Kërko

2025.11.28 Lidia Ghisoni durante il convegno "Cristiani nei fora internazionali. Per un contributo alla vita socio-politica"

Çelësi i fjalëve të Kishës: shërbimi i laikëve në politikë

Në shërbim të së mirës së përbashkët, besimtarët laikë thirren të përçojnë në jetën politike vlerat e Ungjillit, dinjitetin njerëzor dhe kulturën e dialogut

R.SH. – Vatikan

Për Kishën Katolike, angazhimi politik i besimtarëve laikë nuk është thjesht pjesëmarrje qytetare, por një formë konkrete e dashurisë për të tjerët dhe e kujdesit për të mirën e përbashkët. Doktrina Shoqërore e Kishës, së cilës ia kemi kushtuar këtë cikël emisionesh, thekson se politika duhet të jetojë në frymën e shërbimit, të drejtësisë dhe të solidaritetit, sidomos në marrëdhëniet me të varfërit dhe me të vuajturit. Pikërisht, shërbimit të besimtarëve laikë në politikë ia kushtojmë emisionin e sotëm.

Magjisteri papnor ka nxitur gjithnjë ndjekjen e së mirës së përbashkët, duke e konceptuar atë si shërbim ndaj shoqërisë. Për këtë arsye, i kushton vëmendje të veçantë varfërisë dhe vuajtjes, pasi ato kanë të bëjnë drejtpërdrejt me zhvillimin e drejtësisë në çdo epokë.

Të jetosh dhe të veprosh politikisht sipas ndërgjegjes nuk do të thotë t’i qëndrosh larg impenjimit politik, ose të ndjekësh ndonjë formë konfesionalizmi, por të shprehësh kontributin e krishterë për të vendosur një rend më i drejtë, më në përputhje me dinjitetin e njeriut, personit njerëzor, siç vë në dukje Kongregata e atëhershme e Doktrinës së Fesë, në një Notë doktrinore të 24 nëntorit 2002.

Në një kohë të shënuar nga polarizimet dhe interesat individuale, besimtarët laikë thirren të jenë ura dialogu dhe paqeje. Papa Françesku e kujtonte shpesh se politika është “forma më e lartë e bamirësisë”, kur ajo vihet në shërbim të dinjitetit njerëzor dhe të së ardhmes së popujve. Kisha nuk kërkon pushtet politik, por dëshiron të shndrisë ndërgjegjen e të krishterëve, që veprojnë në jetën publike. Për këtë arsye, përgjegjësia morale mbetet themeli i çdo veprimi politik.

Ndërgjegjja morale dhe përgjegjësia publike

Doktrina Shoqërore e Kishës paralajmëron se politika pa etikë ka rrezik ta humbasë fytyrën njerëzore. Kur mungon përmasa morale, shoqëria shket drejt padrejtësisë dhe forcimit të “strukturave të mëkatit”. Besimtarët laikë duhet të jenë të përgatitur për ushtrimin e pushtetit me përgjegjësi dhe transparencë, duke respektuar demokracinë dhe ligjin moral. Kisha vlerëson sistemin demokratik, sepse garanton pjesëmarrjen e qytetarëve dhe mundësinë për të kontrolluar qeverisjen.

Në të njëjtën kohë, kërkohet një shoshitje e vazhdueshme e sfidave etike të kohës sonë: mbrojtja e jetës, e familjes, e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave themelore. Besnikëria ndaj identitetit të krishterë dhe, njëkohësisht, gatishmëria për dialog me të gjithë, mbetet kriter themelor për kontributin e besimtarëve në jetën publike. Po në Notën doktrinore të vitit 2002 mbi impenjimin e të krishterëve në politikë, Kongregata për Doktrinën e Fesë nënvizon se “një ndërgjegje e mirëformuar e krishterë nuk i lejon askujt të favorizojë me votën e tij zbatimin e një programi politik ose edhe të një ligji të vetëm, në të cilin përmbajtjet themelore të fesë dhe të moralit përmbysen nga paraqitja e propozimeve alternative, ose në kundërshtim me ato përmbajtje”.

Laiciteti dhe dëshmia e krishterë në shoqëri

Kisha e pranon rëndësinë e laicitetit të shtetit dhe të dallimit ndërmjet sferës politike dhe asaj fetare. Megjithatë, ajo kujton se laiciteti nuk mund të nënkuptojë përjashtimin e fesë nga jeta publike apo mohimin e vlerave morale universale. «Mënjanimi i krishterimit... nuk mund t’i sjellë dobi planifikimit të ardhshëm të shoqërisë dhe harmonisë ndërmjet popujve, madje, do të minonte themelet shpirtërore dhe kulturore të qytetërimit» (Kongregata për Doktrinën e Fesë, Notë Doktrinore mbi disa çështje lidhur me përfshirjen dhe sjelljen e katolikëve në jetën politike (24 nëntor 2002), 6).

Në shoqëritë pluraliste, prania e të krishterëve në politikë është një kontribut për dialogun, drejtësinë dhe bashkëjetesën paqësore. Besimtari laik nuk është i thirrur të mbrojë interesa ideologjike, por të kërkojë me sinqeritet të vërtetën dhe të mirën e përbashkët. Doktrina Shoqërore e Kishës kujton edhe se asnjë parti politike nuk mund të përfaqësojë plotësisht Ungjillin. Për këtë arsye, pjesëmarrja politike e katolikëve duhet të mbetet gjithmonë kritike, e lirë dhe e rrënjosur në dashurinë për njeriun. Anëtarësia e të krishterëve në një grup politik nuk mund të jetë kurrë ideologjike, por kritike, në mënyrë që partia dhe projekti i saj politik të inkurajohen për të realizuar forma gjithnjë e më të vëmendshme ndaj arritjes të së mirës së vërtetë të përbashkët, ku përfshihet edhe e mira shpirtërore e njeriut (Pali VI, Letr. ap. Octogesima adveniens, 46).

28 maj 2026, 09:08