Kërko

Në Genazzano, më 31 maj katolikët shqiptarë festojnë Nënën e Këshillit të Mirë

Koordinimi kombëtar i katolikëve shqiptarë në Itali, dom Anton Kodrari së bashku me Fondacionin Migrantes dhe në bashkëpunim me etërit augustinianë, organizon më 31 maj 2026 festën e Nënës së Këshillit të Mirë në Genazzano, pranë Romës

R.SH. / Vatikan

Koordinimi kombëtar i katolikëve shqiptarë në Itali, në udhëhqjen e dom Anton Kodrarit së bashku me Fondacionin Migrantes dhe në bashkëpunim me etërit augustinianë, organizon më 31 maj 2026 festën e Nënës së Këshillit të Mirë në Genazzano, pranë Romës.

Dita do të hapet me shfaqjen e një dokumentari, i pari i realizuar në 30 vitet e fundit, mbi historinë e Nënës së Këshillit të Mirë, nga “largimi” i ikonës në vitin 1467 nga Shkodra e rrethuar nga osmanët drejt Italisë dhe Genazzanos, deri në ditët e sotme.

“Në të pasqyrohet devocioni i popullit shqiptar i bashkuar me atë të popullit të Genazzanos, që na mirëpret. Është tashmë një marrëdhënie e ndërtuar mbi spiritualitetin dhe fenë”, shpjegon dom Anton Kodrari, koordinator kombëtar i pastoralit të katolikëve shqiptarë në Itali. Dokumentari sjell edhe zbulimin e dekretit papnor të vitit 1897, me të cilin Papa Leone XIII shpalli Nënën e Këshillit të Mirë pajtore të Shqipërisë.

Pas dokumentarit do të mbahen përshëndetjet institucionale, procesioni në rrugët e Genazzanos dhe Mesha e Shenjtë, e kryesuar nga arqipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine. “Në procesion marrin pjesë besimtarë nga e gjithë Italia: nga Saluzzo, Savigliano, Cuneo, Torino, Treviso, Venecia, Pistoia, Firence, Lucca, Perugia, por shumica vijnë nga Roma. Presim rreth 1.500 persona dhe organizimet kanë nisur prej tetë muajsh”, tha dom Kodrari. Procesioni dhe kremtimi eukaristik do të transmetohen nga Radio Maria Shqipëri, ndërsa e gjithë dita do të ndiqet edhe në faqen në Facebook të Koordinimit të katolikëve shqiptarë në Itali.

29 maj 2026, 16:01