Kërko

Shtëllunga tymi në qiellin sipër Rripit të Gazës pas sulmeve izraelite (ANSA) Shtëllunga tymi në qiellin sipër Rripit të Gazës pas sulmeve izraelite (ANSA)

Gjenevë: Deklaratë e përbashkët kundër përdorimit të Inteligjencës Artificiale në luftë

Këshilli Botëror i Kishave është një nga 226 nënshkruesit e një dokumenti që u bën thirrje ndërmarrjeve të fushës së Inteligjencës Artificiale dhe shteteve të "ndalojnë furnizimin" me sisteme të IA për përdorim në "fushat e betejës" dhe "të marrin të gjitha masat e nevojshme" për të shmangur shkeljet e ligjeve ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut.

Vatican News

Lufta e "përshpejtuar" nga inteligjenca artificiale (IA) po bëhet "një mjet për të autorizuar vrasje të shpejta dhe në shkallë të gjerë", ndërkohë që tanipërtani nuk ka "zgjidhje teknike ose procedurale për të parandaluar pasojat vdekjeprurëse dhe shkatërruese" që rrjedhin nga sfidat që këto ndryshime paraqesin për ligjin ndërkombëtar. Në dritën e kësaj gjendjeje shqetësuese, Këshilli Botëror i Kishave (WCC), së bashku me 225 organizata joqeveritare, shoqata, ekspertë dhe individë të tjerë që punojnë në ndërmarrjet e Inteligjencës Artificiale, nënshkruan një deklaratë të përbashkët kundër përdorimit të IA-së në luftë.

Takimi i OKB-së në Gjenevë

Dokumenti u bën thirrje në mënyrë të qartë ndërmarrjeve që merren me zhvillimin e IA-së dhe kërkon që këto ta "ndërpresin furnizimin" e sistemeve të inteligjencës artificiale për përdorim në "zinxhirin e luftimeve" dhe "të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që sistemet e Inteligjencës Artificiale që ato shesin nuk shkaktojnë ose kontribuojnë për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut".

Rasti për nënshkrimin e kësaj deklarate të përbashkët është takimi që po zhvillohet në Gjenevë nga 15 deri më 17 qershor, i organizuar nga Zyra e OKB-së për Çështjet e Çarmatimit, mbi temën e IA-së në fushën ushtarake dhe rrjedhojat e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kjo është një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare, që vjen vetëm disa javë pas thirrjes së Papa Leonit XIV për të "çarmatosur IA-në" në enciklikën «Magnifica Humanitas».

Rreziku i "hollimit" të përgjegjësisë njerëzore

Të gjitha sipërmarrjet, thuhet në deklaratën e përbashkët, përfshirë ato që lidhin kontrata me agjencitë ushtarake qeveritare, "duhet të marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar që produktet dhe shërbimet e tyre nuk shkaktojnë, kontribuojnë ose lidhen drejtpërdrejt me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet ndërkombëtare". Dhe "kur kompanitë nuk janë në gjendje të parandalojnë ose të zbutin ndjeshëm rreziqe të tilla, ato nuk duhet të lidhin kontrata të tilla".

Sipas raporteve të ndryshme mediatike dhe deklaratave zyrtare të Pentagonit, deklarata thotë se "gjenerimi i shpejtë i objektivave duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale ka rritur shpejtësinë, fushën e veprimit, dendësinë dhe forcën shkatërruese të sulmeve amerikane kundër Iranit". Vlerësime të ngjashme mund të bëhen edhe në lidhje me sistemet e përdorura nga ushtria izraelite. Të gjitha këto sisteme e zbehin "përgjegjësinë njerëzore kur merren vendime për jetën apo vdekjen" dhe "mund të ndihmojnë në fshehjen e krimeve ndërkombëtare që bëhen të padukshme pas një algoritmi, duke shmangur llogaridhënien".

Një prirje çnjerëzore

"Aplikimet në botën reale tregojnë se IA po i thjeshtëson në fakt metodat më të dhunshme, më çnjerëzore dhe më shkatërrimtare të luftës", denoncojnë 226 nënshkruesit e deklaratës, ku përfshihet edhe «Amnesty International», si dhe organizata që punojnë kundër riarmatimit.

«Në veçanti, ne jemi thellësisht të shqetësuar se përdorimi i modeleve të luftimit me rreze të gjatë (LLM) për gjenerimin dhe për caktimin e përparësive të objektivave po i shtyn ushtritë drejt një lloj lufte ku parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare – përfshirë parimin e diferencimit, të përpjestimit dhe të masës paraprake – nuk respektohen. Duke pasur parasysh shpejtësinë dhe shtrirjen e këtyre teknologjive, si dhe mosbesueshmërinë, paragjykimin dhe origjinën shpesh të paligjshme të të dhënave që i ushqejnë këto sisteme, ne vërejmë se këto dinamika rrezikojnë t’i thjeshtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës. Për më tepër, natyra e errët e këtyre mjeteve kompromenton seriozisht mundësinë për të caktuar përgjegjësi morale ose ligjore në rast gabimesh.» – thuhet në deklaratë.

Kontroll efektiv njerëzor

Sipas nënshkruesve të deklaratës, "edhe kur sistemet e IA-së të përdorura për shënjestrim nuk marrin vendimin përfundimtar për të vrarë, ato rrezikojnë të bëhen mekanizma automatikë miratimi për vrasje në shkallë të gjerë, pasi ato u drejtohen nocioneve të rreme të objektivitetit dhe mund të zëvendësojnë vënien përballë përgjegjësisë dhe kujdesin e duhur, të cilat, në fund fare pastaj mund të kontribuojnë në përshpejtimin dhe lehtësimin e vrasjeve masive".

Për më tepër, këto sisteme automatizojnë dehumanizimin, "duke i reduktuar çështjet e jetës dhe vdekjes si të ishin një pyetje e thjeshtë. Vendimi për të vrarë një qenie tjetër njerëzore", theksojnë ata, "mbart një peshë të madhe morale dhe ligjore dhe nuk duhet t'i delegohet kurrë pranimit ose refuzimit të thjeshtë të rekomandimeve të sistemeve të IA-së. Kur ushtritë mbështeten në IA-në për të përshpejtuar identifikimin e objektivit me një shpejtësi dhe standardizim të tillë sa çdo shqyrtim njerëzor rrezikon të bëhet një formalitet i thjeshtë pa mbikëqyrje nga ana e njeriut, atëherë mund të ndodhin masakra, duke e shkelur edhe të drejtën ndërkombëtare humanitare".

Dhënie llogarie dhe transparencë më e madhe

Deklarata e nënshkruar në Gjenevë u bën thirrje në mënyrë të qartë sipërmarrjeve të kësaj fushe të "mos lidhin e të mos zbatojnë kontrata me agjenci ushtarake apo grupe të armatosura që shkelin të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe bëjnë krime".

Përkundrazi, shteteve u kërkohet të “ndalojnë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale – përfshirë modelet gjuhësore në shkallë të gjerë – për kryerjen e operacioneve ushtarake të caktimit të objektivave dhe të sigurojnë pajtueshmërinë me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare; të së drejtës ndërkombëtare; të të drejtave të njeriut” si edhe të “sigurojnë transparencë mbi mënyrën si po përdoret inteligjenca artificiale në veprimet luftarake”.

16 qershor 2026, 20:22