Fjala e Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Vatican News
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Fjala e Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘A’
Me të dielën e XII gjatë vitit liturgjik ‘A’ vazhdojmë me leximin e Ungjillit sipas Mateut, duke hyrë në kapitullin e dhjetë, ku Jezusi u drejtohet dishepujve të tij para se t’i dërgojë në mision. Është një nga fjalimet më domethënëse të Jezusit, sepse nuk u drejtohet vetëm Dymbëdhjetë Apostujve të asaj kohe, por çdo njeriu që, në çdo epokë, thirret të dëshmojë Ungjillin. Në këto fjalë pasqyrohet përvoja e apostujve të parë, të dërguar mes popullit të Izraelit, por edhe ajo e bashkësive të para të krishtera, të cilat në fund të shekullit të parë u përballën me kundërshtime, përndjekje dhe sprova për shkak të fesë së tyre.
Para se t’i nisë në rrugë, Jezusi i përgatit dishepujt për realitetin që i pret. Ai u beson misionin për të shpallur Lajmin e Mirë, por nuk u premton një rrugë të lehtë. Përkundrazi, i paralajmëron se do të hasin refuzim, keqkuptim e madje edhe përndjekje. Dishepulli, thotë Jezusi, nuk është më i madh se mësuesi i tij. Nëse vetë Ai u kundërshtua dhe u përçmua, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ata që ndjekin gjurmët e tij.
Megjithatë, mes këtyre paralajmërimeve, Ungjilli sjell një mesazh të fuqishëm shprese: “Mos kini frikë”. Kjo thirrje përsëritet disa herë dhe bëhet zemra e gjithë fragmentit ungjillor. Jezusi i fton dishepujt të mos e lënë veten të pushtohen nga frika e njerëzve apo e vështirësive, sepse jeta e tyre është në duart e Hyjit, i cili njeh dhe kujdeset për secilin me dashuri atërore.
Të njëjtën përvojë e gjejmë edhe në leximin e parë, ku profeti Jeremia përballet me tallje, armiqësi dhe kërcënime. Ai ndihet i vetmuar dhe i sulmuar nga të gjitha anët, por nuk dorëzohet. Forca e tij buron nga besimi i palëkundur se Zoti është pranë tij dhe nuk e braktis. Pikërisht për këtë arsye Jeremia bëhet një pararendës i Krishtit dhe një shembull për çdo besimtar që thirret të dëshmojë të vërtetën në rrethana të vështira.
Mesazhi i kësaj të diele është i qartë: jeta e krishterë nuk është e lirë nga sprovat, por asnjë sprovë nuk mund ta mposhtë atë që mbështetet te Zoti. Historia e Kishës e dëshmon këtë. Që nga martirët e parë e deri te dëshmitarët e sotëm të fesë, shumë të krishterë kanë përballuar kundërshtime e sakrifica, duke gjetur forcë në sigurinë se Krishti i ngjallur ecën me ta.
Në fund, Jezusi jep një premtim që mbetet burim ngushëllimi dhe shprese për çdo besimtar: ai që e dëshmon Krishtin para njerëzve, do të njihet prej Tij para Atit qiellor. Kjo është siguria që i jep kuptim çdo sakrifice dhe që fton të krishterët e çdo kohe të jetojnë fenë e tyre me guxim, pa frikë dhe me besim të plotë në dashurinë e Zotit.
Liturgjia e Fjalës
Leximi parë: Jer 20,10-13.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Tha Jeremia: I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’ Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet! O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorën tënde e lashë çështjen time! Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve. Fjala e Zotit!
Psalmi 69
Ref: Më dëgjo, o Zot, në dashurinë tënde të madhe.
—————————————————
E ndëshkova veten me agjërim,
por kjo m’u kthye në çnderim;
për petk vesha grathoren,
përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë,
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
——————————————————
E pra, unë ty të lutem, o Zot,
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde,
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt,
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
———————————————————
Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Le ta lavdërojnë qielli e toka,
detet dhe gjithçka lëviz në to.
—————————————————
Leximi dytë: Rom 5, 12-15
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte që prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte. Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. Fjala e Zotit.
Aleluja!
Shpirti I së Vërtetës do të dëshmojë për mua, Por edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Krishti.
Aleluja!
Ungjilli Mt 10, 26-33.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënëseve të vet: Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta
vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”
“Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XII GJATË VITIT: MOS UA KINI FRIKËN NJERËZVE!
