Ipeshkvi i Kanarieve: "Papa këtu, nder për një popull shpesh të braktisur"
R.SH. / Vatikan
Imzot José Mazuelos, Ipeshkvi i Ishujve Kanarie, emocionohet kur mendon se Leoni XIV është këtu nesër, më 11 qershor: Papa është në Gran Canaria, i pari në histori, që viziton një tokë të shndërruar në skenën e tragjedisë migratore e mori formë në "Rrugën Atlantike" famëkeqe! Por është edhe simbol i bujarisë dhe i mikpritjes së një populli, që i hap dyert dhe shtëpitë e tij. "Kurrë racizëm, kurrë përbuzje", thotë Ipeshkvi për mediat e Vatikanit, në pragun e vizitës papnore. "Është nder", thotë imzot Mazuelos. Nder për kaq shumë njerëz, që shpesh ndihen "të braktisur", veçanërisht nga institucionet.
Shkëlqesi, çfarë situate do të gjejë Papa Leoni XIV kur të mbërrijë në Las Palmas de Gran Canaria?
Mendoj se ai do të gjejë një pritje të jashtëzakonshme nga të gjithë njerëzit që e presin, veçanërisht pasi panë forcën e Madridit, forcën e mënyrës se si Ati i Shenjtë foli në Parlament. Pse? Sepse populli spanjoll është i lodhur, i lodhur nga një politikë polarizimi dhe ideologjish, e Papa u kërkoi atyre të lënë gjithçka mënjanë, mbasi realiteti është më i madh se ideologjitë e sesa polarizimi. E këtu, në veçanti, Ati i Shenjtë gjen një popull që ndonjëherë jeton në gjendje "dëshpërimi", mungesë shprese, sepse është braktisur nga politikanët për çështjen e migrimit, apo edhe në situatën e Hantavirusit, kur mbërritën anijet... Populli i Ishujve Kanarie është ndjerë disi i përbuzur nga politika. E kështu fakti që Papa po vjen, u jep atyre arsye. Një popull që ka demonstruar forcë të konsiderueshme etike, sepse ka kapërcyer të gjitha sfidat e migrimit. Migrimi ka qenë sfidë e jashtëzakonshme, e ndërmjet këtyre njerëzve nuk ka pasur kurrë racizëm, nuk ka pasur kurrë përbuzje, gjithmonë ka pasur mirëseardhje, shikim në sy të emigrantëve! E kjo është madhështia e Ishujve Kanarie. Këtë do të shohë Papa. Prandaj, besoj, për një tokë që shpesh ndihet e braktisur, periferike, e askush nuk e shikon këtë tokë, ata thonë: "Ah, Ishujt Kanarie, janë pak a shumë Afrikë". Tani që Papa po vjen këtu, është nder, është një nder, është një gëzim për këta njerëz. Edhe Kisha ndihet e dashur nga Ati i Shenjtë, mbasi e di se nuk është e braktisur, të paktën nga Kisha dhe Papa.
Duke folur për Kishën, me çfarë sfidash përballet ajo?
Sfidat janë dy: njëra është, pikërisht, çështja e migrimit; tjetra, shekullarizimi, sepse këtu është një popullsi rurale që e ka parë me shpejtësi të gjithë turizmin nga Evropa. Edhe të pasurit e rinj kanë lindur, sepse gjithçka mbërriti tejet shpejt, dhe të duket sikur njerëzit kanë humbur rrënjët e tyre. Por një gjë nuk ka humbur në këtë shekullarizim: përkushtimi ndaj Zojës sonë, zjarr që tani gjen forcë për të ungjillëzuar me Papën. Sot ka shumë për t'u ofruar të rinjve dhe familjeve; kanë nevojë të shohin një dritë. Kjo është arsyeja pse tema "Ngrini sytë tuaj" është e rëndësishme. Shpresojmë se Papa do të na japë forcë për të qenë Kishë me dyer të hapura, dritë e ndezur, që flet për mëshirë.
Një nga vendet më simbolike të vizitës së Papës do të jetë Arguineguín, i quajtur për vite me radhë "el muelle de la vergüenza", "skela e turpit", për shkak të kushteve të pasigurta dhe të mbipopulluara me të cilat përballen mijëra emigrantë. Çfarë lloj porti është Arguineguín sot?
Unë them se porti i turpit është bërë porti i shpresës, "skela e shpresës". Papa do të gjejë shpresë atje; do të gjejë emigrantët që u mirëpritën nga Caritasi, të cilët mbërritën në anije dhe tani janë integruar. Shumë latino-amerikanë gjithashtu, sepse ka shumë migrim këtu nga Venezuela dhe nga Kuba, me të cilat Ishujt Kanarie kanë marrëdhënie të veçantë. Shumë venezuelianë që u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, erdhën këtu, e edhe ata do ta ndajnë përvojën e tyre të mirëseardhjes dhe të integrimit me Papën. Ata, që unë i quaj "engjëj të emigrantëve" do të japin gjithashtu dëshminë e tyre: peshkatarët, të parët që shkojnë të kërkojnë emigrantë, të cilët i shpëtojnë në det. E pastaj Policia Kombëtare, Garda Civile, Cruz Roja. Ka vërtet humanizëm të madh këtu; njerëzit janë të larmishëm, kanë humanitet të denjë për t’u njohur.
Papa Françesku - i cili kishte shprehur dëshirën e tij për të qenë këtu në Ishujt Kanarie pas Lampeduzës dhe Lesbosit - propozoi katër folje për të adresuar sfidën e migracionit: "Promovoni, mbroni, mirëpritni, integroni". Papa Leoni e përsëriti këtë ftesë. A mund të themi se ky rekomandim papnor është zbatuar në Ishujt Kanarie?
Po, është zbatuar. Ose më saktë, përpiqemi t'i bëjmë këto katër fjalë realitet. E kjo është dëshmia që do të japin migrantët, që mbërritën me anije, që u mirëpritën dhe që kanë përfunduar procesin e integrimit. Këto janë përvoja të fuqishme; unë gjithmonë i nxis migrantët të "tregojnë fytyrat e tyre", sepse ata kanë një jetë, një histori e shumë vuajtje. Kur flet me ta, prekesh. Pse? Sepse dashuria për personin njerëzor, për dinjitetin e qenies njerëzore, është tejet e bukur.
Por cila është situata e migracionit sot? A ka kontroll më të madh mbi flukset dhe mbërritjet?
Po, fluksi është më i ulët tani, sepse ka një lloj kontrolli më të fortë në vendet e origjinës. E di se kjo ndodh, për shembull në Mauritani, Mali ose Senegal, ku situata është e vështirë. Njerëzit vazhdojnë të mbërrijnë, pak më pak tani për tani, por është e përkohshme. Nuk e di se si do të jetë situata nesër, sepse migrantët nuk janë larguar; janë në kampe refugjatësh. Pra, kur munden, vijnë.