Kërko

2026.05.05 Scuola di Pace Scampia

Napoli, një mesazh vëllazërie për Papën nga Shkolla e Paqes në Scampia

Entuziazëm dhe emocion ndërmjet fëmijëve, që frekuentojnë Bashkësinë e Shën Egjidit, në pritje të mbërritjes së Papës të premten, më 8 maj. Paola Cortellessa, koordinatore e institutit, pohon: "Ka një atmosferë festive, që i kundërvihet dhunës, e cila shpesh e karakterizon këtë realitet. Këtu, dëshmojmë se shpresa është e mundur, se jeta në paqe është e mundur"

R.SH. – Vatikan

"Vetëm fëmijët i shohin engjëjt, sepse ata janë të tillë. Por bota është gëzim i trishtë, sepse të bën të ndiesh dhe të shohësh errësirën, që një engjëll nuk e ka. Sa e vështirë është jeta! Çfarë mbjell, atë korr. Por në të vërtetë, do të donim vetëm të kemi flatra për të fluturuar". Kështu shkruan Simoni në një seminar, që u zhvillua në Scampia të Napolit. Ëndërr dhe hidhërim në fjalët e tij, por mbi të gjitha, e vërteta që vjen nga jeta në një zonë të njohur për degradimin e dhunën. Ëndrrat u përkasin njerëzve, që nuk dorëzohen dhe mendojnë, shpikin, kuptojnë se edhe ato vende duhet të banohen. Përvoja e Shkollave të Paqes të Bashkësisë së Shën Egjidit në Napoli filloi rreth 30 vjet më parë si përgjigje ndaj vështirësive të zonës. Ato ofrojnë programe falas pas shkolle për të mos ilënë fëmijët të braktisin mësimet dhe për t’u dhënë mbështetje për detyrat, duke promovuar një kulturë bashkëjetese dhe paqeje.

"Papa që dëshiron paqe"

Paola Cortellessa, drejtoreshë e një shkolle të përgjithshme në Romë dhe koordinatore e Shkollave të Paqes, ka botuar disa libra, përfshirë "Fëmijët në Napoli ndërmjet dhunës dhe së ardhmes. Historia e Xhixhit dhe zërat nga Shkollat ​​e Paqes". Për mediat e Vatikanit, ajo flet rreth përpjekjeve të fëmijëve për t'u përgatitur që ta presin si duhet Papën, i cili do të shkojë në Napoli të premten, më 8 maj. "Fëmijët po përgatisin banderola dhe fraza që kanë menduar; më të vegjlit po pikturojnë postera me duart e tyre si përshëndetje". Ata do ta presin Leonin XIV përgjatë rrugës nga Duomo në Piazza del Plebiscito. "Folëm me ta për Papën, një Papë që dëshiron paqe në botë dhe, ky është një mesazh të cilin fëmijët e kuptojnë shumë mirë".

Shenjë paqeje

"Është një vizitë e shumëpritur, sepse," shpjegon Paola Cortellessa, "të gjithë dëshirojmë paqe, si brenda këtij qyteti, ashtu edhe në periferitë e tij, ku nuk mungojnë problemet dhe ka shumë dhunë. Dëshirojmë paqen për botën, ku, për fat të keq, ajo nuk ekziston më në këtë periudhë". Për fat të mirë, përvoja e Shkollave të Paqes në Scampia flet ndryshe: ato janë hapësira mikpritëse dhe paqeje, me fëmijë nga periferitë e vështira të Napolit, por edhe nga anë të tjera të botës. "Për ta", shpjegon koordinatorja, duke komentuar ardhjen e Papës, "është një shenjë gëzimi, shprese, diçka që duhet mirëpritur me një festë të madhe".

05 maj 2026, 15:12