Kërko

Imzot Mariano Crociata, kryetar i COMECE-s. Imzot Mariano Crociata, kryetar i COMECE-s.

Migrantët, COMECE: Shqetësime mbi rregulloren e re të BE-së të riatdhesimeve

Parlamenti Evropian miratoi sot rregulloren e re të riatdhesimeve me 418 vota pro, 218 kundër dhe 30 abstenime. COMECE shprehu shqetësimin e saj dhe, në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari i saj imzot Crociata, deklaroi: "Ne gjithmonë duhet të respektojmë dinjitetin njerëzor, të drejtat themelore, të drejtën për azil dhe mbrojtjen e bashkimit të familjes, si edhe të mbështesim mbrojtjen e më të cënueshëmve".

Vatican News

Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Europian (COMECE) "shqyrton votimin e djeshëm të Parlamentit Evropian për miratimin e rregullores së re mbi riatdhesimet" e emigrantëve, por thekson shqetësimin e tij të thellë " rreth disa aspekteve të caktuara të kuadrit të ri ligjor që rrezikon të dobësojë mbrojtjen efektive të të drejtave themelore dhe dinjitetin e personave të cënueshëm".

Parlamenti Evropian voton për riatdhesimet

Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, miratoi sot rregulloren e riatdhesimeve me 418 vota pro, 218 kundër dhe 30 abstenime. Teksti u miratua me mbështetjen e të gjitha partive të krahut të djathtë dhe të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian - Partia Popullore (EPP), Konservatorët (ECR), Patriotët (EPP) dhe Sovranistët (ECR), si dhe disa eurodeputetë të qendrës së majtë. Reforma e politikës së riatdhesimeve të BE-së, për të cilën kanë rënë dakord Parlamenti dhe Këshilli i BE, përcakton detyrime të reja bashkëpunimi për shtetasit e vendeve të treta që i nënshtrohen riatdhesimit dhe autorizon arrestimin deri në 24 muaj, i cili mund të zgjatet në raste specifike. Rregullat e reja gjithashtu forcojnë njohjen e ndërsjellë të vendimeve të riatdhesimeve mes vendeve të BE-së dhe mundësinë e përdorimit të "qendrave të riatdhesimit" me seli në vende të treta, jashtë BE-së.

Shkaqet për alarmimin e COMECE-së

Ipeshkvijtë e COMECE-së janë të alarmuar posaçërisht nga "zgjatja e arrestimit, kufizimet e mjeteve juridike dhe shtimi i përgjegjësisë që u jepet vendeve të treta, tema këto që shtrojnë pyetje serioze, etike dhe humanitare". Kështu thuhet në deklaratën e nënshkruar nga imzot Mariano Crociata, kryetar i Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian

Migrimi nuk është çështje procedurash dhe statistikash

"Migrimi," thuhet më tej në tekst, "nuk është thjesht çështje procedurash, statistikash apo menaxhimi kufitar. Ai ka të bëjë me qeniet njerëzore: gratë, burrat dhe fëmijët, secili prej të cilëve gëzon dinjitet të paprekshëm që duhet të mbetet në qendër të çdo vendimi politik."

Imzot Crociata më pas përmend vizitën e fundit të Papa Leonit në Ishujt Kanarie, kushtuar temës së migrantëve. Gjatë vizitës së tij, Papa përsëriti se nuk mund të "rrimë mospërfillës ndaj atyre që mbyten në det, bien viktima të trafikimit të qenieve njerëzore ose detyrohen të ikin nga lufta, dhuna, persekutimi, uria ose "degradimi mjedisor", edhe sepse "ata mund të jenë pjesë e familjes sonë".

Thirrja e ipeshkvijve: respektoni dinjitetin njerëzor

Në këtë drejtim, COMECE "ripërtërin thirrjen që politikat e migracionit dhe të azilit të mbeten të lidhura fort me respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave themelore, me të drejtën për të kërkuar azil, me mbrojtjen e unitetit familjar dhe vëmendjes së veçantë ndaj më të cënueshëmve. Siguria dhe solidariteti nuk janë parime të kundërta; ato duhet të shkojnë krah për krah."

Shqyrtimi i shkaqeve themelore të migracionit

Në vijim, teksti i COMECE-s, i cili i bën jehonë thirrjes së Papa Leonit XIV drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, thotë: "Vendet e origjinës, të tranzitit dhe të destinacionit kanë përgjegjësinë e shqyrtimit të shkaqeve që i detyrojnë njerëzit të migrojnë dhe për të mbrojtur ata që janë në lëvizje."

E drejta për t'u larguar, por edhe për të qëndruar

Çdo person jo vetëm që ka të drejtë të kërkojë mbrojtje kur jeta e tij është e kërcënuar, por edhe të drejtën për të mos u detyruar të largohet nga atdheu i tij për shkak të luftës, persekutimit, varfërisë, korrupsionit ose rrënimit të mjedisit. Votimi i sotëm ka të bëjë me më shumë sesa thjesht politikën e migracionit. Ai ngre një pyetje më të thellë: çfarë lloj Evrope duam të ndërtojmë? Në këto çaste vendimtare, Evropa është e thirrur të mos heqë dorë nga vlerat e saj themelore, por t'i ripohojë ato me guxim, mençuri dhe humanizëm.

Mbrëmje lutjeje organizuar nga Shën Egjidio, më 18 qershor

Ndërkohë, në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, e cila kremtohet më 20 qershor, bashkësia e Shën Egjidios në Romë, po promovon një mbrëmje lutjesh me titullin "Vdekja e Shpresës", organizuar bashkë me shoqata të tjera të përkushtuara për mirëpritjen dhe integrimin e njerëzve që kanë ikur nga lufta ose nga situata të turbullta në vendet e tyre. Kjo mbrëmje lutjesh do të mbahet në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere dhe në shesh, sonte, më 18 qershor, në orën 18:30.

Këtu do të përkujtohen "77,000 vetët, të vdekur ose të zhdukur në Detin Mesdhe ose në rrugë të tjera të emigracionit drejt Evropës, që nga viti 1990 deri më sot. Gjatë pesë viteve të fundit, 28.8% kanë qenë gra dhe fëmijë", thotë bashkësia e Shën Egjidit.

18 qershor 2026, 09:43