Toka e Shenjtë: nga shenja e Kryqit buron forca dhe shpresa e të krishterit
R.SH. / Vatikan
nga Ibrahim Faltas
Në kujtimet e mia të para si fëmijë, është i fortë imazhi i nënës sime që më ndihmonte me duar dhe me zë të bëja shenjën e kryqit. Ajo ua kishte mësuar vëllezërve të mi më të mëdhenj dhe, pas meje, vëllezërve të mi më të vegjël; të gjithë e ndiqnim në gjeste dhe në fjalë kur zgjoheshim në mëngjes dhe para se të na zinte gjumi mbrëmjes, kur nisnim drekën dhe në çdo moment kur ndjenim nevojën për të kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e Zotit.
Të mbash një kryq në qafë, një medalje me figurën e Zojës Mari ose të një shenjti, të veshësh rroba fetare, mbi të gjitha për ata që janë pjesë e një pakice në vendin ku jetojnë, është një shenjë identifikuese e përkatësisë ndaj Krishtit. Të krishterët egjiptianë, si unë, kanë një kryq të vogël që bëhet tatuazh në dorë dhe që tregon identitetin e krishterë që fitohet me pagëzimin.
Situata të patolerueshme dhune
Në Jeruzalem, gjithnjë e më shpesh, po ndodhin situata të patolerueshme dhune, ofendimesh dhe fyerjesh ndaj vendeve të shenjta, rregulltarëve dhe personave që i përkasin fesë së krishterë. Sulmi fizik i pësuar nga një motër rregulltare franceze, e cila po përshkonte rrugën që të çon në Çenakull (Cenacolo), ishte veçanërisht brutal. Pamjet dokumentojnë një sulm të përsëritur dhe akoma më të dhunshëm ndaj një gruaje të pambrojtur.
Agresori ishte vetëm në atë rast, por shpesh janë grupe njerëzish që fyejnë, ngacmojnë dhe kryejnë gjeste përbuzjeje kundër rregulltarëve, besimtarëve dhe vendeve të krishtera. Janë fjalë, janë gjeste, janë mbishkrime nëpër mure që pasqyrojnë një urrejtje të mbushur me egërsi dhe arrogancë: janë sulme gjithmonë të pajustifikueshme, por janë veçanërisht të papranueshme kur ndodhin në Qytetin e Shenjtë për të tri fetë monoteiste.
Bashkëjetesa e mundshme
Jeruzalemi është i ndarë dhe i kontestuar mes besimtarëve që luten në mënyra të ndryshme dhe vishen ndryshe. Ky diversitet, megjithatë, nuk e justifikon tensionin që vazhdon ta bëjë të pajetueshme jetën e secilit dhe të të gjithë atyre që takohen rrugëve dhe rrugicave të ngushta të qytetit të vjetër. Bashkëjetesa paqësore është e mundur nëse respektohet jeta personale dhe ajo e të tjerëve. Paqja është e mundur nëse arrijmë ta njohim më mirë jetën e të tjerëve, nëse krijojmë dhe vendosim marrëdhënie mes jetëve që takohen, preken, por që nuk njihen.
Një urrejtje që shkatërron
Një shkollë e krishterë në një fshat në Liban është shembur, e rrafshuar nga mjetet e rënda. Ishte e vetmja ndërtesë, së bashku me kuvendin e motrave rregulltare, që nuk ishte bombarduar ende, dhe mjetet mekanike fshinë një pikë referimi shpirtërore dhe edukative për qindra fëmijë dhe të rinj. Në emër të kujt dhe për cilën arsye mund të shkatërrohen dhe dhunohen vendet e shenjta, të ofendohen dhe të poshtërohen qeniet njerëzore, të shkelen shenjat dhe simbolet fetare? Çfarë rreziku mund të paraqesë një vend kulti, një shkollë, një kuvend a manastir? A është kjo një dhunë që lind nga një ideologji, nga paragjykimet, nga racizmi i verbër? Çfarë shkakton kaq shumë urrejtje ndaj të ngjashmëve tanë me histori të ndryshme besimi dhe jete?
Akte të tilla kaq të dhunshme nuk janë përgjigje ndaj sjelljeve të atyre që dëshmojnë fenë e krishterë, sepse të krishterët e Tokës së Shenjtë nuk reagojnë ndaj provokimeve; ata janë të gatshëm për mikpritje, të hapur për falje dhe të dashur ndaj të afërmit. Ata janë krenarë dhe fisnikë për përkatësinë e tyre ndaj Krishtit dhe që kanë lindur në Tokën që pa veprat e tij tokësore dhe dëgjoi zërin e tij të zbulonte dashurinë e Atit dhe fuqinë e Shpirtit Shenjt Zot.
Shenjat identifikuese të një të krishteri
Nuk besoj se luftërat ndodhin për shkak të kontrasteve fetare; motivet janë të tjera dhe janë të ndryshme. Mendoj, megjithatë, se duhen penguar dhe denoncuar episodet që janë simptomë e një klime të tensionuar dhe e situatave që mund të degjenerojnë më tej. Të jetosh Ungjillin, të ndjekësh mësimet e Jezusit ditë pas dite dhe ta njohësh veten tek Ai, janë shenja identifikuese të një të krishteri që dëshmon besimin me zemër të pastër dhe në liri.
Bashkësitë e para të krishtera pësuan persekutime, dëshmitarët e parë (martirët) dëshmuan Krishtin duke ofruar jetën e tyre. Kohët janë të tjera dhe të ndryshme, por perceptimi se po jetojmë momente të vështira dhe komplekse është i fortë. Nga kryqi, shenja e pashlyeshme e mundimit dhe e vdekjes së Zotit Tonë, Jezu Krishit, lulëzoi shpresa e jetës me ringjallje. Shenja e kryqit, gjesti spontan dhe besimplotë i atij që beson në Mëshirën e Zotit, është fuqia jonë. Le të shikojmë drejt Kryqit që ndihmon, mbështet dhe ngushëllon. Dhe, falë Zotit, në Jeruzalem mund të shohim ende shumë të tillë!