2026.05.11 Arberesh di Zara, chiesa della Madonna di Loreto

Zarë, Kroaci: Arbëreshët kremtojnë Zojën e Loretit në kuadrin e 300-vjetorit të mbërritjes të të parëve.

Dje më 10 maj, arbëreshët ose arbanasit siç njihen gjerësisht në Zarë, kremtuan Meshën Shenjte të Zojës së Loretit, pajtores së këtij ngulimi arbëreshësh në Kroacinë e sotme.

R.Sh. / Vatikan

Ky është vit jubilar për arbëreshët e Zarës sepse pikërisht në vitin 1726, në pjesën e Zarës që njihet me emrin Borgo Erizzo, mbërritën familjet e para të ikura nga Brisku, Ljarja dhe Shestani, tre fshatra sot në Malin e Zi. Ndihma e parë të shpërngulurve u erdhi pikërisht nga arqipeshkvi i Tivarit, imz. Vicenc Zmajeviq, nip i arqipeshkvit pararendës të Tivarit, imz. Andre Zmajeviqit, mecenat e mbështetës i Pjetër Bogdanit.

Meshën e djeshme në famullinë kushtuar Zojës së Loretit e kryesoi arqipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj bashkë me arqipeshkvin e Zarës imz. Milan Zgrabliq, të pritur nga famullitari dom Marko Majiq Mazul.

Pas kremtimit Eukaristik, u bë edhe shkëmbimi i dhuratave ndërmjet arqidioqezës së Zarës dhe asaj të Tivarit.

Më pas, nëpër rrugët e lagjes «Arbanas» u zhvillua edhe procesioni tradicional kushtuar Zojës së Loretit, e cila ishte zbukuruar me të gjitha dhantitë e arta e të çmueshme «ex-voto» që arbëreshët i kanë ofruar në shenjë mirënjohjeje përgjatë shekujve.

Afër shtatores së Zojës së Loretit, besimtarët dhe shoqata «Vicko Zmajeviq” – organizatore bashkë me famullinë e këtij përkujtimi –qëndruan në lutje për gati dy orë.
Më pas, në mjediset e famullisë u zhvillua edhe koncerti i korit «Vicko Zmajeviq».

Me rastin e 300-vjetorit të mbërritjes së arbëreshëve të Zarës në këto brigje të Dalmacisë, janë zhvilluar edhe koncerte të kompozitorëve arbëreshë si edhe vënia në skenë e pjesës teatrale «Martesa » e autorit të mirënjohur arbanas Josip Relja.

Prej arbëreshëve të Zarës kanë dalë figura të shquar të kulturës sonë dhe asaj kroate si Aleksandër Stipçeviq, Josip Relja, Kruno Kërstiq, Shime Deshpalji e shumë të tjerë.

Vitet e fundit, me nismën e znj. Maksimiljana Barançiq është hapur edhe kursi i gjuhës arbëreshe.

Gjaku nuk bëhet ujë ndonëse shekujt kalojnë.

11 maj 2026, 12:52