Rrënojat pas një sulmi ajror izraelit që goditi fshatin Ain Baal, në Libanin jugor. (Kawnat Haju/AFP) Rrënojat pas një sulmi ajror izraelit që goditi fshatin Ain Baal, në Libanin jugor. (Kawnat Haju/AFP)

Liban, ipeshkvijtë greko-melkite katolikë: ndaloni shkatërrimet në fshatrat kufitarë

Në një komunikatë të shpërndarë më 4 maj, prijësit e vendit të cedrave bëjnë thirrje qeverisë libaneze, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare “që të ndërmarrin veprime konkrete për të mbrojtur civilët, pasuritë dhe institucionet e tyre fetare, arsimore dhe humanitare, dhe të mos lënë fshatrat kufitare pre e heshtjes, shkatërrimit ose harresës”.

R.SH. – Vatikan

“Dhimbje dhe shqetësim i thellë” për lajmet që vijnë nga qyteti i Yaroun dhe fshatrat kufitarë “në lidhje me shkatërrimet e kryera nga forcat izraelite, të cilat sulmojnë vende dhe institucione fetare, si dhe shtëpitë e banorëve të jugut”. Kështu shprehet Sinodi i Kishës Greko-Melkite Katolike, i udhëhequr nga Patriarku Youssef Absi, në një komunikatë të shpërndarë pardje, të hënën më 4 maj, në emër gjithashtu edhe të ipeshkvijve dhe udhëheqësve të urdhrave rregulltarë të Libanit.

Një plagë për ndërgjegjen njerëzore

Sipas komunikatës, kjo përbën “një plagë të thellë për ndërgjegjen kombëtare dhe njerëzore, sidomos sepse këto veprime ndodhin në zona të pabanuara dhe nën kontrollin e plotë ushtarak izraelit”. “Kishat, shkollat, sallat e famullive dhe shtëpitë — thonë ipeshkvijtë — janë vende lutjeje, arsimimi, shërbimi dhe jete”: “T’i sulmosh do të thotë të sulmosh dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për tokën dhe shtëpinë e vet”. Mbrojtja e pasurive civile dhe e institucioneve fetare, arsimore dhe sociale në këto fshatra është gjithashtu edhe një përgjegjësi që duhet të mbajë Izraeli, si fuqia që kontrollon ato zona.

Vuajtjet e Libanit

Prijësit e Kishës theksojnë se “ajo që po përjeton Yaroun sot nuk është një episod i izoluar, por pjesë e një skeme më të gjerë shkatërrimesh” që ka prekur shumë fshatra në kufirin jugor të Libanit, “duke përkeqësuar vuajtjet e banorëve të tyre”. Sipas ipeshkvijve, vuajtja e Yaroun dhe e fshatrave kufitarë “është vuajtja e gjithë Libanit”. Për këtë arsye, Sinodi i Kishës Greko-Melkite Katolike kërkon “ndalimin e menjëhershëm të operacioneve të shkatërrimit,” për t’u mundësuar banorëve “një kthim të sigurt”.

Një thirrje për mbrojtjen e civilëve

Ipeshkvijtë i bëjnë thirrje qeverisë libaneze, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare “që të ndërmarrin veprime konkrete për të mbrojtur civilët, pasuritë e tyre dhe institucionet e tyre fetare, arsimore dhe humanitare, dhe të mos lënë fshatrat kufitare pre e heshtjes, shkatërrimit ose harresës”. “Kisha — përfundojnë ata — do të qëndrojë pranë popullit, duke ndarë dhimbjen e tij, duke mbrojtur të drejtën për tokë, shtëpi dhe dinjitet, dhe duke lutur për një paqe të drejtë që të mbrojë njerëzimin dhe të rikthejë jetën në çdo shtëpi dhe fshat”.

06 maj 2026, 10:24