Kërko

Puna dashamirëse e Caritas-it spanjoll me një fëmijë emigrant Puna dashamirëse e Caritas-it spanjoll me një fëmijë emigrant

Caritas: Leoni XIV në Spanjë vjen për të përqafuar botën e njerëzve të brishtë

Sekretarja e përgjithshme e organizatës bamirëse kishtare, María González Dyne, foli për mediat e Vatikanit në lidhje me shtegtimin apostolik të Papës në Gadishullin Iberik, nga 6 deri më 12 qershor, gjatë të cilit Papa do të takohet gjithashtu me të pastrehë dhe migrantë. "Këto janë dy realitetet më shqetësuese që po përjetojmë në vendin tonë sot. Ne lutemi që vizita e tij të mobilizojë të rinjtë."

R.SH. / Vatikan

Si një samaritan i mirë, Leoni XIV do të vizitojë Spanjën pa kurrfarë droje për t'u marrë me plagët e saj më të thella dhe për t'u angazhuar në brishtësitë e shoqërisë së atyshme. Këto janë edhe temat më të rrezikshme sepse janë lënë në harresë prej kohësh dhe tashti janë bërë kronike. Udhëtimi i katërt apostolik i Papës – në Gadishullin Iberik, nga 6 deri më 12 qershor – zhvillohet në një nga pesëmbëdhjetë vendet më të industrializuara në botë. Gjestet e tij, takimet e tij, fjalët e tij do të çjerrin tisin e heshtjes dhe të mënjanimit që mbulon përsipër  zona të varfërisë – një varfëri jo të përkohshme apo "sezonale", por "strukturore". Dhe kjo gjë ndodh në zemër të Evropës, një kontinent me kapitalizëm të përparuar. Shpresa e atyre që punojnë çdo ditë me më të cënueshmit e shoqërisë është që vizita e Papës të shërbejë për të zgjuar anëtarët më të shëndetshëm të shoqërisë spanjolle nga gjumi i harresës. Kjo është shpresa e María González Dyne-t, sekretare e përgjithshme e «Caritas Española» – Caritasit spanjoll, e cila i rrëfeu mediave të Vatikanit pritjet dhe reflektimet e saj mbi udhëtimin e ardhshëm të Leonit XIV.

Zonja González Dyne, një nga takimet e para të planifikuara gjatë vizitës apostolike të Leonit XIV në Spanjë do të jetë me "Cedia 24 Horas", një projekt social i promovuar nga «Caritas Madrid» për të mbështetur të pastrehët. Sa të rëndësishme janë mesazhet ndërgjegjësuese si ky për punën e Caritas-it në vend?

Është e vërtetë, Papa do ta hapë dhe do ta mbyllë udhëtimin e tij duke takuar njerëzit më të mënjanuar në shoqërinë tonë: të pastrehët dhe ata që mbërrijnë në kufijtë tanë por që nuk janë të pajisur me dokumente të rregullta. Këto janë dy realitetet më shqetësuese që po përjetojmë në vendin tonë sot. Afërsia e Leonit XIV me më të prekshmit do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të zgjuar ndërgjegjet dhe për të nxjerrë në pah një realitet që, për shumë njerëz në vendin tonë, kalon krejtësisht pa u vënë re. Gjesti i Papës për "përqafimin e botës së brishtësisë" do të jetë një shtysë e vërtetë për të vazhduar rritjen e bamirësisë dhe për të kuptuar se pasoja e parë e dashurisë është ndjenja e përgjegjësisë për të tjerët, veçanërisht për më të ligshtët, dhe përpjekja për të kërkuar të mirën e tyre.

Sipas mendimit tuaj, cilat janë sfidat më të ngutshme shoqërore me të cilat përballet Spanja sot?

Varfëria në Spanjë nuk mund të kuptohet si një dukuri sezonale, por më tepër si një përjashtim strukturor që është bërë kronik pas njëzet vjet krizash të njëpasnjëshme. Pavarësisht disa periudhave të rimëkëmbjes makroekonomike, diferencimi shoqëror mbetet gjithnjë therës dhe është rritur në mënyrë alarmante, duke prekur 4.3 milion njerëz në vitin 2024, një rritje prej 52% që nga viti 2007. Të kesh një punë nuk të mbron më nga mënjanimi në shoqëri. Një në dhjetë punëtorë në Spanjë është i varfër. Hendeku mes brezave po zgjerohet gjithashtu, me 33% të të miturve që po përjetojnë mënjanim të rëndë dhe varfëri në rritje ndër familjet me gra si kryefamiljare. E gjithë kjo krijon një skenar në të cilin varfëria po bëhet një problem i thellë, i shumëanshëm dhe afatgjatë.

Përveç këtyre konsideratave, si do ta përshkruanit shoqërinë spanjolle nga këndvështrimi shoqëror?

Raporti ynë i fundit i FOESSA-s nxjerr në pah një shkërmoqje në rritje të shoqërisë spanjolle. Struktura tradicionale, e bazuar te një klasë e mesme e madhe, po dobësohet, duke i shtyrë shumë familje drejt varfërisë dhe duke lindur një «atomizim» shoqëror i cili pengon zbatimin e projekteve kolektive. Për më tepër, ky shndërrim lidhet me ndryshimet demografike si mplakja, emigracioni dhe modelet e reja familjare. Ai lidhet gjithashtu me konsolidimin e dinamikave të tilla si hyrja masive e grave në tregun e punës, pavarësisht se pabarazitë gjinore vijojnë. Në përgjithësi, raporti paraqet një shoqëri më të larmishme, por edhe më të ndërlikuar, me lidhje komuniteti të dobësuara dhe me pak kohezion shoqëror.

