Kërko

Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Pompei. Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Pompei.

Argjipeshkvi i Pompeit: me Papën vitin e parë të papnisë, është dhuratë e veçantë

Imzot Tommaso Caputo flet për mediat e Vatikanit rreth pritjeve të qytetit të Kampanjës, që do të mirëpresë Leonin XIV të premten, më 8 maj, në përvjetorin e fronit të Pjetrit dhe në ditën kur Kisha përkujton Virgjërën e nderuar në Shenjtërore. "Do të jetë ngjarje historike: Papa do të na përforcojë në fenë tonë dhe në veprat tona të bamirësisë".

R.SH. / Vatikan

"Duke ardhur në Pompei për të kremtuar vitin e parë të papnisë, Ati i Shenjtë Leoni XIV po na bën një dhuratë shumë të veçantë, të cilën duam ta mirëpresim me zemrat plot mirënjohje, në mënyrë që bashkësia jonë të bëhet gjithnjë e më shumë shenjtërore drite, shkollë lutjeje, fortesë paqeje".

Fjalët përshëndetëse të Imzotit Tommaso Caputo, Delegat Papnor për Shenjtëroren e Ζojës Rruzare të Pompeit, i cili do të presë vizitën baritore të Leonit XIV të premten, më 8 maj, shprehin "pritje entuziaste e të gëzueshme". Mishërojnë edhe ndjenjat e besimtarëve të gjithë qytetit të Kampanjës të cilët, siç shpjegoi prelati për mediat e Vatikanit, kanë  "kërkesa të panumërta për të marrë pjesë ku të jetë e mundur, por për fat të keq, për shkak të mungesës së vendeve, nuk mund të plotësohen të gjitha".

Papa Gjon Pali II ishte Pasardhësi i parë i Pjetrit që e vizitoi Pompein në tetor 1979, e edhe më vonë, në vitin 2003. Në vitin 2008, pasardhësi i tij, Papa Benedikti XVI, erdhi në qytet, më pak se 30 kilometra larg nga Napoli, për t'u lutur para figures së Marisë. I fundmi që e vizitoi Shenjtëroren Mariane ishte Papa Françesku, në mars 2015. Papa Leoni XIV vjen kështu 11 vjet pas shtegtimit të fundmë të Papës Françesku.

Imzot Caputo, si do të zhvillohet dita?

Vizita e një Pape është gjithmonë fakt historik për një qytet; do të thosha se është ngjarje epokale, që shënon përherë një "para" dhe një "pas". Çdo çast do të jetë i rëndësishëm. Mbi gjithçka do të jetë kremtimi i Eukaristisë, të cilën Ati i Shenjtë do ta kryesojë në orën 10:30 të paradites në sheshin përpara Shenjtërores. Mesha do të pasohet nga lutja drejtuar Zojës së Pompeit, akt i besimit ndaj Marisë, i kompozuar në vitin 1883 nga themeluesi, Shën Bartolo Longo. Dhjetëra mijëra njerëz do të mirëpresin Papën Leoni, i cili do ta fillojë simbolikisht vizitën e tij duke takuar "Tempullin e Bamirësisë", domethënë familjen e madhe të veprave bamirëse të Shenjtërores, të përbërë nga fëmijë, të rinj, të rritur dhe gra të vetme, me të vegjlit e tyre. Më pas do të udhëtojë me papamobile nëpër viset fqinje e, para kremtimit të Meshës, do të takohet, në Bazilikë, me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.

Si po përgatitet qyteti për këtë vizitë historike?

Vizita e një Pape përgatitet para së gjithash shpirtërisht, me lutje, e veçanërisht në qytetin tonë marian, me lutjen e zgjedhur, Rruzaren Shenjte. Natyrisht, po përgatitemi për vizitën e Papës edhe nga pikëpamja logjistike: detyrë shumë e vështirë, por që bëhet më e lehtë nga gatishmëria e madhe e institucioneve, nga Prefektura e Napolit në Rajonin e Kampanjës, nga qyteti metropolitan në Bashkinë e Pompeit, e edhe falë mbështetjes së vullnetarëve nga shumë shoqata.

Nga këndvështrimi social, cili është profili i qytetit të Pompeit?

Pompei është qytet me afërsisht 25,000 banorë. Është komunitet shumë i larmishëm dhe qytet modern, i themeluar pikërisht rreth Shenjtërores, por gjithashtu edhe qytet mikpritës. Mjafton të keni parasysh fluksin prej afërsisht 6 milionë vizitorësh në vit, përfshirë turistët që vizitojnë parkun arkeologjik, një nga më të famshmit në botë, dhe mbi 2 milionë shtegtarët që Shenjtërorja i mirëpret çdo vit. Ashtu si në Italinë Jugore në tërësi, nuk mungojnë problemet sociale, por ka edhe vështirësi të shkaktuara nga puna e pasigurt e shpesh e paguar dobët. Shumë të rinj luftojnë për të gjetur   punësim të qëndrueshëm dhe për të rritur familjen. Shën Bartolomeu e pati kuptuar se puna ishte themelore, në mënyrë që fëmijët e tij të bëheshin të krishterë të mirë dhe qytetarë të ndershëm. Kjo është arsyeja pse institucionet tona janë dalluar në të kaluarën për pjesëmarrjen në punë; madje edhe sot kemi projekte të veçanta për t'i përgatitur të rinjtë për punësim.

Gjatë vizitës së tij, Papa do të lutet edhe brenda Shenjtërores, para kapelës së Shën Bartolomeut Longo. Çfarë devocionit ndjehet ndaj këtij Shenjtori të ri ndërmjet shtegtarëve, që nuk mungojnë kurrë në Pompei?

Para së gjithash, duhet të mbahet mend se ishte vetë Papa Leoni XIV ai që e shenjtëroi Shën Bartolo Longon më 19 tetor 2025. Duhet të them se themeluesi ynë duhet tashmë nga miliona shtegtarë, që mblidhen çdo vit në Shenjtore, madje edhe prej jashtë vendit. Megjithatë, shenjtërimi e vlerëson më tej përkushtimin e kësaj figure nga besimtarët e mbarë botës, ndërsa tani është i njohur në disa vende: Poloni, shumë vende të Amerikës Latine, madje edhe në Indi...

Çfarë mund t'i thotë Shën Bartolo Longo botës sonë bashkëkohore?

Është shembull i njeriut të kthyer i cili, që në rininë e tij, qe distancuar nga një jetë e mirëfilltë feje. E shembull edhe për të gjithë burrat e gratë e kohës sonë, mbasi jeta e tij tregon se askush nuk mund të përjashtohet nga dashuria e Zotit ndaj, falë shembullit të tij, shtegtarët e dinë se nuk ka mëkat e as errësirë ​​që mund t'i pengojë të kthehen përsëri, për të parë dritën e ditës.   

Çfarë efekti shpresoni të ketë vizita baritore e Papës në komunitetin tuaj?

Papa vjen në Pompei për të na forcuar në fenë tonë, për të rigjallëruar shpresën tonë dhe për t'u dhënë një shtytje të re veprave të bamirësisë sonë. Papa do të vijë për të na forcuar në fenë tonë i prirë nga Maria, së cilës do t'i drejtojë Lutjen e famshme të Shën Bartolo Longos. Mund të ketë vetëm gëzim kur Vikari i Krishtit ecën në rrugët e njerëzimit, sepse vetë prania e tij na nxit të shikojmë drejt qiellit, na çon të kërkojmë burimin e vërtetë të gëzimit tonë, që është një, Zoti Jezus, i cili vdiq dhe u ringjall për ne.

05 maj 2026, 11:34