbëtor të palodhur të Kishës dhe të Ungjillit", "shërbesa e gjatë dhe bujare" e të cilit u bë e njohur nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës, nga një dashuri e sinqertë për Pasardhësin e Pjetrit, Papën dhe nga angazhimi i vazhdueshëm për të mirën dhe unitetin e Popullit të Zotit". Ai, shton kardinali polak Dziwisz, "kërkoi gjithnjë të mirën e Kishës, me qartësi feje, besnikëri ndaj Magjisterit dhe me një ndjenjë të thellë detyre e përgjegjësie baritore".
Funerali
Në muajt e fundit, shëndeti i Kardinalit Ruini u keqësua, gjë që e detyroi të kishte kujdes të përditshëm në shtëpinë e tij. Më parë kishte përballuar disa probleme shëndetësore, përfshirë edhe sëmundjen e zemrës në korrik 2024 si dhe bllokimin e veshkave në vitin 2025, gjë që i kërkoi shtrimin në Spitalin Gemelli, në Romë.
Pushoftë në paqe!