Kërko

Romë: konferenca «Zoja e Këshillit të Mirë, feja, historia dhe kujtesa shqiptare»

U zhvillua dje, më 24 prill, në Romë, në pallatin Giustiniani, pranë Senatit të Republikës së Italisë, me nismën e ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, konferenca me titull «La Madonna del Buon Consiglio tra fede, storia e memoria albanese» - Zoja e Këshillit të Mirë, besimi, historia dhe kujtesa shqiptare.

R.Sh. / Vatikan

Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë ka organizuar një konferencë me rastin e 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë si edhe të 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore të Shqipërisë, me nismën e Kuvendit të tretë Kishtar të Arbënit (1895), në kohën kur kryeipeshkëv i Shkodrës ishte imzot Pashk Guerini.

Konferenca «Zoja e Këshillit të mirë, besimi, historia dhe kujtesa shqiptare», mbajtur në sallën Zuccari pranë Senatit të Repiblikës së Italisë, evokoi përshpirtmërinë, historinë dhe artin e shenjtë që lidhet me ikonografinë kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë.

Në fjalën e saj, znj. Majlinda Frangaj, ambasadore e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në fjalën hyrëse falenderoi pjesëmarrësit dhe nënvizoi, mes tjerash, historinë dhe rëndësinë e kultit të Zojës së Këshillit të Mirë.

Merrnin pjesë, mes tjerësh znj. Vilma Premti, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e cila theksoi se rivendosja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë qe një shenjë e qartë e dëshirës së Shqipërisë për t’u kthyer në gjirin e Europës. Dhe pikërisht, për këtë dëshirë të Shqipërisë, Selisë e Shenjtë ka mbështetur vazhdimisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në emër të klerit katolik shqiptar, fjalën e mori imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i kryedioqezës Tiranë- Durrës, mbajti kumtesën me temë: “Përkushtimi ndaj Zojës së Këshillit të Mirë në jetën e Kishës në Shqipëri”, duke vënë në dukje rëndësinë shpirtërore dhe historike të këtij devocioni në jetën e popullit shqiptar. Imzot Dodaj tha se, jemi pothujase në një treditësh marian sepse jemi në prag të festës së Shën Markut, kur kremtohet të mbërriturit e fugures së Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan dhe në Shqipëri hapen kremtimet për vitin jubilar që shënon 130-vjetorin e të shpallurit të Zojës së Këshillit të Mirë Pajtore të Shqipërisë, dhe 26 prilil, datë kur Kisha në Shqipëri kremton festën e Zojës së Këshillit të Mirë. Imzot Dodaj theksoi se devocioni i shqiptarëve për Zojën e Këshillit të Mirë nuk është ndërprerë kurrë përgjatë shekujve dhe vijon pareshtur edhe sot e kësaj dite. «Zoja e Këshillit të Mirë, ka dhënë dëshmi se nuk i braktis kurrë bijtë e vet, edhe në ditët më të vështira» u shpreh imz. Dodaj. «Populli shqiptar e ka Zojën e Këshillit të Mirë, pajtore dhe mbretëreshë».

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi nderit i Shkodër Pultit, imzot Angelo Massafra, i cili kujtoi historinë e Shenjtorës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër që nga vizita e historike e Papës Gjon Pali II, i cili më 25 prill 1993, në Shkodër bekoi gur themelin për rindërtimin e Shenjtërores së re dhe solli një kopje të fugurës së Zojës në Shqipëri.

Gjithashtu, morën pjesë edhe albanologët Lucia Nadin, Italo Sarro dhe Andrea di Giuseppe.

Nadin, theksoi mes tjerash, se në shekujt e turbullt të Mesjetës, shumë shqiptarë braktisën vendin e atdheu i tyre. Mes tyre pati edhe një numër të madh meshtarësh e rregulltarësh që u larguan. Disa sish arritën të merrnin me vete edhe ndonjë fugure. I tillë është rasti i Zojës së Bukës, një skulpturë e marrë me vete nga një meshtar shkodran dhe çuar në një kishë që gjendet në afërsi të Trevizo-s. Një rast tjetër emblematik është ai i një meshtari me origjinë nga Lezha, i cili caktohet famullitar afër Viçencës dhe aty porosit një pikturë të Zojës me Foshnjen Hyjnore. Ky meshtar ishte pjestar i një fisi të madh nga Lezha, fis i cili jetoi në Vincenza pa ndërprerje për njëqind vjet. Dhimitër Frangu, një tjetër meshtar shqiptar, në një luginë të brendatokës së Venedikut, vendosi në një shpat mali fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë, në fund të shek. XV. Prap, një tjetër meshtar shqiptar Nikollë Frangu, ndërtoi një kishëz kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë. Nëse ndjekim gjurmët e emigracionit shqiptar në Venedik dhe veprat e tyre të artit – u shpreh Lucia Nadin – do të arrijmë të rindërtojmë historinë e Arbërisë Mesjetare dhe të pasurive të vendeve të kultit.

Më tej, historiani arbëresh Italo Sarro foli rreth mbërritjes së fugures së Zojës së Këshillit të Mirë dhe të dëshmive të para të mrekullive që ndodhën menjëherë pas ngjarjes së jashtëzakonshme, si edhe rreth autorëve të parë që shkruan historinë e ngjarjes dhe të traditës së devocionit në Itali dhe në Shqipëri.

Andrea di Giuseppe, u përqendrua tek fuguret e Virgjërës Mari përgjatë shekujve, jo vetëm në Itali por edhe në botën bizantine, dhe linjat artistike dhe ideologjike që i përshkojnë.

Takimi u moderua nga Mimmo Muolo, gazetar dhe shkrimtar vatikanist i gazetës «Avvenire».

25 prill 2026, 13:29