Çelësi i fjalëve të Kishës: qytetërimi i dashurisë
R.SH. - Vatikan
Pikësynimi i Doktrinës Shoqërore të Kishës është të propozojë parime dhe vlera, që mund të ndërtojnë një shoqëri të denjë për njeriun. Ndërmjet tyre, ai i solidaritetit, në njëfarë mase, përfshin të gjitha parimet e tjera: përbën “njërin prej parimeve bazë për konceptimin e krishterë të angazhimit shoqëror dhe politik” (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 10).
Dashuria është forca e vetme drejt përsosmërisë
Ky parim shndritet nga përparësia e dashurisë, “që është shenja dalluese e dishepullit të Krishtit” (shih Gjn 13, 35) e pikërisht kësaj përparësie ia kushtojmë emisionin e sotëm, duke kujtuar se Kisha flet gjithmonë për “qytetërimin e dashurisë”. Por ç’do të thotë kjo, sipas Doktrinës Shoqërore të saj? Jezu Krishti “na mëson se ligji themelor i përsosmërisë njerëzore e pra, edhe i shndërrimit të botës, është urdhërimi i ri i dashurisë” (shih Mt 22, 40; Gjn 15, 12; Kol 3, 14; Jak 2, 8). Sjellja e secilit është plotësisht njerëzore kur lind nga dashuria, shpreh dashuri dhe është e orientuar nga dashuria. Kjo e vërtetë vlen edhe në rrethin shoqëror: duhet që të krishterët të jenë dëshmitarë thellësisht të bindur dhe të dinë të dëshmojnë, me jetën e tyre, se dashuria është forca e vetme (shih 1 Kor 12, 31-14, 1), që mund të na udhëheqë drejt përsosmërisë vetjake dhe shoqërore, si edhe ta çojë historinë drejt së mirës.
“Dashuria shoqërore”
Dashuria duhet të jetë e pranishme dhe të depërtojë në të gjitha marrëdhëniet shoqërore, siç pohohet në Katekizmin e Kishës Katolike (1889). Sidomos ata, që e kanë për detyrë të kujdesen për të mirën e popujve, “ta ushqejnë në vetvete dhe ta ngjallin tek të tjerët, tek të rriturit dhe tek të vegjlit, dashurinë, zonjën dhe mbretëreshën e të gjitha virtyteve. Shëlbimi i dëshiruar duhet të jetë kryesisht fryt i dashurisë; po flasim për atë dashuri të krishterë, që përmbledh në vetvete krejt Ungjillin dhe që, e gatshme të flijohet gjithmonë për të afërmin, është ilaçi më i sigurt kundër mendjemadhësisë dhe egoizmit të shekullit” (Leoni XIII, enc. Rerum novarum: Acta Leonis XIII, 11 (1892) 143).
Kjo dashuri mund të quhet “dashuri shoqërore”, siç e quante Shën Toma i Akuinit, ose “dashuri politike”, siç e quante Shën Pali VI dhe duhet të shtrihet në krejt gjininë njerëzore. “Dashuria shoqërore”, sipas Papës shenjt Gjon Pali II (enc. Redemptor hominis, 15), gjendet në antipodet e egoizmit dhe të individualizmit: pa absolutizuar jetën shoqërore - siç ndodh në vizionet, që përdorin interpretime thjesht sociologjike, pa shkuar më tej - nuk mund të harrohet se zhvillimi tërësor i njeriut dhe zhvillimi shoqëror kushtëzohen nga njëri-tjetri. Prandaj, egoizmi është armiku më shkatërrimtar i shoqërisë: historia tregon se si shkretohen zemrat kur njeriu nuk është i aftë të njohë dhe të pranojë një vlerë dhe një realitet tjetër si të vërtetë, përveç të mirave materiale, kërkimi me çdo kusht i të cilave e mbyt dhe ia heq përfundimisht aftësinë për t’u dhuruar.
