Kërko

Ja pse muaji maj i kushtohet Ζojës Mari

Që nga Mesjeta, kur u përhap lutja e Rruzares, te tradita e lindur në Kolegjin Romak Jezuit për të luftuar imoralitetin e përhapur ndërmjet studentëve e te përkushtimi i Shën Filip Nerit dhe mësimet e Papëve, u dokumentua historia e njërës prej traditave popullore më të dashura dhe më të përhapura.

R.SH. / Vatikan

Muaji maj është devocion i lashtë popullor, thellësisht i ndjerë. I kushtohet tradicionalisht Virgjërës Mari me çaste të ndryshme, nga procesionet, tek shtegtimet në faltore e deri te Rruzarja. Por pse është Maji është muaji Marian? Të përgjigjemi!

Kulti i pjellorisë në lashtësinë greke e romake

Në Greqinë dhe Romën e lashtë, muaji maj i kushtohej perëndeshave pagane të lidhura me pjellorinë dhe pranverën (përkatësisht Artemis dhe Flora). E kombinuar me rituale të tjera evropiane, që përkujtojnë stinën e re të pranverës, i bëri shumë kultura perëndimore ta konsideronin Majin muaj që i kushtohej jetës dhe amësisë.

Festa e nënës

Nuk është e rastit që shumë vende e kremtojnë në maj Ditën e Nënës si festë civile, jo fetare. Në Itali, bie të dielën e dytë të majit, si në shumicën e vendeve evropiane, Shtetet e Bashkuara, Japoni, Australi dhe shumë vende të tjera. Në Spanjë, bie të dielën e parë të majit dhe në vendet e Ballkanit, më 8 mars. Në shumë vende arabe, festa bie në ekuinoksin e pranverës.

Në Mesjetë, Alfonso X dhe Maria, "Trëndafili i trëndafilave"

Në shekullin e 13-të, Alfonsi X, i njohur si i Urti, Mbret i Castilies dhe Leonit, në "Las Cantigas de Santa Maria", e kremtonte Marinë si: "Trëndafil i trëndafilave, lulja e luleve, gruaja ndërmjet grave, zonja unike, drita e shenjtorëve dhe e udhës së qiejve (...)". Pak më vonë, i lumi dominikan Henry Suso i Konstancës, mistik gjerman që jetoi ndërmjet viteve 1295 dhe 1366, në Librin e tij të vogël të urtisë së amshuar, iu drejtua kështu Ζojës : "Bekuar qofsh ti, agim që lind, mbi të gjitha krijesat, e i bekuar qoftë livadhi me trëndafila të kuq që çelin në fytyrën tënde të bukur, stolisur me lulen e kuqe si rubin të Urtisë së Amshuar!". Por Mesjeta pa edhe lindjen e Rruzares, referenca lulesh e së cilës është e dukshme në emrin e saj.

Lutja filloi në Kolegjin Jezuit të Romës në fund të shekullit të 18-të

Gjatë kohës së Kishës së zanafillës, ka prova të një feste të madhe në nder të së Lumes Virgjër Mari, që kremtohej më 15 maj të çdo viti; por vetëm në shekullin e 18-të muaji maj u shoqërua me Virgjërën. Lutja e majit në formën e saj aktuale filloi në Romë, ku Ati Latomia i Kolegjit Romak të Shoqërisë së Jezusit, për të luftuar pabesinë dhe imoralitetin e përhapur ndërmjet studentëve, u betua në fund të shekullit të 18-të, t'ia kushtonte muajin maj Marisë. Nga Roma, praktika u përhap në kolegje të tjera jezuite dhe prej andej, pothuajse në çdo kishë katolike të ritit latin.

Kushtimi i një muaji të tërë Zojës Mari nuk ishte i ri. Ekzistonte një traditë më e hershme e kushtimit të një periudhe tridhjetë ditore për Virgjërën, e quajtur Tricesimum. Lutje të ndryshme private për Marinë u përhapën shpejt në muajin maj, siç kujtohet në Raccolta; një seri lutjesh të botuara në mesin e shekullit të 19-të: "Është një devocion i njohur për t'ia kushtuar muajin maj së shenjtnueshmes Mari, si muaji më i bukur dhe më i lulëzuar i gjithë vitit. Kjo lutje mbizotëroi prej kohësh në të gjithë Krishterimin dhe është e zakonshme këtu, në Romë, jo vetëm në familjet private, por si  lutje publike në shumë kisha. Papa Piu VII, për t'i nxitur të gjithë të krishterët të praktikojnë një kushtim kaq të butë dhe të këndshëm ndaj Ζojës së Bekuar, e për të pasur përfitim kaq të madh shpirtëror, u dha, me një Rescript të Sekretariatit të Përkujtimeve të datës 21 maj 1815 (i ruajtur në Sekretariatin e Eminencës së Tij, Kardinal Vikarit), të gjithë besimtarëve të botës katolike të drejtën për të nderuar Virgjërën e Lume, publikisht ose privatisht, me disa homazhe të veçanta, lutje të devotshme ose praktika të tjera të virtytshme.

Shën Filip Neri dhe zakoni i rrethimit të ikonave të Marisë me lule

Praktikat e para të lutjeve, të lidhura disi me muajin maj, datojnë që nga Shekulli i 16-të. Në Romë, në veçanti, Shën Filip Neri i mësoi të rinjtë e tij ta rrethonin figuren e Nënës me lule, të këndonin lavde për të dhe të ofronin akte përulje në nder të saj. Një tjetër hap përpara, e jemi në vitin 1677, kur noviciati i Fiesoles themeloi një lloj vëllazërie të quajtur "Comunella". Kronika e arkivave të Shën Domenikos kujton: "Kur mbërritën festat e majit dhe një ditë më parë dëgjuam shumë laikë që filluan të këndoni dhe të festonin krijesat që donin, vendosëm të këndonim edhe ne për Virgjërën e Shenjtë Mari...". Filloi me Calendimaggio, domethënë ditën e parë të muajit, së cilës shpejt iu shtuan të dielat dhe më në fund të gjitha ditët e tjera.  Ishin kryesisht rite të thjeshta popullore, të ushqyera nga lutja, në të cilat këndoheshin litanitë dhe kurorëzoheshin statujat e Marisë me lule. Në të njëjtën kohë, botimet u shumuan.

