Kërko

Kard. Simoni viziton diasporën shqiptare në Britani

Hirësia Tij Ernest Simoni Troshani vazhdon misionin meshtarak në gjirin e shqiptarëve kudo që janë. Misioni i radhës që bën Kardinali Simoni Troshani është vizita pranë diasporës shqiptare në Britani të Madhe këtë fund jave që vjen.

R.SH. / Vatikan

Kardinali shqiptar, Hirësia Tij Ernest Simoni Troshani vazhdon misionin meshtarak në gjirin e shqiptarëve kudo që janë. Misioni i radhës që bën Kardinali Simoni Troshani është vizita pranë diasporës shqiptare në Britani të Madhe, këtë fund jave që vjen. Kardinali Simoni, martir i gjallë, i cili përveç peshës së viteve, ka mbi supe një histori të tërë persekutimesh e burgjesh komuniste në Shqipëri, dëshmitar i një jete që rrezaton dashurinë e Zotit ndaj popullit të dhe fenë e gjallë në Krishtin.

Sikur njofton Valentin Vuçaj, Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani do të vizitojë Britaninë e Madhe për herë të parë, duke kremtuar tri Meshë në gjuhën shqipe për shqiptarët e kësaj diaspore.

Vizita fillon të premten, 12 qershor, në orën 7 PM në Katedralen Katolike “Most Precious Blood”, Victoria Street, Londër, me Natën e Shna Ndout. Pas Meshës do të ketë mundësi bekim e përshëndetje personale me Kardinalin. Të shtunën, 13 qershor, në orën 2:30 PM, Kardinali Simoni do të kremtojë Meshën në Kishën “Our Lady of the Assumption”, Middleton, Manchester, për komunitetin shqiptar në veri të Anglisë. Vizita e Kardinalit Simoni përmbyllet të dielën, 14 qershor, në orën 4 PM, në Kishën “Holy Apostles”, Cumberland Street, Londër, ku do të ketë edhe një pritje pas Meshës.

Për shqiptarët katolikë në Britani kjo vizitë është një moment shpirtëror e kombëtar historik. Prania e një Kardinali shqiptar, me kremtimin e Meshëve në gjuhën shqipe në Britani e në zemër të Londrës është diçka që dhuratë e çmuar për shqiptarët.

11 qershor 2026, 09:09