Marrëdhëniet njerëzore nuk mund të rregullohen vetëm me anë të drejtësisë
Për ta bërë shoqërinë më njerëzore, më të denjë për njeriun, duhet të rivlerësohet dashuria në jetën shoqërore, në nivelin politik, ekonomik, kulturor, duke e bërë atë normë të vazhdueshme dhe të epërme të çdo veprimtarie. Nëse drejtësia «është në vetvete e përshtatshme “për të qenë arbitri” ndërmjet njerëzve, në ndarjen e të mirave objektive sipas masës së drejtë, dashuria dhe vetëm dashuria (edhe ajo dashuri dashamirëse, që e quajmë “mëshirë”) është në gjendje t’ia kthejë njeriut vetveten», pra, ta bëjë atë vërtet njeri (Gjon Pali II, enc. Dives in misericordia, 14).
Njëmend, marrëdhëniet njerëzore nuk mund të rregullohen vetëm me anë të drejtësisë: “I krishteri e di se dashuria është arsyeja, për të cilin Hyji hyn në marrëdhënie me njeriun. Dhe është përsëri dashuria, që Ai pret si përgjigje nga njeriu. Prandaj, dashuria për është forma më e lartë dhe më e fisme e marrëdhënieve ndërmjet qenieve njerëzore. Do të duhej që dashuria të gjallëronte çdo sektor të jetës njerëzore, duke u shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar. Vetëm një njerëzim në të cilin mbretëron “qytetërimi i dashurisë” do të shijojë një paqe të njëmendtë dhe të qëndrueshme”, shkruante Papa shenjt Gjon Pali II në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2004 (10). Në këtë perspektivë, Magjisteri vë përpara njerëzimit kërkesën për solidaritet, sepse ai është në gjendje të garantojë të mirën e përbashkët, duke ndihmuar zhvillimin tërësor të njeriut: dashuria “na bën që të shohim tek i afërmi veten tonë të dytë” (Shën Gjon Krizostomi, Homilia De perfecta caritate, 1, 2).
Dashuria është urdhërimi më i madh shoqëror
Vetëm dashuria mund ta ndryshojë plotësisht njeriun (shih Gjon Pali II, Let. ap. Novo millennio ineunte, 49-51). Një ndryshim i tillë nuk do të thotë se njeriu zhvishet nga përmasa e tij tokësore në favor të ndonjë përshpirtërie të pamishëruar. Kush mendon të veprojë sipas virtytit mbinatyror të dashurisë, pa pasur parasysh themelin e tij natyror përkatës, që përfshin detyrat e drejtësisë, gënjen vetveten: «Dashuria është urdhërimi më i madh shoqëror. Ajo respekton të tjerët dhe të drejtat e të tjerëve. Kërkon zbatimin e drejtësisë dhe vetëm ajo na bën të aftë për një gjë të tillë. Dashuria frymëzon për një jetë, që bëhet dhurim i vetvetes: “Kushdo që mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë” (Lk 17, 33)» (Katekizmi i Kishës Katolike, 1889). E dashuria nuk mund të kufizohet vetëm në përmasën tokësore të marrëdhënieve njerëzore dhe të raporteve shoqërore, pasi aftësia e saj për të dhënë fryte rrjedh nga fakti se i referohet Hyjit: “Në mbrëmjen e kësaj jete do të shfaqem përpara Teje me duar të zbrazura; në fakt nuk të kërkoj, o Zot, që t’i mbash parasysh veprat e mia.
Të gjitha drejtësitë tona nuk janë pa njolla në sytë e Tu. Për këtë dua të vishem me drejtësinë Tënde dhe të marr nga dashuria Jote zotërimin e amshuar të Vetes Sate…”. Me këtë citim nga lutjet e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë (Akti i ofertës së Dashurisë së mëshirshme: Lutje: Vepra e plotë, LEV, Shteti i Vatikanit 1997, fq. 942-943) po e përfundojmë emisionin e sotëm, duke ju njoftuar se nga e enjtja e ardhshme do të fillojmë paraqitjen e enciklikës së fundit të Doktrinës Shoqërore të Kishës, enciklikën e Papës Leoni XIV “Magnifica humanitas”, që shqyrton qëndrimin e Kishës para risive bashkëkohore, duke e aktualizuar magjisterin shoqëror.