2026.06.03 Ich verstehe Ihren Unmut

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ndihma e Kishës për njeriun bashkëkohor

Shpresa e Ungjillit i nxit të krishterët të luftojnë “kundër sunduesve të kësaj bote të errët” (Ef 6, 12), duke e shprehur atë edhe në strukturat e jetës shekullare. Motivimet fetare të këtij angazhimi mund të mos bashkëndahen, por bindjet morale, që rrjedhin prej tyre përbëjnë një pikë takimi mes të krishterëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë

R.SH. – Vatikan

Cikli ynë mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës po shkon drejt përfundimit. Sot, do t’i përgjigjemi pyetjes: pse nevojitet kjo Doktrinë? Pse është e rëndësishme që Kisha Katolike ta thotë fjalën e vet në fushën shoqërore? Në shoqërinë bashkëkohore ndihet një nevojë e re per kuptim: “Njeriu dëshiron gjithmonë të dijë, edhe vagëllimthi, cila është domethënia e jetës, e punës dhe e vdekjes së vet” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 41). Por, përpjekjet për ta projektuar të ardhmen në kontekstin e ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, gjithnjë e më të ndërlikuara dhe më të ndërvarura, por edhe gjithnjë e më pak të orientuara drejt rendit dhe paqes, përbajnë në vetvete rreziqe më të mëdha se në të kaluarën. Jeta dhe vdekja e njerëzve duket se i është besuar vetëm përparimit shkencor dhe teknologjik, i cili ecën shumë më shpejt se aftësia njerëzore për t’ia përcaktuar qëllimet dhe për t’ia vlerësuar kostot. 

Pikërisht, pikëpyetjeve themelore mbi domethënien dhe qëllimin e aventurës njerëzore u përgjigjet Kisha me kumtimin e Ungjillit të Krishtit, që e shpëton dinjitetin e njeriut nga opinionet e luhatshme, duke i siguruar lirinë si asnjë ligj tjetër. Koncili II i Vatikanit tregoi se misioni i Kishës në botën bashkëkohore ka të bëjë me ndihmesën e çdo qenieje njerëzore për të zbuluar në Hyjin domethënien e fundit të ekzistencës së vet: Kisha e di mirë se “vetëm Hyji, të cilit ajo i shërben, u përgjigjet dëshirave më të thella të zemrës së njeriut, që kurrë nuk mund të plotësohen krejtësisht nga buka tokësore” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 41). Vetëm Hyji, i cili e ka krijuar njeriun në shëmbëlltyrë të Vet dhe e ka shëlbuar nga mëkati, mund t’u ofrojë pyetjeve më rrënjësore njerëzore një përgjigje të plotë, nëpërmjet Zbulesës së Birit të Tij bërë njeri.

