Kërko

2025.10.09 Un'escursione culturale organizzata per gli studenti del Foyer a Kinshasa

Çelësi i fjalëve të Kishës: shërbimi i laikëve për kulturën

Ndërmjet fesë dhe jetës së përditshme, impenjimit shoqëror dhe komunikimit, kultura del në pah si vend themelor për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më solidare

R.SH. – Vatikan

         Gjatë javëve të fundit kemi folur për shërbimin e kontributin e laikëve në Kishë. Doktrina Shoqërore e saj vë në dukje jo vetëm rolin e tyre në Kishë, por edhe atë në shoqëri si besimtarë të krishterë. Sot, do të shqyrtojmë pikërisht kontributin e tyre në kulturë, në të cilën bëjnë pjesë e kontribuojnë me artin, shkencën e dijen e prodhuar në shekuj nga krishtërimi. Kultura nuk është diçka, që përdoret për ta zbukuruar jetën, por është indi strukturor, që i jep kuptim ekzistencës. Kisha dhe të krishterët në përgjithësi, janë të thirrur ta bëjnë atë fushë të pranisë dhe të impenjimit konkret, sepse, siç vëren Koncili II i Vatikanit, një nga gabimet më të rënda të kohës sonë është shkëputja e fesë nga jeta e përditshme. Humbja e horizontit metafizik dhe e nostalgjisë për Zotin, zëvendësuar nga narcizizmi, që i referohet vetëm vetvetes, ka rrezik ta reduktojnë njeriun në një spektator të vetvetes, rob i dukjes dhe i teknologjisë si qëllim në vetvete. Kultura, nga ana tjetër, "është ajo përmes së cilës njeriu bëhet më njerëzor, 'është' diçka më shumë, ka të bëjë më shumë me 'të qenit'” (Gjon Pali II, Fjalimi në UNESCO (2 qershor 1980), 7).

Kultura si horizont i veprimtarisë së njeriut

         Për besimtarët laikë, ky impenjim shndërrohet në kultivimin e një kulture shoqërore dhe politike të frymëzuar nga Ungjilli. Historia e kohëve të fundit ka treguar se si rrënjosja në vlerat e krishtera mund të sjellë në propozime kulturore, që i qëndrojnë kohës: impenjimi katolik nuk kufizohet vetëm në transformimin e strukturave, por lind nga kuptimi dhe integrimi i kërkesave të fesë në shoqëri. Paraqitja e trashëgimisë së Traditës Katolike në një dritë bashkëkohore do të thotë të jetohet përparësia e besimit në Jezu Krishtin, "Udha, e Vërteta dhe Jeta" (Gjn 14, 6), si themel i projekteve konkrete, siç nënvizon gjithnjë Doktrina Shoqërore e Kishës.

Kultura e vërtetë synon të mirën e përbashkët

         Kultura e vërtetë synon përsosmërinë e gjithanshme të njeriut dhe të mirën e përbashkët. Kur mbyllet në vetvete, duke hedhur poshtë dialogun dhe diskutimin, “përpiqet të përjetësojë mënyrat e vjetruara të jetesës, duke refuzuar çdo shkëmbim dhe diskutim rreth së vërtetës së njeriut”, siç denonconte Papa shenjt Gjon Pali II, në enciklikën e tij sociale Centesimus annus(50). Përkundrazi, kultura duhet ta angazhojë të gjithë personin, i cili duhet të shprehë krijimtari, inteligjencë, dije, vetëkontroll dhe solidaritet (Gjon Pali II, Fjalimi në UNESCO (2 qershor 1980), 11), për të nxitur të mirën e përbashkët. Pikërisht përmes kësaj kulture i krishteri i bën ballë botës, pa e reduktuar njeriun në ideologji apo mjet e duke vlerësuar çdo përmasë të dinjitetit të tij (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 61).

Dinjiteti i njeriut dhe e drejta për kulturë

         E drejta e të gjithëve për një kulturë njerëzore dhe civile në përputhje me dinjitetin e personit është qendrore, shkruhet në Kushtetutën baritore Gaudium et spes (60) të Koncilit II të Vatikanit. Kjo nënkupton që të gjithë duhet të kenë mundësi të lirë për arsimim, për të konsultuar e për të marrë pjesë në media, në punën kërkimoro-shkencore e në debatin publik, kundër çdo forme monopoli apo privimi kulturor. Njëkohësisht, impenjimi i besimtarëve laikë kërkon formimin dhe vlerësimin e përmasës fetare të kulturës, sepse çështja e Zotit është në zemër të çdo dijeje autentike (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 24). Injorimi i përmasës shpirtërore e poshtëron vetë kulturën, siç dëshmohet nga veprat e artit në shekuj.

Komunikimi, e vërteta dhe solidariteti

         Edhe mjetet e komunikimit bëhen instrumente të kulturës dhe të solidaritetit: “Solidariteti shfaqet si pasojë e komunikimit të vërtetë dhe të drejtë, si edhe si pasojë e qarkullimit të lirë të ideve, të cilat nxisin njohjen dhe respektin për të tjerët” (Katekizmi i Kishës Katolike, 2495). Zgjedhja e përmbajtjes, formimi i profesionistëve dhe i përdoruesve të medias, si edhe gjykimi etik duhet të synojnë kapërcimin e padrejtësive dhe të çekuilibrave, duke nxitur të vërtetën, drejtësinë dhe dashurinë. Shën Pali këshillon: “Prandaj, flakni rrenën dhe secili le t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit… Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës suaj, por, nëse është nevoja, thoni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’ju sjellë hir atyre që dëgjojnë” (Ef 4:25, 29).

         Kështu, kultura bëhet një rrugë zhvillimi i gjithanshëm, një urë ndërmjet individit dhe shoqërisë, një mjet për pjesëmarrje në të vërtetën, bukurinë dhe solidaritetin, në gjendje të shndërrojë çdo sumbull të impenjimit njerëzor në një oqean mirësie.

07 maj 2026, 09:26