Fjala e Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte, ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe me liturgjinë e së Dielës qё përkon me festën e Trinisë Shenjte.
Fjala e Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’
Pas festën së Rrëshajëve, që kremtuam të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll edhe cikli i kohës liturgjike të Pashkëve, me këtë të diele, Kisha katolike e ritit romak e fillon ciklin tjetër kohor të kalendarit liturgjik, të quajtur “Gjatë Vitit” dhe, menjëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.
Kështu, Kisha katolike romake këtë të diel kremton një nga misteret më të larta, më të bukura, por edhe më të thella të fesë sonë të krishterë: Solemnitetin e Trinisë Shenjte.
Shpeshherë, kur mendojmë për Trininë - për këtë të vërtetë që Hyji është një i vetëm në tri Veta: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt - ndiejmë një lloj frike intelektuale. Na duket si një udhëkryq matematikor ose një ekuacion teologjik që mendja jonë e fundme nuk mund ta zgjidhë dot. Ndoshta ju kujtohet ajo ngjarje e famshme nga jeta e Shën Augustinit, i cili po ecte buzë detit duke menduar mbi Trininë dhe pa një fëmijë që merrte ujë me një guaskë e po përpiqej ta hidhte në një gropë të vogël në rërë. Kur Augustini i tha se ishte e pamundur të futej i gjithë ai det në atë gropëz, fëmija -që ishte një engjëll - iu përgjigj: "Më e lehtë është të futet i gjithë ky oqean në këtë gropë, sesa që mendja jote të rrokë misterin e Trinisë Shenjte".
Por, të dashur besimtarë, Trinia nuk është një enigmë që duhet zgjidhur; është një mister që duhet jetuar. Dhe sekreti për ta kuptuar Trininë nuk është shkenca, por është Dashuria. Shën Gjoni në Letrën e tij nuk thotë "Hyji është matematikë" apo "Hyji është filozofi", por thotë: "Hyji është Dashuri".
Çfarë na zbulon kjo? Na zbulon se Hyji në thelbin e Tij nuk është një qenie e vetmuar, e mbyllur në egoizmin e vet, e largët dhe e ftohtë në qiell. Që të ekzistojë dashuria e vërtetë, duhet të ketë marrëdhënie. Në Trininë Shenjte:
Ati është Ai që dashuron me një dashuri të pafundme, burimi i jetës.
Biri është Ai që pranon këtë dashuri dhe që na e zbulon atë duke u bërë njeri e duke dhuruar jetën në Kryq.
Shpirti Shenjt është vetë ajo lidhje, ajo rrjedhë e pafundme dashurie që bashkon Atin dhe Birin.
Trinia, pra, është një Bashkësi e përsosur.
Dhe këtu qëndron mesazhi i madh i kësaj feste për secilin prej nesh sot: nga vetmia te bashkësia. Ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së këtij Hyji Trini. Kjo do të thotë se ne nuk jemi krijuar për të jetuar si ishuj të vetmuar. Jeta e një të krishteri nuk ka kuptim në izolim, brenda mureve dhe në egoizëm. Sa herë që ne mbyllemi në veten tonë, sa herë që refuzojmë të falim, sa herë që bëhemi indiferentë ndaj vuajtjes së tjetrit, ne po shkojmë kundër natyrës sonë hyjnore, kundër shëmbëlltyrës së Trinisë që mbajmë në shpirt.
Pikërisht siç na kujton Ungjilli i Shenjtë sipas Gjoni (Gjn 3, 16-18): "Hyji aq fort e deshi botën, sa që dha Birin e vet të vetmin... jo për ta dënuar botën, por që bota të shpëtohet përmes Tij." Ky është stili i Trinisë: një dashuri që nuk mban asgjë për vete, por që dhurohet plotësisht.
Të dashur vëllezër dhe motra, ne e takojmë Trininë çdo ditë në gjërat më të thjeshta. Sa herë që zgjohemi në mëngjes dhe bëjmë Shenjën e Kryqit, ne themii: "Në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt". Ky nuk është thjesht një gjest automatik; është një premtim. Është një deklaratë se jeta jonë, puna jonë, familja jonë dhe marrëdhëniet tona janë të rrethuara dhe të mbrojtura nga dashuria e Trinisë.