(Jer 20, 10-13; Ps 69 (68); Rom 5, 12-15; Mt 10, 26-33)
Në leximet e sotme flitet për forcën shpirtërore që besimtari është i ftuar ta ketë në jetë. Në leximin e parë është Jeremia profet ai që, përballë atyre që po thurnin plane shumë dashakeqe ndaj tij, thoshte plot guxim: «Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngallënjejnë.» Janë fjalë që tregojnë se nga ku e merrte kurajon ky njeri i cili dukej sikur ishte i vetëm përballë një turme që, me plot ligësi, ishte vërsulur kundër tij. E profeti e përfundon me këto fjalë plot shpresë monologun e tij: «Këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin, që e liroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve!»
Psalmisti, në psalmin që dëgjuam sot, përshkruan një situatë shumë të ngjashme ankthi e poshtërimi nga ana e keqbërësve, por e gjen forcën që t’i ngrejë sytë e shpirtit të vet drejt Hyjit e zemra e tij e gjen ngushëllimin e kërkuar. Prandaj thotë me plot ëmbëlsi: «Kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet!»
Jezusi, në pjesën e sotme ungjillore i porosit disa herë nxënësit e Tij që të mos kenë frikë e kjo porosi e Jezusit (mos kini frikë) përsëritet shumë herë në Ungjill.
Por duhet të shpjegojmë diçka me shumë rëndësi: tjetër gjë është frika e tjetër gjë është maturia, kujdesi. Kujdesi është i nevojshëm në jetën e përditshme. Të kesh frikë se mundet të të kafshojë një qen, nuk quhet panik, por maturi. Nuk është kjo ajo lloj frike për të cilën Jezusi thotë që të mos e kemi. Jezusi në Ungjillin e sotëm është duke i përgatitur nxënësit e Tij për një mision konkret: dëshiron t’u japë zemër para se t’i dërgojë nëpër botë që ta shpallin Fjalën e tij. Prandaj u thotë: «Çka ju them në errësirë, thoni në dritë e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!» Pra dëshiron që apostujt të mos ndalen nga asgjë në predikimin e Ungjillit. Duhet të bëhen të fortë përballë kundërshtisë së botës. Nuk duhet të përshtaten gjithnjë me parimet e botës, sepse ka momente kur risia e Ungjillit duhet shpallur patjetër, kur vihet re se shoqëria po shkon larg Hyjit. Është e vërtetë se nuk do ta kenë të lehtë të përballen me kundërshtimin e botës, por nuk duhet të ndalen nga frika.
E, të mos kesh frikë, nuk do të thotë as të mos dridhesh e përpëlitesh pak (e nganjëherë edhe shumë) brenda teje. Një shkrimtar francez i thoshte vetes: «A je duke u dridhur, o skelet i vjetër? Do të dridheshe edhe më shumë sikur ta dije se ku jam duke të çuar.» Pra, kur Jezusi thotë të mos kemi frikë, thotë thjesht që të mos e lejojmë veten të komandohemi nga frika, por ta komandojmë ne atë.
Përballja më e rëndë me frikën është atëherë kur dikush të kërcënon me jetë: por as atëherë nuk duhet ta fshehim besimin tonë: «Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund të vrasin shpirtin! Kini më tepër frikë nga Ai që mund t’jua humbë në Ferr shpirtin edhe trupin!» Martirët e lavdishëm patjetër i kanë pasur ndër mend këto fjalë të Krishtit përballë tmerreve të ekzekutuesve të tyre: «Ju mund të na vrisni, por jo të na shkatërroni.», u thoshte në shekullin e dytë Shën Justini atyre që po e vrisnin e, edhe sot, në shumë anë të botës janë të shumtë të krishterët që e shfaqin një bindje të tillë feje, duke treguar se kanë frikë më fort Hyjin se sa njerëzit.
