Kërko

Në Shkodër konferenca «Nana e Këshillit të Mirë ndërmjet historisë dhe devocionit».

Me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Nanës së Këshillit të Mirë Pajtore të Shqipërisë, në auditorin e gjimnazit «Pjetër Mëshkalla», në Shkodër u zhvillua më 23 maj konferenca me titull «Nana e Këshillit të Mirë ndërmjet historisë dhe devocionit».

R.Sh. / Vatikan

Organizuar nga Rektori i Bazilikës së Nanës së Këshillit të Mirë, dom Artur Jakaj, në këtë konferencë qenë të pranishëm kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë imzot Gjergj Meta, imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i dioqezës Tiranë-Durrës, imzot Giovanni Peragine, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit, autoritetet e qeverisjes qendrore dhe vendore si edhe shumë meshtarë e motra rregulltare e të tjerë.

Mbas përshëndetjeve të rastit të dom Artur Jakajt dhe të prelatëve të lartë, të cilët nënvizuan rëndësinë e përkujtimit të një tradite të posaçme nderimi që besimtarët kanë ruajtur gjithmonë për Nanën e Këshillit të Mirë, moderatori prof. Romeo Gurakuqi, ua kaloi fjalën kumtuesve: studiuesveLucia Nadin dhe Mario Bonaldi, pas të cilëve folën Evalda Paci, Italo Sarro, Andrea di Giuseppe, Ylli Sula dhe Arben Ndreca.

Temat e përzgjedhura, nga ana tjetër, përcollën tek të pranishmit interesimin e drejtpërdrejtë të autorëve për hulumtimin e fakteve historike që lidhen jo vetem me kultin e nderimit kundrejt Nanës së Këshillit të Mirë por edhe me dokumentet arkivore; po ashtu, edhe për botimet dhe mrekullitë e dokumentuara përgjatë shekujve si në Gjenacan, ashtu edhe në Shkodër.

Mbas konferencës, kumtuesit vizituan Bazilikën e Nanës së Këshillit të Mirë ku u njohën me objekte devocioni të ruajtura me përkushtim nga besimtarët, madje edhe gjatë persekutimeve. Ndër këto eksponate tërhoqën vëmendjen kelshenjti me të cilin kremtoi Meshën në Shkodër Papa Shën Gjon Pali II, petkat e vashërisë të Shën Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiu si edhe një kryq i ruajtur nga një familje myslimane, dorëzuar pas rënies së komunizmit.

 

25 maj 2026, 10:45