Të rifillojmë nga feja në Krishtin

Feja në Hyjin dhe në Jezu Krishtin shndrit parimet morale, që janë “themeli i vetëm dhe i pazëvendësueshëm i asaj qëndrueshmërie dhe qetësie, i atij rendi të brendshëm dhe të jashtëm, privat dhe publik, që mund të përftojë dhe të mbrojë përparimin e Shteteve” (Piu XII, enc. Summi Pontificatus, 425). Jeta shoqërore duhet lidhur ngushtësisht me planin hyjnor: “Përmasa teologjike rezulton e nevojshme si për të interpretuar, ashtu edhe për të zgjidhur problemet aktuale të bashkëjetesës njerëzore”, shkruante Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën Centesimus annus(55). Përballë formave të rënda të shfrytëzimit dhe të padrejtësisë shoqërore “bëhet gjithnjë e më e mprehtë nevoja e një ripërtëritjeje rrënjësore vetjake dhe shoqërore, në gjendje të sigurojë drejtësi, solidaritet, ndershmëri, transparencë. Sigurisht, rruga që duhet bërë është e gjatë dhe e lodhshme; të shumta dhe shumë të mëdha janë përpjekjet për një ripërtëritje të tillë, edhe për seriozitetin e shkaqeve, që ushqejnë padrejtësitë sot në botë. Por, ashtu siç na mëson historia dhe përvoja, nuk është e vështirë të gjesh në këto padrejtësi shkaqe vërtet “kulturore”, domethënë, të lidhura me vizione të caktuara për njeriun, shoqërinë dhe botën. Në realitet, në zemër të çështjes kulturore është ndjenja morale, që nga ana e vet themelohet dhe përmbushet në ndjenjën fetare” (Gjon Pali II, enc. Veritatis splendor, 98). Edhe për sa i përket “çështjes shoqërore”, nuk mund të pranohet “perspektiva naive që, përballë sfidave të mëdha të kohës sonë, të gjendet ndonjë formulë magjike. Jo, nuk do të na shpëtojë një formulë, por një Person, një Vetje dhe siguria që Ai na jep: Unë jam me ju! Nuk bëhet fjalë, atëherë, për të sajuar një “program të ri”. Programin e kemi: është ai i përhershmi, i përmbledhur nga Ungjilli dhe nga Tradita e gjallë. Ai e ka qendrën, në analizë të fundit, në vetë Krishtin, i cili duhet të njihet, të duhet, të imitohet, për të jetuar në Të jetën trinitare dhe për ta shndërruar bashkë me Të historinë deri në përmbushjen e saj në Jerusalemin qiellor” (Gjon Pali II, Let. ap. Novo millennio ineunte, 29).

Një shpresë e palëkundur

Kisha i mëson njeriut se Hyji i ofron mundësinë reale për të kapërcyer të keqen dhe për të arritur të mirën. Zoti e ka shëlbuar njeriun, e ka shpërblyer “me çmim të lartë” (1 Kor 6, 20). Domethënia dhe themeli i angazhimit të krishterë në botë rrjedh nga kjo siguri, në gjendje të ndezë shpresën, me gjithë mëkatin që shënon thellësisht historinë njerëzore: premtimi hyjnor garanton se bota nuk qëndron e mbyllur në vetvete, por është e hapur ndaj Mbretërisë së Hyjit. Kisha i njeh pasojat e “misterit të paudhësisë” (2 Sel 2, 7), por e di edhe se «personi njerëzor ka cilësi dhe energji të mjaftueshme, ka një “mirësi” bazë (krh. Zan 1, 31), sepse është shëmbëlltyrë e Krijuesit, nën ndikimin shëlbues të Krishtit, “që është bashkuar në njëfarë mënyre me çdo njeri”, dhe sepse veprimi i frytshëm i Shpirtit Shenjt “e mbush gjithësinë” (Ur 1, 7)» (Gjon Pali II, enc. Sollicitudo rei socialis, 47).

Shpresa e krishterë ngjall impenjim të madh në fushën shoqërore, duke përhapur besimin në mundësinë e ndërtimit të një bote më të mirë. Të krishterët, sidomos besimtarët laikë, ftohen të sillen në atë mënyrë që “forca e Ungjillit të shkëlqejë në jetën e tyre të përditshme, familjare dhe shoqërore. Ata tregohen bij të premtimit nëse, të fortë në fe dhe në shpresë, përfitojnë prej kohës së tanishme (shih Ef 5, 16; Kol 4, 5) dhe presin me ngulmim lavdinë e ardhshme (shih Rom 8, 25). Pa e fshehur këtë shpresë në thellësinë e shpirtit të tyre, por duke bërë vazhdimisht kthesë kah Ungjilli e duke luftuar “kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqinj të hapësirës qiellore” (Ef 6, 12) ta shprehin atë edhe në strukturat e jetës shekullare”: kjo është detyra, që u jep Koncili II i Vatikanit (Kusht. dogm. Lumen gentium, 35). Motivimet fetare të këtij angazhimi mund të mos bashkëndahen, por bindjet morale, që rrjedhin prej tyre përbëjnë një pikë takimi mes të krishterëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë.

04 qershor 2026, 09:27