Meshë përkujtimore për imzot Simon Kullin në Ferrara
R.SH. / Vatikan
MESHË PËRKUJTIMORE PËR IMZOT SIMON KULLIN NË FERRARA-ITALI
Nën kujdesin e Dom Nikolin Tomës, miku dhe vëllai në Krishtin i Imzot Simonit, në bashkëpunim me familjarët dhe famullinë e Shën Augustinit në Ferrara të Italisë, me 2 qershor u organizua një Meshë përkujtimore për shpirtin e bariut të Sapës, i cili ndërroi jetë në mënyrë të papritur duke e thirrur Zoti pranë vetes.
Të pranishëm ishin prindërit dhe familjarët e tij që jetojnë prej vitesh në Ferrara, miq e dashamirë, dhe emigrantë shqiptarë të cilët u bashkuan në kishën e kësaj famullie duke ia lartësuar Zotit lutjet për shpirtin e tij. I ftuar enkas për këtë Meshë Shenjte ishte Administratori Dioqezan i Sapës, Atë Mariano Tarantino, i cili bashkëkremtoi me Dom Nikolinin dhe me Drejtorin e Radio Marisë, Dom Gjovalin Simonin.
Në predikimin e rastit Atë Mariano tha se: “kemi shtegtuar sot në këtë Kishë të Shën Augustinit për t’u bashkuar me dëshirën që të lutemi për ipeshkvin tonë të paharruar, duke kujtuar dëshminë dhe shembullin e tij, fjalët dhe këshillat e tija të cilat janë një nxitje për ngushëllim. Ai banon tashmë në qiellin e ri në tokën e re me Zotin. Ai ka përfunduar shumë shpejt për sytë tanë njerëzor para kohe dhe tash është bashkë me shenjtërit dhe ndërmjetëson për ne. Me punën e tij baritore ka shpejtuar në shumë mënyra ditën e ardhjes së Krishtit në jetën e njerëzve që i ka takuar, në jetën e dioqezës tonë dhe të familjes së tij. Jemi plot me falënderim që e patëm mes nesh dhe zemra mbushet me mallëngjim dhe trishtim për mungesën e tij fizike.
Mons. Simoni ka jetuar duke pasur parasysh fjalën e Jezusit se gjithçka i përket Hyjit. Dhe atij ia ka kthyer gjithçka në jetën e vet, qoftë si meshtar, qoftë si ipeshkëv. Ne që e kemi njohur dhe jetuar me të kemi parë shpeshherë se e kishte të ngulitur në zemër se ai i përkiste Krishtit. Ndërsa lutemi për shpirtin e tij falënderojmë Zotin se me jetën e Imzot Simonit na ka kujtuar se duhet të jetojmë me mësimet e Krishtit”.
Pas meshës të gjithë pjesëmarrësit bashkëndanë kujtime të shumta për Imzot Simonin, ku që e kanë njohur dhe kanë jetuar apo bashkëpunuar me të. Ai do mbetet një figurë e lartë nderimi në Dioqezën e Sapës, në Kishën Katolike në Shqipëri, i cili gjithë jetën ia kushtoj Zotit duke e shpallur Fjalën e tij jo vetëm me fjalë por edhe me vepra të shpirtit dhe të bamirësisë. Misioni i jetës meshtarake të Imzot Simonit ka lënë gjurmë në jetën e kishës, dhe do mbetet model frymëzimi
nga Violeta Marashi