«Kini më tepër frikë nga Ai që mund t’jua humbë në Ferr shpirtin edhe trupin.», thotë Jezusi. Kjo do të thotë se qenka një lloj tjetër frike ajo që na u dashka ta përvetësojmë. Ata që janë krezmuar, duhet ta kujtojnë se, gjatë katekizmit, katekistët e tyre duhet t’u kenë folur për shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt. E shtatta dhuratë është ajo e Frikës së Hyjit, e cila nuk duhet kuptuar si “tmerri” përballë Hyjit. Fjala frikë këtu duhet kuptuar si respekt, si druatje se mos e fyejmë dashurinë e Tij të pamasë. Është e ngjashme me frikën që kemi përballë një miku të mirë. Jo se kemi ndonjë frikë se miku do të na bëjë ndonjë të keqe, nëse bëjmë diçka që nuk i pëlqen atij, por kemi frikë se mos e lëndojmë me sjelljen tonë. Prandaj i shmangim rastet kur mund ta fyejmë atë. Kjo lloj frike ndaj Hyjit, pra, është frika më e madhe në të cilën duhet ta kalisim shpirtin tonë e jo frika ndaj njerëzve.
Shpeshherë, nga frika se si mund të na shohin njerëzit, tkurremi e rezervohemi. Nuk kemi guximin të vazhdojmë ta tregojmë haptas se besojmë te fjala e Krishtit. Shpeshherë, përballë një shoqërie që duket sikur e ka humbur respektin ndaj Hyjit, ndaj Kishës si dhe ndjenjën e kërkimit të vullnesës së Hyjit, mund të tundohemi ta ulim nivelin e kërkesës ungjillore e t’i përshtatemi botës. Kemi dëshirë të dukemi pak si “të modës”, por kjo është e gabuar. Bota, pikërisht ngaqë mendon ashtu, ka edhe më tepër nevojë për Krishtin. Kuptohet se, siç thoshte Shën Leonardo Murialdo, «duhet ta bëjmë mirë të mirën», që do të thotë se lypset një farë takti e një farë gjykimi i shëndoshë që na mundëson ta kuptojmë kur është më e përshtatshme të “ndërhyjmë” e kur jo, por kjo nuk do të thotë që të heshtim gjithnjë. Ka raste kur duhet të mos kemi frikë se do të krijojmë “armiq”.
Pastaj ka edhe diçka tjetër: frika, sa më shumë që të lihet e lirë brenda nesh, aq më shumë i zgjeron rrënjët e veta. Është si puna e asaj fabulës së gramit dhe vreshtit, ku thuhet se grami i vogël i tha vreshtit: «Më lejo t’i ngul pak rrënjët e mia këtu në qoshe të kësaj are!» Vreshti ia lejoi por, shumë pak kohë më vonë, grami u përhap aq shumë, saqë ia mori tërë ushqimin e energjinë vreshtit të madh. Nuk kaloi shumë kohë e vreshti i madh u tha i gjithi.
Frika gjithnjë fillon me një mosbesim në fjalën e Hyjit, me një mosbesim të prania e Tij në jetën tonë, me një mosbesim te Provania e Tij. E kemi të vështirë të themi si Jeremia profet: «Me mua është Zoti, si trimi i trimave.» Për këtë arsye, për të na mësuar që ta mposhtim këtë lloj frike, Jezusi sot në Ungjill na sjell shembuj sa të thjeshtë aq edhe të ëmbël: «A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura. Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë.»
Po e lejuam tepër frikën të na kushtëzojë në zgjedhjet e vogla, ajo s’do të vonojë të na kushtëzojë edhe në zgjedhjet e mëdha. Frika shpesh i bën shumë njerëz të bëjnë mëkate mortare. Frika madje i bën të zgjedhin edhe një jetë mëkatare. Frika i bën të tjetërsohen pak nga pak e të humbasin vetveten. Frika i bën ta humbin thirrjen për jetën e kushtuar tek ata që e kanë. Frika i bën disa që t’i bien mohit haptas fesë.
Secili ka llojin e frikës së vet, por efekti është i njëjtë: mohimi i fesë. Por fjala e Jezusit sot në Ungjill është e thënë pa nënkuptime: «Kushdo pranon para njerëzve se është i imi, edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.» Do të donim një Jezus që i mbyll sytë përballë çdo lloj brishtësie tonë, por nuk është ashtu: ka brishtësi të cilat, nën formën e frikës, i lejojmë vetë të zhvillohen në ne, ngaqë nuk besojmë edhe aq tek Provania e Zotit, as tek risia e Ungjillit të Krishtit e as tek jeta përtej vdekjes.
Pastaj, edhe kërkimet e fundit të psikologjisë, dalin në përfundimin se «frika është, në fund të fundit, një zgjedhje e vetë njeriut». Kështu, pra, Jezusi na fton që të matemi mirë kur «zgjedhim» që të kemi frikë.