Mozambik, Kisha e djegur nga xhihadistët. Ipeshkvi i Pembës, thellësisht i tronditur
R.SH. / Vatikan
Një Kishe iu dha zjarri, ndërsa shtëpia e Etërve skolopë dhe azili u sulmuan. Dhuna xhihadiste vazhdon në Cabo Delgado, Mozambik, ku luftohet prej më se tetë vjetësh, me 6.200 të vdekur dhe më shumë se 1.3 milion njerëz të zhvendosur. Bota mbetet kryesisht indiferente. Motra Laura Malnati, Eprore provinciale e Motrave Misionare Comboni, në vend, dëshmoi për të përditshmen italiane "Avvenire" për sulmin e fundit.
Dëshmia e Motrës Comboni Malnati
Sipas rrëfimit të saj, pasditen e së enjtes, më 30 prill, militantë nga Ahlu al-Sunna wa al-Jama'a - grup lokal i lidhur me Shtetin Islamik fundamentalist (IS) dhe aktiv që nga viti 2017, sulmuan fshatin Meza, në distriktin Ancuabe të provincës veriore të Cabo Delgado. "I vunë zjarrin ndërtesave të fshatit", rrëfeu murgesha tejet e tronditur. "Për fat të mirë, priftërinjtë u njoftuan me kohë dhe arritën ta braktisnin Mezën para se të mbërrinin terroristët", shtoi ajo. E terroristët nuk vonuan: shkatërruan disa shtëpi dhe i vunë zjarrin disa prej ndërtesave të famullisë kishtare. Famullia, e kushtuar Shën Louis de Montfort dhe e ndërtuar në vitin 1946, konsiderohet simbol i pranisë katolike në rajon.
Ipeshkvi i Pembës: bashkësia është e tmerruar
Në një mesazh drejtuar Ndihmë për Kishën që Vuan, Ipeshkvi Imzot António Juliasse Ferreira Sandramo i Pembës, kryeqytetit të Cabo Delgados, shpjegoi se milicët mbërritën rreth orës 4:00 pasdite dhe hynë në kishë. E shembën dhe i vunë flakën. "Një skenë e vërtetë terrori. Gjithçka u shndërrua në rrënoja. Gjatë sulmit, civilët u kapën dhe u përdorën si audienca për gjuhë urrejtjeje. Misionarët janë të sigurt, por bashkësia është e tmerruar". Edhe pse, pohoi më vonë, "feja e këtyre njerëzve nuk do të shkatërrohet kurrë".
Thirrja për solidaritet ndërkombëtar
Ipeshkvi imzot Sandramo, më pas, nisi thirrjen për solidaritet ndërkombëtar ndaj viktimave e dhunës xhihadiste në rajon. "Kërkojmë vëmendje dhe solidaritet - deklaroi ai - për gati nëntë vjet, kapelat e kishat në dioqezë sulmohen, shkatërrohen dhe digjen".
Një vend i varfër, por i pasur me minerale
Cabo Delgado është një nga provincat më të varfra të Mozambikut, e parafundit në renditjen e Bankës Botërore. Megjithatë, në veri, vendi është i pasur me miniera, me rezerva gazi natyror dhe me kompani të shumta perëndimore të angazhuara në nxjerrjen e burimeve nëntokësore. Për shkak të dhunës, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, mbi 110.000 njerëz do të jenë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre deri në vitin 2025.