Cilat janë projektet kryesore që po kryhen tashpërtash nga Caritas Española? Cilat janë përparësitë e kësaj organizate?

Një nga fushat përparësore të punës sonë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka qenë ekonomia e solidaritetit. Caritas-i mbështet fuqimisht nismat sipërmarrëse që krijojnë drejtpeshim ndërmjet mbrojtjes së mjedisit dhe mirëqenies shoqërore. Kjo ka nxitur krijimin dhe konsolidimin e bizneseve që ofrojnë punësim për njerëzit në situata kritike. Tani për tani, këto nisma kanë krijuar 3,158 vende pune dhe 271 linja biznesi, duke themeluar një strukturë tjetër prodhimi që i vendos njerëzit në qendër. Këto projekte jo vetëm që krijojnë punësim, por gjithashtu nxisin procese mbështetjeje personale dhe shoqërore, duke lehtësuar përfshirjen shkallë-shkallë të njerëzve të cënueshëm në tregun e punës.

Pra, duket si rruga e duhur...

Pikërisht. Studimet e fundit tregojnë se, në afat të mesëm dhe të gjatë, dobia ekonomike e këtyre programeve të punësimit mund ta trefishojë investimin e bërë. Përmes këtyre projekteve, njerëzit fitojnë vetëvlerësim më të madh, autonomi, njohje sociale dhe pjesëmarrje tek të drejtat, dhe gjithashtu ndihmojnë në mënyrë të pandërprerë në zhvillimin e përbashkët ekonomik përmes kontributit të tyre për taksat dhe konsumin.

Më 11 qershor, në Gran Canaria dhe Tenerife, Papa Leoni do të takohet me organizata të angazhuara për të ndihmuar dhe për të strehuar përkohësisht migrantët. Si po i përgjigjet Caritasi spanjoll sfidave që sjell me vete migrimi?

Sipas të dhënave tona të fundit, 47 përqind e njerëzve që ndihmojmë janë emigrantë me status të parregullt ligjor. Puna jonë ndjek propozimin e Papa Françeskut për të "mirëpritur, mbrojtur, promovuar dhe integruar" migrantët dhe refugjatët. Puna sociale e Caritas-it për migrantët dhe refugjatët shkon nga pritja, njohja me të drejtat themelore, burimet dhe shërbimet, deri te puna që synon integrimin e tyre. Këto janë procese afatmesme dhe afatgjata, që zgjasin nga një deri në dy vjet, të cilat kërkojnë mbështetje shumë të personalizuar dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërhyrja sociale e Caritas-it në mbështetjen e integrimit të migrantëve nuk mbaron me këto programe sociale. Ne kemi punuar nëpërmjet avokatëve për të siguruar vënien në rregull të migrantëve, kemi kontribuar në përmirësimin e rregulloreve të emigracionit dhe tani po monitorojmë zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Migracionin dhe Azilin, të cilën Spanja do ta zbatojë në qershor.

Ashtu si shumë organizata të tjera në Evropë, Caritasi spanjoll vepron në një shoqëri gjithnjë e më të shekullarizuar. Si ndikon kjo në punën tuaj?

Nga njëra anë, sapo kryem një audit të organizatës dhe rezultatet na japin zemër shumë. Pavarësisht se jetojmë në një mjedis gjithnjë e më të shekullarizuar dhe të polarizuar, shoqëria na percepton saktë për atë që përfaqësojmë: punën shoqërore dhe bamirëse të Kishës. Ajo gjithashtu na sheh si një institucion asnjanës dhe të paanshëm, të aftë për të ndërtuar ura dialogu me të gjithë. Ky perceptim nënkupton një përgjegjësi të madhe publike, që të vazhdojmë të jemi një mundësi për kaq shumë njerëz që janë lënë anash shoqërisë sonë.

Nga ana tjetër, ne përballemi me sfidën e madhe të ndryshimit të brezave në fushën e veprimtarive vullnetare, në një kohë kur po fillojmë të perceptojmë një rigjallërim të dukshëm të besimit. Përballë këtij realiteti, ne duhet të jemi në gjendje të kërkojmë mënyra për të mbështetur më mirë bashkësitë dhe famullitë në mënyrë që të promovojmë një angazhim më të madh shoqëror.

Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë në të ardhmen vizita apostolike e Papa Leonit XIV në Spanjë?

Caritasi shpreson që vizita e Papës të na frymëzojë, si shoqëri, që të angazhohemi gjithnjë e më shumë për t'iu drejtuar shkaqeve strukturore të varfërisë. Kjo është një çështje e ngutshme që nuk mund të presë, jo vetëm për shkak të nevojës pragmatike për të arritur rezultate dhe për të rivendosur rendin në shoqëri, por edhe për ta shëruar atë nga një sëmundje që e bën të brishtë dhe të padenjë. Shpresojmë që ky angazhim të përfshijë edhe të rinjtë. Është një moment vendimtar për t'u bërë vend brezave të rinj dhe për t'u siguruar që ata të angazhohen në punë sociale dhe bamirësie. Ne në Caritas, lutemi që kjo vizitë, për shoqërinë tonë, të shënojë një kufi: «para» dhe «pas» shtegtimit të Papa Leonit.

05 qershor 2026, 10:01