Duomo i Katanies Duomo i Katanies

Katania, nga 15 deri më 17 maj, Mitingu françeskan i Mesdheut

Kushtuar tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, edicioni i pestë do të hapet nga kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI), Kardinali Zuppi. Ndër të tjerë, do të jetë Patriarku Latin i Jeruzalemit, Pizzaballa, dhe Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Ielpo. Do të jetë një takim, ku "mund të përballohen vështirësitë e kohës sonë me guximin e dialogut", shkruajnë organizatorët

R.SH. - Vatikan

Edicioni i pestë i Mitingut françeskan të Mesdheut (MFM), që do të mbahet në Katania nga 15 deri më 17 maj, ka rëndësi të veçantë, sepse përkon me tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Rast i përshtatshëm për të rizbuluar trashëgiminë e tij shpirtërore si forcë krijuese për të tashmen e të ardhmen, por edhe për të reflektuar e për të ndarë, së bashku me të gjithë familjen françeskane, dëshirën për të ndërtuar ura paqeje dhe vëllazërie në botën bashkëkohore. I organizuar nga Urdhri françeskan shekullar dhe Rinia Françeskane e Siçilisë (Gi. Fra.), në bashkëpunim me Kryedioqezën e Katanies dhe familjet fetare françeskane, takimi ofron hapësirën ​​për dialog ndërmjet grupeve fetare, institucioneve civile, botës së kulturës, universiteteve, shoqatave dhe qytetarëve. Nisma u paraqit zyrtarisht dje, 7 maj, nga Kryeipeshkvi i Katanies, Luigi Renna. Të pranishëm, Kryetari i Bashkisë Enrico Trantino; Rektori i Universitetit, Enrico Foti; Ministri i Urdhrit Françeskan Shekullar të Siçilisë, Carmelo Vitello dhe Kryetari i Rinisë françeskane të Siçilisë, Matteo Leanza.

Lidhja dhe trashëgimia

Tema e këtij viti është “Të lidhur. Trashëgimtarë të një varfërie të pasur”. Të jesh "i lidhur", shpjegojnë organizatorët, "do të thotë ta pranosh veten si pjesë e një historie të përbashkët dhe si përgjegjës për trashëgimi të përbashkët, duke e shndërruar kujtesën në veprim dhe vëllazërinë në praktikë të përditshme". Dy fjalët që përbëjnë titullin, lidhja dhe trashëgimia, "tregojnë dy kategori themelore për të kuptuar shndërrimet e kohës sonë". Nga njëra anë, rrjetet dixhitale, ekonomike dhe kulturore, "të cilat e kanë bërë botën më të ndërvarur", të dukshëm e të afërta nga një perspektivë virtuale; nga ana tjetër, përhapja e "vetmisë së thellë, nga përçarjet sociale dhe format e reja të përjashtimit". Ndërsa shoqëritë bashkëkohore duken gjithnjë e më të lidhura teknologjikisht,  shpesh janë të shkëputura në aspektin e marrëdhënieve. Në këtë kontekst, përvoja e Shën Françeskut të Asizit mund të interpretohet sërisht si propozim njerëzor dhe shoqëror, që mbetet i rëndësishëm edhe sot. E gjithë kjo, nga perspektiva e Mesdheut, parë si hapësirë ​​gjeopolitike takimi dhe përgjegjësie, "hapësirë ​​simbolike, në të cilën mund të përballohen vështirësitë e kohës sonë, me guximin e dialogut".

Programi i ngjarjes

Kardinali ̵ president i Konferencës ipeshkvnore italiane, Matteo Maria Zuppi, do ta hapë zyrtarisht Takimin të premten, më 15 maj, në orën 18:00, në Sheshin e Universitetit të Catanies (qendra e nismave kryesore), në një hapësirë ​​që do t'i përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e ngjarjes. Forumet dhe punëtoritë do të alternohen gjatë ngjarjes tre-ditore. Ndërmjet pjesëmarrësve, edhe Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit. Do të jetë drejtpërdrejt të shtunën, më 16, për debatin "Mesdheu: Laborator Paqeje?”.

Do të flasë edhe historiani Riccardo Saccenti, i ndjekur nga një diskutim me Atin Kujdestar të Tokës së Shenjtë, Francesco Ielpo. Fra Marco Moroni, Kujdestar i Manastirit të Shenjtë të Asizit, do të marrë pjesë me Imamin Keith Abdelhafid, President të Komuniteteve Islame të Siçilisë, në një forum mbi rëndësinë e Varfanjakut për sfidat e Mesdheut.

Të dielën, më 17, Atë Maurizio Patriciello, famullitar i Caivano-s, do të drejtojë "Festa del Sì" (Festa e Po-së) të Rinisë Françeskane të Siçilisë, e cila do të rinovojë angazhimin ndaj idealit françeskan, duke e mbushur   gjithë qytetin me entuziazëm. Lëvizja e të Rinjve Françeskanë do të zhvillohet paralelisht, me një program të veçantë për fëmijë.

Çasti më domethënës i gjithë Takimit do të festohet në mesditën e 16 majit me Jubileun, i cili do të bashkojë të gjithë familjen françeskane,  shprehje e unitetit të karizmës në format e saj të ndryshme, në një udhëtim reflektimi, dëshmie dhe lutjeje.

Kryeipeshkvi Renna do ta mbyllë edicionin e pestë të dielën, duke e kryesuar bashkëkremtimin eukaristik në katedrale, në orën 16:30.

08 maj 2026, 17:14