Jezuiti Annibale Dionisi botoi "Muaji i Marisë" në vitin 1725 

Megjithatë, emri i Majit si muaji i Marisë i detyrohet një prifti jezuit: Annibale Dionisi. Njeri fetar, me prejardhje fisnike, i lindur në Verona në vitin 1679, i vdekur në vitin 1754 pas një jete, sipas vëllezërve të tij, tejet të duruar, të varfër e të butë. Në vitin 1725, Dionisi botoi, në Parma, me pseudonimin Mariano Partenio, Il mese di Maria o sia il mese di Maggio kushtuar Marisë me Ushtrime të ndryshme virtyti, propozuar nga federata e Zotit. Ndër risitë e tekstit është ftesa për të jetuar dhe për të praktikuar përkushtimin ndaj Marisë në vendet e përditshme, në jetën e zakonshme, jo domosdoshmërisht në kishë, "për ta shenjtëruar atë vend dhe për të rregulluar veprimet tona sikur të kryheshin nën sytë më të pastër të Virgjërës më të Shenjtë". Sidoqoftë, korniza që duhet ndjekur, mund ta përkufizojmë si të tillë, është e thjeshtë: lutja (mundësisht Rruzarja) para figures së Ζojës, meditimi mbi misteret e përjetshme, një ofertë a homazh i vogël dhe një lutje e shkurtër. Gjatë të njëjtave vite, ishin gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin dhe kushtimin ndaj Marisë dëshmitë e një Jezuiti tjetër, Atë Alfonso Muzzarelli, i cili botoi Il mese di Maria o sia di Maggio më 1785, dhe të Atë Giuseppe Peligni.

Devocioni i Piut XII

Në vitin 1945, Piu XII miratoi idenë e Majit si muaj i Marisë, pasi e caktoi festën e Marisë Mbretëreshë më 31 maj. Pas Koncilit II të Vatikanit, kjo festë u zhvendos në 22 gusht, ndërsa 31 maji është festa e Vizitës së Marisë te kushërira e saj Elizabeta. Thirrja për të thënë Rruzaren, veçanërisht gjatë muajit maj, daton shumë kohë më parë. Në Enciklikën Ingruentium malorum të vitit 1951, Piu XII shkroi:

"Veçanërisht në gjirin e familjes, Ne dëshirojmë që zakoni i Rruzares  Shenjte të përhapet kudo, të ruhet fetarisht dhe të zhvillohet gjithnjë e më shumë. Në të vërtetë, do të jetë e kotë të kërkojmë një ilaç për fatin e luhatshëm të jetës civile, nëse shoqëria familjare, parimi dhe themeli i shoqërisë njerëzore, nuk rikthehen në normat e Ungjillit. Për të arritur këtë detyrë të vështirë, Ne pohojmë se Rruzarja e Shenjtë në familje është mjet shumë efektiv”.

Mense Maio, enciklika e vitit 1965 e nënshkruar nga Pali VI

Edhe Magjisteri gjithashtu e përqafoi dhe e inkurajoi këtë kushtim të lindur ndërmjet njerëzve. Në enciklikën Mense Maio të datës 29 prill 1965, Pali VI e caktoi Majin si "muajin në të cilin, në kisha dhe brenda mureve të shtëpive, homazhet e lutjes dhe nderimit lartohen me zjarr e dashuri nga zemrat e të krishterëve ndaj Marisë. Dhe është gjithashtu muaji në të cilin dhuratat e mëshirës hyjnore rrjedhin drejt nesh me begati nga froni i saj".

Asnjë keqkuptim lidhur me rolin e Virgjërës MAri në ekonominë e shëlbimit, "meqenëse Maria", shkruan Papa Montini, "është gjithmonë rruga që të çon te Krishti. Çdo takim me të nuk mund të mos jetë edhe një takim me vetë Krishtin". Papa Montini i atribuoi gjithashtu një rëndësi të jashtëzakonshme Rruzares së recituar në gjirin e familjes: "Nuk ka dyshim - shkroi ai - "se Rruzarja e Virgjërës së Lume Mari duhet të konsiderohet si një nga 'lutjet e përbashkëta' më të shkëlqyera dhe efektive që ftohet ta recitojë familja e krishterë. Ne duam të mendojmë, dhe shpresojmë me zjarr, që kur mbledhjet familjare të bëhen kohë lutjeje, Rruzarja të jetë shprehja e saj më e mirëpritur". (Marialis Cultus 53).

“O Zojë, ruaji familjet e njerëzit që punojnë; ndihmoji ata, që e kanë humbur fenë e shpresën, ngushëlloji të sëmurët, të burgosurit, të munduarit; mbështeti, o Ndihma e të krishterëve, të rinjtë, pleqtë e njerëzit e trazuar nga vuajtjet e përditshme të jetës. Ruaji, o Nënë e Kishës, barinjtë e saj e gjithë bashkësinë e besimtarëve e ndërmjetëso pranë Hyjit t’i japë hirin për t’u bërë kripë e dritë në mes të shoqërisë”. (lutja e Benedikti XVI gjatë Mretëreshës Qiellore, në Torino më 2 maj 2010)

05 maj 2026, 10:51