CCEE: Takimi i Sekretarëve të Përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane në Beograd. "Të jesh meshtar sot: Thirrja dhe Formimi"
Vatican News
Në fjalimin e tij, imzot Gintaras Grusas, kryeipeshkëv i Vilniusit dhe kryetar i Këshillit të Konferencva Ipeshkvnore të Evropës, u frymëzua nga enciklika «Magnifica Humanitas» e Papa Leonit XIV si bazë për shqyrtimin e aspekteve antropologjike, kulturore, baritore dhe shpirtërore të formimit meshtarak në Evropën e sotme. Ai theksoi se Kisha në Evropë "ka nevojë për meshtarë thellësisht njerëzorë, afër njerëzve dhe të aftë t'i shoqërojnë këta në sfidat e jetës me vështrimin kah Ungjilli, duke e bërë afërsinë e Krishtit të prekshme".
Sesioni i parë i punës u hap me një prezantim nga imzot Alfonso Amarante, rektor i Universitetit Papnor Lateran, me titull "Bukuria e shërbesës meshtarake në shërbim të një bote të ndërlikuar". Kryeipeshkvi Amarante e përshkroi gjendjen e Evropës bashkëkohore si një epokë "apokalipsi kulturor", duke identifikuar disa tipare që ndikojnë drejtpërdrejt në shërbesë, siç janë analfabetizmi interpretues, humbja e marrëdhënies mësues-nxënës dhe përhapja e medias dhe e inteligjencës artificiale, duke theksuar se "kriza nuk mund të zgjidhet me operacione sipërfaqësore".
Punimet e datës 16 qershor u përqendruan te tema "Thirrja meshtarake dhe formimi i plotë: kriza, dëshmia dhe lutja". Chiara D'Urbano, psikologe dhe psikoterapiste, ofroi një reflektim mbi "Formimin psiko-afektiv për meshtarinë: Perspektiva nga shkencat e humanistikës". Më pas, Atë Michele Gianola, drejtor i Zyrës Kombëtare për Kujdesin Baritor të Thirrjeve të Konferencës Ipeshkvnore Italianë, foli mbi temën "Shërbesa meshtarake: Një rrugë e përhershme drejt formimit".
Dita e fundit iu kushtua fjalimeve të sekretarëve të komisioneve të CCEE-së, të cilët paraqitën veprimtaritë dhe nismat kryesore të ndërmarra nga seksionet e komisioneve të tyre përkatëse gjatë vitit të kaluar. Pjesëmarrësit dëgjuan gjithashtu një përditësim mbi veprimtaritë e COMECE-së të paraqitura nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Atë Manuel Barrios Prieto.
Sesioni përfundoi me prezantimet e Sekretarëve të Përgjithshëm mbi zhvillimin e sinodalitetit në nivel kombëtar, ku u fol për përvojat, sfidat dhe praktikat e mira që dolën nga udhëtimi sinodal i Kishave lokale nëpër Evropë".
Gjatë takimit, Sekretarët e Përgjithshëm, ndër ta ishte dhe Imzot Giovanni Peragine, shprehën afërsinë e tyre me popullin ukrainas pas sulmeve të fundit që shkaktuan viktima civile dhe dëmtuan Katedralen e Fjetjes së Zojës të Lavrës së Shpellave të Kievit, si edhe përtëritën thirrjen e tyre për një "paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse".