Kisha shqiptare në MED26 në Barcelonë
R.SH. / Vatikan
Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, dhe Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj moren pjesë në Takimet Mesdhetare MED26, që u zhvillua në Barcelonë nga 6 deri më 13 qershor, së bashku me përfaqësues të Kishave nga vendet e rajonit mesdhetar.
Takimet, të organizuara nën moton “Alça la mirada” (“Ngrije shikimin”), u përqendruan në reflektimin mbi sfidat dhe shpresat e popujve të Mesdheut, duke trajtuar tema si paqja, dialogu, migracioni, bashkëjetesa ndërmjet kulturave dhe roli i Kishës katolike në shoqërinë e sotme.
Një nga momentet më të rëndësishme të këtyre ditëve ishte kremtimi i kryesuar nga Papa Leoni XIV në Bazilikën e Sagrada Familia, gjatë të cilit u përurua Kulla e Jezu Krishtit, duke shënuar përfundimin e një etape të rëndësishme në historinë e kësaj vepre monumentale të Antoni Gaudí-t.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kishës Katolike në Shqipëri e të Malit të Zi në MED26 dhe në kremtimet e zhvilluara në Barcelonë shpreh angazhimin e Kishave vendore në procesin e dialogut dhe bashkëpunimit mes popujve të Mesdheut, si dhe bashkimin me Atin e Shenjtë dhe Kishën universale në promovimin e paqes, solidaritetit dhe shpresës.
nga K.I.SH.