Sot, le t'i lutemi Shpirtit Shenjt, që shpesh mbetet "i panjohuri i madh" në jetën tonë të përditshme, që të na ndezë zemrat. Të na bëjë të aftë që në familjet tona, në famullinë tonë dhe në shoqërinë e në popullin tonë të mos ndërtojmë "Kulla të Babelit"- ku secili kërkon të dominojë tjetrin përmes mendjemadhësisë - por të ndërtojmë bashkësi të gjalla dashurie, ku mbizotëron respekti, dhurimi i ndërsjellë dhe paqja. Le të bëhemi, siç na fton edhe Papa, "artizanë të shpresës", duke pasqyruar në botë dritën e Atit, hirin e Birit dhe dashurinë e Shpirtit Shenjt. Amen.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Dal 34, 4-6.8-9
Lexim prej Librit të Daljes
Në atë kohë, Moisiu i latoi dy rrasa si të parat; u çua herët në mëngjes e u ngjit në malin Sinaj me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re. Moisiu u ndal aty, ngjat tij dhe e thirri emrin e Zotit. Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Jahuè, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.” Moisiu ra vrik me fytyrë për dhe, adhuroi e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.” Fjala e Zotit.
Psalmi Dn 3, 52-56
Ty, o Zot, të qoftë lavdi e nder në shekuj
I bekuar je, o Zot,
Hyji i etërve tanë.
I bekuar emri i shenjtë
i lavdisë sate.
I bekuar je në Tempullin
e lavdisë sate të shenjtë.
I bekuar je në fronin
e mbretërisë sate.
I bekuar je, ti që shqyrton
humnerat e që rri mbi kerubinë.
I bekuar je në kupën qiellore.
Leximi i dytë 2 Kor 13,1-13
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe, e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë, dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë. Fjala e Zotit.
Aleluja. Aleluja. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen. Aleluja
Ungjilli Gjn 3, 16-18
Nikodemi, ashtu si të gjithë hebrenjtë priste Mesinë, njeriun e fortë që do të bënte drejtësi dhe do të gjykonte botën me fuqi. Por, Jezusi i paraqitet atij si Mesia që pranon të jetë i gjykuar, më parë se të gjykojë. Ai erdhi nga qielli të shpëtojë dhe jo të dënojë. Gjykimi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga raporti personal që secili ka me të vërtetën e Hyjit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Drtina Ndoci:
TRINIA SHENJTE: HYJI I MËSHIRSHËM, I BUTË, I DURUESHËM E SHUMË I MËSHIRSHËM DHE I VËRTETË.
(Dal 34, 4-6. 8-9; Dan 3, 52-56; 2 Kor 13, 11-13; Gjn 3, 16-18)
Vetëm në gjysmën e parë të shekulli XIII u caktua përfundimisht nga Papa që e kremtja e të Shenjtërueshmes Trini të shtrihej për mbarë Kishën Katolike. Deri atëherë ajo ende kremtohej vetëm në disa kisha të Europës. Por qe pikërisht devocioni i thellë i atyre kishave ndaj një të kremteje të tillë që shtyri edhe Papën ta miratonte një devocion të tillë dhe t’ia propozonte atë mbarë Kishës. Por kjo nuk do të thotë se adhurimi i së Shenjtërueshmes Trini filloi në shekullin XIII. Qysh në Ungjill shumë qartë na paraqitet fytyra e Hyjit tonë të dashur si Një i vetëm, në Tre Persona Hyjnorë. Shën Pali, siç dëgjuam në leximin e dytë, dëshmon se tashmë ishte bërë shumë shpejt traditë në mes të krishterëve që të përshëndeteshin në mes tyre në Emrin e Tre Personave Hyjnorë: «Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë!». Një përshëndetje të tillë tashmë e dëgjojmë shumë shpesh edhe në fillimin e kremtimit eukaristik.
