2026.04.07 Bartolomeo

Patriku Bartolomeu: "para mizorisë së luftës, të shpallim shenjtërinë e njeriut"

Në mesazhin e tij të Pashkëve, të cilin Kisha Ortodokse do ta kremtojë të dielën, më 12 prill, Patriku Ekumenik i Kostandinopojës kujton se Ringjallja e Zotit është rikthim i njerëzimit në prirjen e tij të "para-amshimit". Fjala e Kryqit "jehon sot si Ungjill i paqes, i pajtimit dhe i drejtësisë"

R.SH. – Vatikan

Para pamjeve të përditshme të tmerreve të luftës, "Kisha shpall me zërin e saj shenjtërinë njerëzore të çdo individi mbi tokë dhe detyrën e respektit absolut për të, duke na bërë thirrje ta 'njohim detyrën tonë, të nderojmë arketipin, të njohim fuqinë e misterit dhe për kë vdiq Krishti'". Duke cituar Gregor Teologun dhe Letrën drejtuar Filipianëve, Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, kujton - në mesazhin e Pashkëve, që Kisha Ortodokse do të kremtojë të dielën, më 12 prill - se "Ringjallja e Zotit është rikthimi i njeriut në prirjen e tij të ‘para-amshimit’. Si 'fillimi i një jete tjetër të përjetshme', ajo shëron marrëdhëniet e tjetërsuara dhe vendos paqen, 'që kapërcen çdo lloj kuptimi' të botës, duke përfshirë në të pajtimin dhe paqen tokësore".

Lutje për viktimat e dhunës

Për Bartolomeun, fjala e Kryqit dhe e Ringjalljes jehon sot si një Ungjill paqeje, pajtimi dhe drejtësie kundër luftës, urrejtjes dhe padrejtësisë, të cilat "janë në kundërshtim me parimet themelore të krishtera për realizimin dhe afirmimin e të cilave populli i Zotit punon çdo ditë". Patriku i Kostandinopojës na fton t'i lutemi Hyjit "për viktimat e dhunës së luftës, për jetimët, për ata që vajtojnë vëllezërit e motrat, për të gjithë ata, që mbajnë në trup dhe në shpirt pasojat e mizorisë dhe të dhimbjes njerëzore". Krishti i Ringjallur është "mohimi dhe dënimi i dhunës e i frikës dhe ftesa për jetë paqësore". Lufta prodhon kaos dhe vdekje, por "Ringjallja e mposht vdekjen dhe dhuron pamundësinë për t’u korruptuar".

Pashkët si himn për lirinë

Rruga e krishterë lidhet pazgjidhshmërisht me Kryqin: "Gëzimi i Ringjalljes e shpëtoi popullin e Zotit nga identifikimi me frymën e kësaj bote, e mbrojti atë nga mbyllja e shterpët dhe nga përshpirtëria e zhveshur prej dinamizmit e prej frymës së shpresës". Pashkët janë "himn për lirinë", për fenë, që "aktivizohet nga dashuria", e cila është hir dhe dhuratë nga lart e "jetohet në misteret e shenjta të Kishës dhe në 'misterin' e shërbimit për të tjerët". Pashkët e Shenjta, përfundon Primati Ortodoks, "janë e gjithë kultura jonë shpirtërore, thelbi i devotshmërisë sonë". E Ringjallja e Zotit "është edhe Ringjallja jonë në këtë epokë, një parafytyrim dhe parathënie e 'ringjalljes së përbashkët të njerëzimit' dhe e ripërtëritjes së gjithë Krijimit".

07 prill 2026, 15:39