Kosovë, Imzot Gjergji: t’u sjellim fenë, atyre që i humbën rrënjët e krishtera
R.SH – Vatikan
Në Letnicë, mijëra besimtarë arritën të shtunë, 30 maj, nga të katër anët e Kosovës në sheshin pranë Shenjtërores Kombëtare të Zojës së Madhe, për përfundimin e Muajit Marian kushtuar nderimit të Zojës Mari. Këtu, bashkësia katolike, e përbërë nga shumë familje, me të rinj dhe të moshuar, duke i bërë ball vapës së fortë, u mblodh për kremtimin e Meshës, kryesuar nga ipeshkvi i dioqezës së Prizren-Prishtinës, Imzot Dodë Gjergji.
![]()
Besimtarët në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Madhe
Në predikimin e tij, Kryipeshkvi Dodë Gjergji komentoi fragmentin ungjillor, që rrëfen vizitën e Marisë te Shën Elizabeta dhe gëzimin e lajmit se do të bëhej Nënë e Zotit. Ipeshkvi theksoi angazhimin për ungjillëzim dhe rizbulimin e fesë, që në këto troje daton që nga shekulli i 4-të.
"Si të krishterë, ne duhet ta çojmë tek të tjerët, siç bënë paraardhësit tanë të guximshëm, duke dëshmuar gëzimin e Ungjillit" edhe ndërmjet vështirësive. Ky gëzim duhet të komunikohet dhe të sjellë jetë, "duke e çuar fenë tonë edhe tek ata që, gjatë historisë, e harruan ose ia humbën rrënjët e krishtera, siç ndodhi gjatë 500 vjetëve të pushtimit otoman. Ashtu si Maria vizitoi me gëzim Elizabetën - tha Ipeshkvi - Kisha jonë duhet t'ua sjellë mesazhin e krishterë atyre që ndjehen në vështirësitë më të mëdha të jetës, por që kërkojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit".
![]()
Ipeshkvi i. dioqezës Prizren-Prishtinë, imzot Dodë Gjergji
Mesazhi i Ipeshkvit Dodë Gjergji është edhe më domethënës sot, me turmën e besimtarëve të mbledhur në kodrën e Shenjtërores, pikërisht në vendin ku një Vashë, që më pas u quajt Nënë Tereza, në vitin 1928 vendosi të bëhej murgeshë, duke ia kushtuar jetën e saj Zotit dhe popujve më të varfër të botës.
Në përfundim të ditës, Imzot Dodë Gjergji theksoi se ky shtegtim dioqezan, i nisur nga paraardhësi i tij për lutjet e Muajit të Shën Marisë, "mund të zhvillohej vetëm në këtë vend, në Kishën që simbolizon fenë tonë, Nënë Terezën tonë, viset tona, ku vijojnë të ndodhin kaq shumë mrekulli".