I gjithë predikimi Kishës dhe i gjithë kremtimi i saj, kanë si qëllim të vetin shpalljen e Hyjit Njini e Trini, si edhe bashkimin me Të. Gabojmë kur mendojmë se misteri më i madh i Kishës është misteri i Pashkëve. Kremtimi i Vdekjes dhe i Ngjalljes së Krishtit është misteri qëndror i vitit liturgjik, por vetë misteri i Pashkëve dhe i gjithë viti liturgjik, e thamë, kanë si qëllim të vetin zbulesën e fytyrës së Hyjit tonë si Një i Vetëm në Tre Persona Hyjnorë dhe bashkimin tonë me Të.
«Nji Zot vetëm, tjetër s’ka, / por prej fesë dimë edhe ma: / se n’kët Zot janë, po, tre Vetë, / me ‘í natyrë e me ‘í pushtet, / me nji t’kenun e hyjni / që u thonë Shejtja Trini: / Ati, Biri e Shpirti Shenjt», thotë urata e vjetër Unë prej Zotit jam i kshtenë, e shkruar nga i Lumi Dom Ndre Zadeja, duke përmbledhur aty shumë bukur thelbin e teologjisë së krishterë në lidhje me Misterin e pambarim të së Shenjtërueshmes Trini.
Ne të krishterët besojmë se Hyji ynë është Një i vetëm, por jo i vetmuar. Duke adhuruar të Shenjërueshmen Trini, ne të krishterët vazhdojmë të jemi monoteistë, pra që adhurojmë një Hyj të vetëm, por ne besojmë në monoteizmin e dashurisë. Për ta shprehur këtë mund të marrim shembullin e tre qirinjve të ndezur. Secili prej tyre ka flakën e vet të plotë, sikurse secili prej Personave Hyjnorë, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, janë të plotë në Hyjninë e vet. Por, po t’i bashkojmë flakët e këtyre qirinj, ata do të bëhen një fjakë e vetme, edhe pse qirinjtë do të vazhdojnë të jenë tre, sikurse edhe e Shenjtërueshmja Trini është një dashuri e vetme, një Hyjni e vetme, edhe pse Personat Hyjnorë vazhdojnë të jenë Tre.
Pikërisht duke u bazuar tek dashuria, mund të themi diçka rreth këtij misteri të pambarim. Themi «diçka», sepse për të Shenjtërueshmen Trini patjetër që fjalët tona nuk arrijnë ta shprehin misterin e madh e të pambarim të Zotit. As Kerubinët, as Serafinët, as Fronet, as Zotërimet, as Principatat, as Kryengjëjt e as Engjëjt, që së bashku me shenjtërit dhe Mbretëreshën e tyre, Zojën e Bekuar, kundrojnë misterin e të Shenjtërueshmes Trini, nuk arrijnë ta kuptojnë në plotësi këtë mister të pambarim, edhe pse gëzojnë në Të në plotësi. Ja një dëshmi shumë e bukur e Shenjtes Faustina Kovalska, së cilës, në saje të një Hiri të veçantë, Zoti deshi që t’i bënte ta shihte lumturinë e Parajsës dhe të na e përshkruante atë në ditarin e saj, në të cilin na janë përcjellë shumë zbulesa tashmë të pranuara nga Kisha: «Sot në shpirt kam qenë në Parajsë dhe kam parë lumturinë e paimagjinueshme e tejet të bukur që na pret pas vdekjes. Kam parë se si të gjitha krijesat i japin pa ndërprerje lavdi Hyjit. Kam parë se sa e madhe është lumturia në Hyjin, e cila zbrazet mbi të gjitha krijesat, duke i bërë ato të lumtura. Pastaj çdo lavdi e nder që i ka bërë krijesat të lumtura, kthehet sërish tek Burimi dhe ata hyjnë në thellësitë e Hyjit, kundrojnë jetën e brendshme të Hyjit Atë, Bir e Shpirt Shenjt, të cilën nuk do të arrijnë kurrë as ta kuptojnë e as ta përkufizojnë. Ky Burim i lumturisë është i pandryshueshëm në esencën e Tij, por është gjithnjë i ri dhe shpërthen për lumturinë e të gjitha krijesave. E kuptoj vetëm tani Shën Palin që ka thënë: “Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.” (1 Kor 2, 9). Hyji më bëri të njoh të vetmen gjë e cila në sytë e Tij ka një vlerë të pafundme e kjo është Dashuria e Hyjit. Dashuria, Dashuria e përsëri Dashuria.»
