Kërko

Zoja e Këshillit të Mirë, Shkodër Zoja e Këshillit të Mirë, Shkodër

Zoja e Këshillit të Mirë

Më 26 prill, kalendari kishtar, përkujton një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: festën e Zojës së Këshillit të Mirë, të njohur edhe si Zoja e Shkodrës. Në këtë festë të shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së popullit shqiptar, i lutemi Hyjit që paqja, bekimi dhe dashuria e Zotit të mbretërojë në popullin dhe në familjet tona

R-SH. - Vatikan

Më 26 prill, kalendarit kishtar kremton festën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa të Shkodrës, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i largimit dhe i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet dhe në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron edhe një pjesë të mirë të historisë së katolicizmit në Shqipëri.

Pra, sot më 26 prill, festa e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës, kremtohet solemnisht dhe me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të popullit të Zotit nga të gjitha trevat shqiptare, në Shenjtëroren e Zojës në Shkodër e nё Kisha e Shenjtёrore tjera nё Shqipёri, Kosovё e Mal tё Zi. 

Siç dihet, në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake.

E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna - u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.

Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan. Figurja e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut.

Kjo figure, pra, nderohej në Kishën e vogël shenjtërore dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:

O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”. E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore

Meshë në shenjtëroren e Zojës në Shkodër

Meshë në Shenjtëroren e Zojës në Shkodër   (nga arkivi @Lu Photography)

E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:

“Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.

O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.

E ndërsa besimtarët luteshin dhe vazhdojnë të luten në Kishën rrëzë Kështjellës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, afër Romës, atje ku Zoja Mërgimtare, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit shqiptar. E shtojmë se festa e Zojës së Këshillit të Mirë, kremtohet solemnisht edhe në Kosovë, ku në qytetin e vogël të Klinës ka një Kishë të bukur.

Ndër kambë tua, Zoja Mërí

Ndër kambë tua, Zoja Mërí,
Janë tue ardhë, qe, tanë bijt t’tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zêmra e jonë, o Nanë, t’kushton.

Por n’mos kjoshin zêmrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti jé Nana gjithë e jona,
Tjeter shpirti s’na kerkon.

Nanë e dashtun, Nanë e lume,
Nanë e Zotit n’ty mishnue,
Ti e din mirë se n’jetë t’shkretnueme,
Zêmra e eme, o Zojë, ankon.

Ty, o e Qiellve bukuria,
Ty, që ndrite prosi diell,
T’falet, Zojë, t’falet, Maria,
Zani i em, kah lavde t’kndon.

Sheklli e ferri, ah! sa mundohen 
Me m’vû prita, n’mëkat me m’ rrxue;
As un’ s’kam se kuj i ankohem,
Veç Ty, o Nanë, që t’mirën m’don. 

Kur kah Ti un’ sytë i priri,
Njallem n’zêmër plot uzdajë,
Zojë, prej Teje na rrjedh hiri,
Nper Ty shpirti, o Nanë shêjtnon.

Due me t’ dashtë, me t’ dashtë gjithhera,
M’u ndezë flakë n’dashtëní për Ty ;
Me t’avitë due zêmra tjera
Me t’kndue ‘ i lavd që Ty t’madhnon.

Ardhët, po, ardhët, ah! shpejt ardhët dita,
Qi i shkatërruem prej shekllit t’mjerë,
Fluturim, si gjithherë prita,
Ardhsha atje, ku Ti lumnon.

E atje n’qiellë, po para fronit
Shpirti em tue u permbysë,
Ka me u gëzue pergjithmonit:
Tjeter zemra, O Nanë s’m’ dishron. 

Si shkambi n’per rrymë të shekujve
Muret qendrojnë jetike,
Ngulun për rranzë themeleve
t’Rozafës sonë Kreshnike.

Dhe sot, qe feja nipave
Shpresat prap ua gjallnoi,
Le të shkruhet mbi ballë të mureve:
“Nanës që na vorfnoi!”

Njasajë që i ditë prej sulmeve
T’kulshedrës me shtatë krena,
Na u ba mburojë, e të nemuna
S’ duroi t’i shohë kto dhena.

Njasajë… por vaj, na fajeve
Në verbim s’u vume cak,
E Nanës iu randue zemra,
Iku, e la ket prak!

O ju, që parzme hekuri 
Luftuet për besë e fe,
Idhtë tue valvitun flamurin, 
Shenjtnue me gjak e be,

Zgjoniu nën rrasa t’heshtuna,
Çoniu me pa mjerim!
Ndihma e Arbnisë s’pamposhtun
Ç’u ba?… Si drita u shkim!

Po a kurrë thue, ma kurrë Virgjina,
- me gjamë ka e thrret Shqipnia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrî Rozafës… Maria?!

Tepër lënguem kso shtigjesh,
Si fmija mbetë pa nanë,
Per ne ma dritë nuk lëshuene
As yj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?!
Pa shpresë do të rrimë të presim?
Po a e heshtun gjithmonë vallja
Do të mbesë në terr kah dënesim?!

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra 
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e Zoja e Shkodrës së vet!”.

Qe te ato mure të ndrituna,
- zemra m’a ndien - ’i zani
Një popull në hov të galdimeve
tue brohoritë: “O ngani!”

Ktheu NANË! O ditë ma e bukura
Që Arbnia pret, ago!
Nanë ktheju e epnae hirin:
“N’ Fè Shenjte na vllazno!

Atë Pjetër Meshkalla S.J.

Shkodër, 1927

 

 

26 prill 2026, 14:14