Kërko

Kard. Pizzaballa: "Njerëzimi ka nevojë për Zotin; siguritë tona janë të brishta"

Patriarku latin i Jerusalemit feston shtegtimin vjetor në Shpellën e Zojës së Malit në Anxhara. Një homeli mbi kohën e Zotit dhe kohën njerëzore, mbi besimin si një kundërhelm ndaj çorientimit dhe mbi një vështrim drejt Jubileut të Pagëzimit të Jezusit, në vitin 2030.

Vatican News

"Në epokën tonë, inteligjenca njerëzore dhe zhvillimi shoqëror e shndërruan rrënjësisht botën; sot mund të bëjmë gjëra që deri vonë dukeshin të pamundura dhe të paarritshme, në shkencë, ekonomi e tregti. Progresi shkencor, shkurt, na bën më të fuqishëm çdo ditë dhe na nxit vazhdimisht për perspektiva gjithnjë e më të mëdha dhe më të gjera në të gjitha fushat e jetës sonë personale dhe shoqërore. Besojmë gjithnjë e më shumë në forcat dhe aftësitë tona. Ndihemi pothuajse të pamposhtur. Por gjithçka duhet, është sëmundje që godet një të dashur, një vdekje e papritur, një luftë shkatërruese...Atëhere të gjitha siguritë që na duken të pamposhtura, shkatërrohen". Për këtë foli Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, gjatë Meshës së kremtuar me rastin e ditës vjetore të shtegtimit në Shenjtëroren jordaneze të Anxharës.

Kemi nevojë për Zotin

Te Shpella e Zojës së Malit, konsideruar si një nga vendet më të rëndësishme të kultit në Mbretëri të Jordanisë, Kardinali Pizzaballa u kujtoi besimtarëve të shumtë, mbledhur nga pjesë të ndryshme të vendit një të vërtetë të padiskutueshme: "Ne kemi nevojë për Zotin, sepse të vetëm jemi të humbur. E edhe vetëdija për praninë e Zotit në jetën e njeriut dhe të botës, na bën  të besojmë se asgjë nuk është e pamundur për Zotin, se Ai nuk na lë vetëm. Ai lind jetën edhe aty ku njeriu nuk mundet ta bëjë nga ana njerëzore". E theksoi këtë, duke shtuar se "Maria na mëson të kemi besim. Të besosh do të thotë të pranosh se dora e padukshme e Zotit është ende në veprim dhe arrin pikërisht aty ku njeriu nuk mundet. Të besosh, do të thotë edhe të qëndrosh në këtë situatë të vështirë e dramatike të botës së sotme me shpresë të krishterë, qëndrim i atyre që vendosin të jetojnë në dashuri:  nuk tërhiqen në vetvete, por ofrojnë jetën e tyre, e thonë "po"-në e tyre edhe në çastet më të vështira. Të besosh, pra, do të thotë të dëgjosh, të mirëpresësh, të kesh besim, të falësh vetveten. Të mos e anulojë vështirësia e çastit të tanishëm dhe çorientimi që vjen si pasojë e tij sigurinë tonë të fortë se Zoti nuk i braktis ata që e duan, e se nuk jemi kurrë vetëm".

Prania e institucioneve

Me mbërritjen e tij në shpellë, Kardinali Pizzaballa u prit nga guvernatori i Ajloun, Nayef Al-Hdayat, krerët e departamenteve të guvernatorit dhe përfaqësuesit e institucioneve zyrtare e lokale. Ndër ata që morën pjesë në Meshë ishin Imzot Giovanni Dal Toso, Nunci Apostolik në Jordani, dhe Arkimandriti Paul Nzeha, Administrator Patriarkal i Kishës Katolike Greke Melkite. E ishin edhe Ministri i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, Imad Hijazin; presidenti i Autoritetit të Promovimit të Turizmit në Dhomën e Lartë të Parlamentit, Michel Nazzal; si dhe ambasadorët e Hungarisë, Australisë dhe Spanjës.

Në pritje të Jubileut të Pagëzimit të Jezusit

Duke kujtuar rëndësinë e vendit, Kardinali Pizzaballa theksoi: "Jemi në një nga Vendet e Shenjta të Jordanisë, të njohura nga Kisha jonë. Një vend i veçantë përkushtimi e kujdesi, i cili kohët e fundit tërhoqi vëmendjen e Oborrit Mbretëror, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit Ghazi Bin Muhammad, Ministrisë së Turizmit dhe të Antikiteteve, e sigurisht të shumë besimtarëve nga të katër anët e Jordanisë.

