Patriarku latin i Jeruzalemit Pizzaballa dhe patriarku ortodoks grek Teofili III priten nga fëmijët e Gazës (foto: Lpj) Patriarku latin i Jeruzalemit Pizzaballa dhe patriarku ortodoks grek Teofili III priten nga fëmijët e Gazës (foto: Lpj)

Gaza, vizitë e re pastorale nga Pizzaballa dhe Teofili III

Mes rrënojave dhe vuajtjeve të popullsisë së shkatërruar nga lufta, Patriarku Latin i Jerusalemit Pizzaballa dhe Patriarku Ortodoks Grek Teofili nisën takimet me klerin, bashkësitë fetare, familjet e krishtera vendase dhe ata që u prekën nga kriza humanitare. Besimtarët e Familjes së Shenjtë, famullisë së vetme latine të qytetit, gëzohen. dy patriarkët u bënë thirrje udhëheqësve botërorë t'i japin fund luftës dhe të nisin rrugën e shërimit e të pajtimit për mbarë Tokën Shenjte.

Vatican News

Një vizitë baritore që synon shërimin e plagëve të mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të ligshtuar nga mizoritë e luftës. Vizita filloi më 22 qershor, kur Teofili III, Patriarku Ortodoks Grek i Jerusalemit, dhe Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, mbërritën mes rrënojave dhe vuajtjeve të Gazës. U shoqëruan nga Josef Blotz, Spitalori i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, dhe disa përfaqësues të Mateser International, organizatës humanitare të Urdhrit të Maltës që vepron në zona të shumta të botës.

Afërsia baritore

"Vizita shpreh përgjegjësinë baritore të Kishave të Jeruzalemit ndaj Kishave lokale dhe mbarë popullsisë së Gazës, ku familjet vazhdojnë të durojnë vuajtje të rënda humanitare, frikë, humbje, pasiguri", shkroi Patriarkana Latine e Jeruzalemit në një deklaratë. Në njoftim theksoi edhe vlerën themelore të lutjes në një botë të mjeruar nga vuajtjet, që duket se shkatërrojnë çdo shpresë: "Prania e Fortlumturisë së Tij, Patriarkut Teofili III dhe Fortlumturisë së Tij, Kardinalit Pizzaballa çojnë lutjen e Jerusalemit tek besimtarët e plagosur të Gazës dhe tek të gjithë ata që vuajnë, në një shërbesë ngushëllimi, mëshire dhe dëshmie të palëkundur të krishterë, të rrënjosur në Ungjill dhe thirrjen e shenjtë të Qytetit Shenjt".

 Shpresë e ripërtërirë

Sipas programit zyrtar, kardinali Pizzaballa dhe patriarku Teofili III takojnë me klerin, komunitetet fetare, familjet e krishtera lokale, dhe ata që janë të prekur nga kriza e vazhdueshme humanitare. Përmes lutjes dhe kujdesit baritor, ofrojnë forcë shpirtërore, ngushëllim dhe shpresë të ripërtërirë për të gjithë. Por jo vetëm kaq: synojnë gjithashtu të riafirmojnë angazhimin e Kishave për kujdesin shëndetësor, përpjekjet e ndihmës dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Duartrokitje dhe britma gëzimi

Sapo arritën në hyrjen e Kishës latine të famullisë, kushtuar Familjes  Shenjte, Kardinali Pizzaballa dhe Patriarku Ortodoks Grek Theofili III u pritën me duartrokitje nga besimtarët dhe me britma gëzimi nga fëmijët. Pas një përshëndetjeje fillestare dhe një lutjeje të udhëhequr nga famullitari, Atë Gabriel Romanelli, Patriarku Latin i Jeruzalemit shprehu gëzimin e tij që mundi të shikonte në sy jo vetëm famullitarët dhe ata që jetonin përreth ndërtesës fetare, por edhe të gjithë banorëve të atij qyteti që po vuan. Situata është e vështirë, shtoi Kardinali Pizzaballa, por prania e përfaqësuesve të Kishës tregon shqetësimin për Gazën, që mbetet përparësi.

Vëmendje e vazhdueshme

Kardinali Pizzaballa e kishte vizituar popullin e Gazës edhe më 19 dhjetor 2025, ndërsa më 21 të të njëjtit muaj, e pati kremtuar Meshën e Krishtlindjes në famullinë e Familjes Shenjte, i ndjekur nga një turmë e madhe e prekëse besimtarësh e qytetarësh. Ishte momenti pas sulmit izraelit që goditi famullinë e Familjes  Shenjte më 17 korrik të vitit të kaluar, duke shkaktuar tri vdekje dhe 11 plagosje. Prej këndej, Kardinali Pizzaballa dhe Patriarku Teofili III vendosën të udhëtonin së bashku në Gaza për të shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe për t'u takuar me të zhvendosurit. Gjatë kësaj vizite - e konsideruar historike sepse ishte vizita e parë ekumenike gjatë kohës së luftës - dy patriarkët u bënë thirrje udhëheqësve botërorë t'i japin fund luftës dhe të nisin rrugën e shërimit e të pajtimit për mbarë Tokën Shenjte.

23 qershor 2026, 09:48