2026.05.23 Kardinalët dhe ipeshkëvijtë e Perusë gjunjëzohen para fshatarëve, të cilët për vite me radhë kanë qenë viktima të abuzimit të kryer nga anëtarët e lëvizjes Sodalicio. 2026.05.23 Kardinalët dhe ipeshkëvijtë e Perusë gjunjëzohen para fshatarëve, të cilët për vite me radhë kanë qenë viktima të abuzimit të kryer nga anëtarët e lëvizjes Sodalicio. 

Peru, kardinalët e ipeshkvijtë gjunjëzohen para fshatarëve viktima të Sodalicio: "Falje"

Një çast simbolik u arrit nga kryesia e Kishës peruviane për fshatarët e mbledhur në famullinë e San Juan Bautista, në Catacaos, pranë Piurës, që vite me radhë kërkuan "dëmshpërblim" për abuzimet, ngacmimet dhe shpronësimet e pësuara nga anëtarët e Sodalitium Christianae Vitae, organizatë kishtare e shpërbërë në vitin 2025. I pranishëm, Komisioneri i Vatikanit, Bertomeu: "Duhej të kishim ardhur vite më parë". Kardinali Castillo Mattasoglio: "Tani përpara me pajtimin".

R.SH. / Vatikan

Kardinalët, ipeshkvijtë dhe një meshtar i deleguar nga Vatikani u gjunjëzuan para fshatarëve, burra dhe gra, në shenjë faljeje për drejtësinë dhe pajtimin  që erdhi shumë vonë. Ishte gjest simbolik e, njëkohësisht prekës, që u bë dje në mbrëmjen e 23 majit, para altarit të famullisë së San Juan Bautista, në Catacaos, qytet disa kilometra larg Piurës, në Perunë veriore. Në Kishën me pamje nga Plaza de Armas, fshatarët e popullit indigjen Tallán morën një shenjë të prekshme të dëshirës për dëmshpërblim nga përfaqësuesit e Kishës së vendit, nga të cilët kërkuan me këmbëngulje seancë dëgjimore dhe drejtësi pas më shumë se një dekade shpërdorimi, persekutimi, shpronësimi, ngacmimi, shkeljesh të të drejtave sociale dhe të punës të pësuara nga sektorë dhe anëtarë të lidhur me Sodalitium Christianae Vitae, entitetin kishtar të shpërbërë në vitin 2025 nga Papa Françesku pas shkandujve të provuara të abuzimit dhe korrupsionit, që dolën në pah pjesërisht falë punës hetimore të gazetarëve Pedro Salinas dhe Paola Ugaz. 

"Duhet të kishim ardhur njëzet vjet më parë..."

Kërkesa e faljes në gjunjë ishte kulmi i liturgjisë Eukaristike kremtuar në Solemnitetin e Rrëshajëve në San Juan Bautista, në përgjigje të peticioneve që fermerët i paraqitën Imzot Jordi Bertomeu-t, zyrtarit të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, dërguar në Peru një vit më parë si komisioner apostolik për shpërbërjen e Sodalicios - apo Shoqatës Bertomeu, i cili kaloi dy javë duke punuar në një Kanal të dëgjimit të parë me viktimat në Nunciaturën Peruviane, bashkëkremtoi Meshën me Kardinalët Carlos Castillo Mattasoglio, Kryeipeshkëv i Limës, dhe Pedro Barreto, Kryeipeshkëv Metropolitan, Nderi i Huancayo-s, dhe Kryeipeshkvijtë Luciano Maza i Piurës dhe Alfredo Vizcarra të Trujillo-s. Ndërmjet të pranishmëve ishin autoritete, anëtarë të shoqërisë civile dhe trupi diplomatik, e sigurisht, edhe kampesinos dhe las campesinas të Catacaos, me buqeta lulesh të bardha. Gjithashtu në grup ishin familjet e Cristino Melchior Flores dhe Guadalupe Zapata Sosa, udhëheqës indigjenë që vdiqën pasi kundërshtuan në mënyrë aktive trafikimin e tokës të lidhur me kompanitë Sodalicio, si dhe të afërm të tjerë e anëtarë të komunitetit fshatar të Catacaos. "Duhej të kishim ardhur njëzet vjet më parë; sot kërkojmë falje", tha Imzot Bertomeu.

