Katolikët shqiptarë nderojnë Zojën e Këshillit të Mirë
R.SH. – Vatikan
Këtë të diel që kaloi, më 31 maj, në Genecan afër Romës, shqiptarë nga të katër anët e Italisë e nga vise të tjera ku jetojnë e punojnë, shtegtuan në Shenjtëroren e “Zonjës së Këshillit të Mirë”. Sivjet ky shtegtim shpirtëror e kombëtar, u bë edhe në kuadrin e 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore Qiellore e Shqipërisë.
Kështu, dita e shqiptarë pranë Nënës së Këshillit të Mirë, të dielën më 31 maj, nisi në Kishën e Shën Nikollës ku u shfaq dokumentari historik “Nëna e Këshillit të Mirë – Pajtorja e Shqipërisë”, i pari i realizuar gjatë këtyre 30 viteve të fundit, kushtuar “ikjes” a "largimit" të ikonës së Zojës Mari në vitin 1467 nga Shkodra, tashmë e pushtuar nga osmanët, drejt Italisë, në Gjenacan, ku vazhdon të qëndrojë deri në ditët e sotme.
Ky devocion ndaj Zojës Mari mban të lidhur popullin katolik shqiptar me popullin vendas të Gjenacanos, që është edhe mikpritësi i ikonës së Zojës së Këshillit të Mirë. Në dokumentar, ndër të tjera, i kushtohet rëndësi e veçantë zbulimit të dekretit papnor të 30 korrikut 1897, me të cilin Papa Leoni XIII e shpalli Zojën e Këshillit të Mirë Pajtore të Shqipërisë.
Pas dokumentarit vijuan përshëndetjet institucionale, proçesioni nëpër rrugët e Gjenacanos dhe Mesha e Shenjtë, e udhëhequr nga arqipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine. Në proçesion u vu re prania e shqiptarëve nga e gjithë Italia: nga Saluzzo, Savigliano, Cuneo, Torino, Treviso e Venecia, Pistoia, Firence e Lucca, madje edhe nga Perugia, ndonëse shumica e tyre kishin ardhur nga Roma.
Proçesioni dhe kremtimi i Meshës u transmetuan drejtpërdrejt nga Radio Maria Albania dhe nga faqja Facebook “Koordinimi Kombëtar i Pastoralit të Katolikëve Shqiptarë në Itali”. Shtatorja e “Nënës së Këshillit të Mirë”, e mbajtur mbi supet e fuqishme të të rinjve shqiptarë të veshur me kostume tradicionale shqiptare dhe e shoqëruar nga petalet e trëndafilave të hedhura nga dritaret e banoreve të Gjenacanos, ecte në heshtje e lutje së bashku me bijtë dhe bijat e saj në rrugicat e ngushta të kësaj qyteze të Lacios.
Meshën solemne, të paraprirë nga proçesioni me shtatoren e Zojës së Bekuar, e kryesoi Imzot Giovanni Peragine, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit, në bashkëkremtim me përgjegjësin për baritorinë e besimtarëve shqiptarë në Itali, dom Anton Kodrarin, meshtarë shqiptarë dhe rektorin e Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan Atë Ludovico Maria Centra.
Në fillim të Meshës, dom Anton Kodrari përshëndeti besimtarët e shumtë dhe shprehu gëzimin që ishin mbledhur për të nderuar së bashku, si komunitet, si vëllezër e motra, Nënën e Këshillit të Mirë. Gjithashtu falënderoi Imzot Giovanni Peragine për vizitën e tij dhe për udhëheqjen e kremtimit Eukaristik, duke nënvizuar rëndësinë dhe bukurinë e këtij kremtimi e takimi tradicional të shqiptarëve në këtë vend të shenjtë dhe plot domethënie për historinë e Kishës dhe të mbarë popullit shqiptar.
Kështu, edhe sivjet, Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan u mbush plot e përplot me shqiptarë të ardhur nga e gjithë Italia. Me praninë e tyre e nderuan këtë veprimtari edhe kryetari i Bashkisë së Gjenacanos, Alessandro Cefaro, si dhe Imzot Pierpaolo Felicolo, drejtor i Fondacionit “Migrantes”.
Pas përfundimit të Meshës së Shenjtë në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, shtegtarët u mblodhën së bashku për të festuar në parkun e Elcini-t, duke ndjekur programin artistik të organizuar me kujdes nga vullnetarët e diasporës. Pikniku, këngët dhe vallet shqiptare janë bërë tashmë traditë në këtë ngjarje të veçantë mariane.
Në sy bien veshjet karakteristike të krahinave të ndryshme, folklori dhe gastronomia tipike shqiptare, elemente që shpesh bëhen një atraksion për banorët vendas. Po aq i dukshëm është edhe gëzimi dhe mënyra se si besimtarët katolikë shqiptarë e përjetojnë devocionin ndaj Zojës së Këshillit të Mirë – e cila është njëkohësisht edhe e Gjenacanos, edhe e shqiptarëve – duke krijuar momente shkëmbimi përvojash dhe ura lidhëse mes shqiptarëve të ardhur nga zona të ndryshme të diasporës dhe popullsisë vendase.
Kujtojmë me krenari se pikërisht në këtë Shenjtërore të Zojës së Këshillit të Mirë, më 10 maj 2025, Papa i sapozgjedhur Leoni XIV zhvilloi një vizitë lutjeje. Ai shkoi në këtë Kishë, e cila i është besuar Etërve augustinianë, për t’u lutur pranë Zojës së Këshillit të Mirë dhe për t’ia besuar asaj mbrojtjen e papnisë së tij.
nga Gjergj Ndoci