Pra, sikurse e përmendëm më sipër dhe si përfundon edhe Shenjtëresha polake, vetëm dashuria na lejon të themi diçka rreth së Shenjtërueshmes Trini. Por kjo «diçka» e vogël është në gjendje që të na çojë drejt shëlbimit të amshuar.
Në leximin e parë, kur Hyji i bën Moisiut dhuratën e një zbulese të veçantë të vetvetes, është pikërisht vetëm mbi Dashurinë e Tij të Pamasë që flet: «Jahve, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.» Moisiu, përballë një mëshire e dashurie kaq të pafundme, u ndie i padenjë dhe «ra vrik me fytyrë përdhe», në adhurim të përvujtë. Por, pikërisht ngaqë e kuptoi se kishte të bënte me një Hyj kaq të dashur, ai gjeti edhe forcën që të lutej për vete e për popull: «O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne! Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde!»
Nuk ishte ende koha kur njerëzimit mund t’i shpallej se ky Hyj është edhe Trini. Ishte tashmë shumë vështirë që, në mes të shumë popujve të mësuar të adhuronin shumë perëndi të ndryshme, që Hyji t’i mësonte Izraelit të adhuronte Një Hyj të Vetëm e të Vërtetë. Ndërkaq Hyji i zbuloi vetëm se është një Hyj krejtësisht Dashuri. Pastaj, me ardhjen e përvujtë të Birit të Hyjit në mesin tonë, duke u bërë njeri, njerëzimit do të mund t’i shpallej edhe se ky Hyj-Dashuri është edhe Hyj-Trini. E Kisha do të kuptonte se Hyji është Dashuri pikërisht ngaqë është Trini, pra marrëdhënie e pafundme dashurie në mes të Personave Hyjnorë.
Asaj lutjes së Moisiut «udhëto me ne», Hyji iu përgjigj jo vetëm duke e shoqëruar në shtegtimin drejt tokës së premtuar popullin e zgjedhur, por edhe duke dërguar Birin e vet në botë. Prandaj Jezusi sot në Ungjill thotë: «Hyji aq fort e deshi botën, saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.» Me forcën e Shpirtit Shenjt, Ati i amshuar, po e zbulonte në Birin e Tij Misterin e Pambarim të së Shenjtërueshmes Trini, për të na mundësuar kështu të gjithëve shëlbimin, pra bashkimin e lum me Të në Parajsë.
Prandaj është me rëndësi të madhe kjo e kremte, sepse na ndihmon të meditojmë edhe një herë më në thellësi mbi këtë Mister të Pambarim. Po ta mendojmë, ne të krishterëve, liturgjia dhe përshpritëria gjithnjë na ndihmojnë që të zhytemi në këtë mister në jetën tonë të përditshme. Mjafton të mendojmë faktin se, me Shenjën e Kryqit dhe duke shqiptuar Atin, Birin e Shpirtin Shenjt, ne jemi të ftuar t’i fillojmë jo vetëm kremtimet e të gjitha sakramenteve dhe të gjitha lutjet e tjera, por jemi të ftuar të fillojmë e ta përfundojmë edhe ditën, të fillojmë një punë, një udhëtim e çdo nismë tjetër. Sa fuqi ka në vetvete edhe kundër djallit dhe kurtheve të tij një Shenjë Kryqi e bërë me fe të gjallë dhe duke thënë fjalët: «Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt»!
Prandaj ta falënderojmë Hyjin tonë për tërë dashurinë që ka ndaj nesh dhe t’i lutemi Atij që të na ndihmojë t’i përgjigjemi edhe ne me shumë dashuri në jetën tonë të përditshme, deri sa, një ditë, të mund ta kundrojmë Misterin e Pambarim të së Shenjtërueshmes Trini dhe të gëzojmë në plotësi me Të në lumturinë e Parajsës.
Dom Dritan Ndoci