Ringjallje e shpresë

Kardinali Castillo Mattasoglio, në predikimin e tij, foli për një angazhim "në rrugën e përtëritjes", si dhe "një shenjë autentike shprese për njerëzimin". Shpresë pas "tragjedisë" shkaktuar nga "një grup brenda Kishës që, për fat të keq, hedh hije mbi të". "Sot dëshirojmë ta kapërcejmë këtë turp" dhe të ecim përpara në "rrugën e pajtimit" të nisur nga Françesku dhe të vazhduar nga Leoni XIV i cili, si ipeshkëv në Peru, u mor me çështjen e Shoqatës në shumë raste, duke ofruar mbështetje për viktimat. "Ne vijmë si shenjë solidariteti, të gatshëm jo vetëm të kërkojmë falje në emër të Kishës, pasi ishte një grup brenda Kishës që krijoi problemin e që ju ende po e përjetoni sot, por edhe të angazhohemi për ripërtëritjen e Kishës dhe për të vazhduar në rrugën e ripërtëritjes të ndjekur nga dy Papët e fundit", siguroi Kardinali.

"Nuk mund të harrojmë, e as nuk duhet të harrojmë - shtoi - por duhet të dimë si të kujtojmë, në mënyrë që të korrigjohemi. E jo vetëm për të korrigjuar veten - pasi të gjithë jemi mëkatarë - por për të ndihmuar në korrigjimin e atyre që e besojnë veten të pandreqshëm, që e besojnë veten si perëndi; as ne nuk jemi perëndi, jemi qenie njerëzore mëkatare, që mund dhe duhet të ndryshojmë dhe të përmirësohemi".

Thirrje për paqe

Pastaj kardinali kujtoi paqen, "paqen e paarmatosur dhe çarmatosëse" që Papa Leoni e ka "program" për papninë. Një paqe që arrihet "jo me armë", por me "fjalë", "gjeste", me njerëzit e thjeshtë "të thirrur për të qenë protagonistë" dhe "për të ndërtuar së bashku, siç ndodh me të gjitha lëvizjet popullore në mbarë botën, të cilat janë të fshehura, por po i zgjojnë dhe i bindin të gjithë se duhet ta bëjnë të rilindë njerëzimin".

Impenjimi i Leonit, thirrja e Françeskut

"Nëse paqja ndërtohet me paqe, me dialog, me njohjen e njerëzve dhe të vlerës që ka secili prej nesh, atëherë ajo është e qëndrueshme", deklaroi Castillo, duke cituar përsëri Papën Leoni. Fjalët e tij përfshinin gjithashtu një referencë për "diçka që Françeskut i pëlqente të thoshte", se "ai ju donte shumë" dhe "kishte një kujtim të veçantë për faktin se njerëzit që punojnë vuajnë shumë, por nuk duhet ta humbasin kurrë shpresën". Kardinali kujtoi një nga bisedat e tij të fundit me Papën argjentinas, para vdekjes së tij: "Ju flisni për lëvizje popullore, por ato nuk janë lëvizje të njohura" - kujtoi.

E Papa u përgjigj: "Po, por ato janë në lindje e sipër, janë si farë e janë kudo. Janë të fshehura, por do të zbulohen vetë". Ftesa e Kryeipeshkvit të Limës ishte, pra, të përhapte mesazhin e shpresës, "më urgjent sot - se kurrë, përballë njerëzve të fuqishëm" që "duan ta shkatërrojnë botën". Po bota, megjithatë, "i përket Zotit e u përket të gjithëve, prandaj le të bëjmë atë që thotë Ungjilli i sotëm: duke falur, ne njohim vlerën e të tjerëve", përfundoi kardinali, që i falënderoi fshatarët e mbledhur në famulli: "Faleminderit që na ndihmoni".

24 maj 2026, 14:47