Ne të gjithë po përgatitemi për vitin 2030, kur do të festojmë Jubileun e Pagëzimit të Jezusit, ngjarje që ndodhi 2000 vjet më parë pikërisht këtu, në Jordaninë tonë të sotme, në Maghtas, vend besimi dhe përshpirtërie jo vetëm për ne, por për mbarë botën".

Koha e njeriut e koha e Zotit

Kardinali Pizzaballa u përqendrua, më pas, në krahasimin ndërmjet kohës njerëzore dhe kohës së Zotit: "Njeriu i sotëm e konsumon kohën e vet me padurim, nuk di të presë, jeton në kontakte sociale dhe dixhitale që ofrojnë gjithçka në kohë reale dhe na bëjnë të besojmë se gjithçka mund të merret menjëherë: një kurë ose zgjidhje për çdo problem tonin. Ndërsa, koha e Zotit shpaloset në distanca të gjata: gërmon thellë, vendos themele të thella. Është koha e të gjitha stinëve të nevojshme, që mbjellja të japë fryte". Për Kardinalin Pizzaballa, "sot nuk i kuptojmë të gjitha, nuk jemi në gjendje të interpretojmë në mënyrën e duhur atë që po ndodh në këtë botë të dërmuar nga luftërat dhe të pushtuar nga urrejtja, dhe ky, ndoshta, është një nga elementët që na çorienton më shumë: pamundësia për të deshifruar çastin dramatik të tanishëm, për të zotëruar çelësin interpretues që na lejon të kontrollojmë ngjarjet aktuale, e kohën e tanishme".

Lërëni kohën të zbulojë çfarë ka ndodhur

Përgjigja për Patriarkun Pizzaballa gjendet gjithmonë në Ungjill, që "na mëson ta lëmë përvojën të qetësohet, të lejojmë kohën të rritet, të piqet një kuptim i qetë dhe i lirë i ngjarjeve të tanishme. Vetëm me kalimin e kohës do të jemi në gjendje ta kuptojmë dhe ta shohim më mirë praninë dhe veprën e Tij. Tani - vazhdoi ai - nuk dimë si ta quajmë histori atë që po ndodh; duhet ta lëmë kohën të zbulojë se çfarë ka ndodhur, të rrisim inteligjencën e zemrës duke dëgjuar heshtjen e Zotit. Në dhimbjen dhe gëzimin e ditëve që do të vijnë, do t'i rilexojmë këto ngjarje dhe jam i sigurt se do ta gjejmë një Fjalë që na ndihmon t'i zbulojmë, t'i bluajmë  me një meditim që e bën të re, jetën e përditshme".

Dinamika e fesë

Një fragment i fundit i predikimit iu kushtua dinamikës së fesë: "Mund të mendojmë se Ungjilli i Shpalljes është Ungjill i largët nga jeta jonë, shumë i madh për jetën e vogël të secilit prej nesh. Por nuk është kështu! Dinamika e kësaj ngjarjeje, dinamika e një Zoti që dëshiron të ndërhyjë në jetën njerëzore dhe thjesht kërkon që ta lejojmë Atë, janë dinamikat e fesë, të marrëdhënies sonë të përditshme me Zotin, të cilën as drama e çastit të tanishëm nuk mund ta vërë në dyshim".

Përshëndetje nga Rektori i Shpellës

Dita e shtegtimit përfundoi me një fjalim falënderimi, mbajtur nga Atë Yousef Francis, rektor i Shpellës së Zonjës sonë të Malit në Anxhara, i cili i shprehu mirënjohjen Madhërisë së Tij Mbretit Abdullah II për dhënien e Urdhrit të Meritës të Shkallës së parë nga Mbreti Abdullah II bin Al Hussein, me rastin e kremtimeve për 80-vjetorin e Pavarësisë. Ai e falënderoi Madhërinë e Tij Mbretërore, Princin Ghazi bin Muhamed, për kujdesin e tij të veçantë kushtuar Shpellës dhe "Shtëpisë së Shpresës" për jetimët.

22 qershor 2026, 07:58