Abati i Montserratit: Papa në Spanjë vendo njerëzimin në qendër të vëmendjes
R.SH. / Vatikan
Vizita e Papa Leonit XIV në Spanjë ka në qendër njeriun, paqen dhe solidaritetin përtej çdo ndarjeje apo polarizimi shoqëror. Shtegtimi në Spanjë dëshmon rrezatimin e ri gjeopolitik të Leonit XIV. Fuqia e urtësisë dhe një prani që transmeton paqe në epokën e stuhive të skajshme, kështu ka pohuar Abati i Abacisë së Montserratit, Manel Gasch Hurios, duke folur përi pritjet e vizitës së Papës në Shenjtëroren e Zojës së Montserratit. Sipas tij, ndalesa e Leonit XIV në Shenjtëroren e Zojës së Montserratit përbën një moment me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore, jo vetëm për Katalonjën, por për gjithë botën e shtegtarëve që e vizitojnë këtë vend lutjeje dhe paqeje.
Abati Manel Gasch Hurios shpjegoi se Papa Leoni XIV do të lutet para figurës së “La Morenita”, Virgjërës së Montserratit, duke kërkuar ndërmjetësimin e saj për paqe në botë dhe për mbarë njerëzimin. Kjo është vizita e dytë e një Pape në këtë Shenjtërore, pas asaj të Shën Gjon Palit II në vitin 1982, gjë që e bën këtë moment edhe më domethënës për komunitetin monastik dhe besimtarët.
Duke folur për identitetin e Montserratit, Abati theksoi se thelbi i këtij vendi është mikpritja. Si një Abaci benediktine me një histori mijëvjeçare, ajo jeton nga shërbimi ndaj shtegtarëve dhe nga një traditë e thellë shpirtërore ku “çdo mysafir pritet si Krishti vetë”. Shenjtërorja e Zojës së Montserratit dhe manastiri benediktin, sipas tij, janë një hapësirë ku lutja, heshtja dhe bashkësia krijojnë një përvojë të gjallë feje e vëllazërimi.
Atë Manel Gasch Hurios vë në dukje edhe përmasën e gjerë ndërkombëtar të Shenjtërores së Montserratit, e cila çdo vit mirëpret shtegtarë nga e gjithë bota, duke u bërë kështu një pikë e rëndësishme takimi shpirtëror për kultura dhe gjuhë të ndryshme, si dhe një simbol i përkushtimit marian që ka rrënjë të thella në historinë e krishterë.
Duke reflektuar mbi jetën monastike benediktine, Abati e përshkroi atë si një dëshmi të qëndrueshme të kërkimit të Zotit përmes lutjes, heshtjes dhe bashkëjetesës. Në një botë të shpejtë dhe të fragmentuar, jeta murgare ofron një thirrje për autenticitet dhe kthim te thelbësorja.
Në lidhje me vizitën e Papës në Barcelonë dhe Montserrat, Atë Manel Gasch Hurios theksoi se këto dy vende shprehin dy përmasa plotësuese të fesë së krishterë: Sagrada Familia si dëshmi e bukurisë dhe krijimtarisë së fesë në kulturë, dhe Montserrat si zemra e spiritualitetit marian dhe lutjes së përulur.
Së përfundi, Abati pohon se mesazhi i Papa Leonit XIV në këtë udhëtim pritet të jetë i qartë: njeriu duhet të vendoset në qendër, së bashku me paqen dhe dinjitetin njerëzor, në një botë që shpesh rrezikon të humbasë humanitetin mes teknologjisë, ndarjeve dhe ritmit të shpejtë të jetës.