Patriarkana Latine e Jerusalemit dënon pushtimet e paligjshme në Tubas
R.SH. / Vatikan
"I dënojmë plotësisht pushtimet e paligjshme" në guvernatoratin Tubas të Shtetit të Palestinës, të cilat janë "shkelje të qarta të pronës së Kishës". Kjo u theksua nga Departamenti i Fondacioneve të Patriarkatit Latin të Jerusalemit, gjatë një takimi mbajtur të enjten, më 23 prill, me përfaqësues të autoriteteve ushtarake dhe civile, gjatë të cilit u diskutuan "pasojat serioze të pushtimeve të fundit të paligjshme të tokës, në pronësi të Patriarkatit Latin”, veçanërisht në zonën Tayasir/Hamam Il-Maleh.
Veprime për ndjekjen penale të shkaktarëve
Si pjesë e veprimeve ligjore të ndërmarra, Departamenti i Fondacioneve paraqiti një ankesë zyrtare pranë autoriteteve përkatëse, duke përfshirë hollësitë e sulmeve të kolonëve kundër banorëve vendas si dhe kundër tokës së Patriarkatit në disa vende. Pas kësaj ankese, autoritetet nisën t`i ndjekin penalisht ata që ishin përgjegjës dhe sekuestruan makineritë e rënda të përdorura për të shkatërruar dhe për të dëmtuar tokën. Departamenti bëri thirrje për "largimin e menjëhershëm të të gjitha dëmeve të shkaktuara, parandalimin e ndërhyrjeve të ardhshme në këto zona dhe mbrojtjen ligjore të tokës së prekur". Përfaqësuesit e autoriteteve përkatëse, nga ana e tyre, e njohën seriozitetin e çështjes, u zotuan të largonin menjëherë ndërtimet e paligjshme dhe të ndërmerrnin veprime ligjore kundër atyre që ishin përgjegjës.
Mbrojtja e pronës, parim themelor
Patriarkana riafirmoi edhe mbështetjen për banorët e zonës "si dhe angazhimin e padiskutueshëm për t'i ndihmuar ata të qëndrojnë të palëkundur, të mbrojnë dinjitetin e tyre dhe të jetojnë në siguri e stabilitet, në përkim me misionin humanitar të Kishës". Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruyalemit, i informuar për zhvillimet, "udhëzoi që çështja të ndiqet seriozisht dhe t'i ofrohet e gjithë mbështetja e mundshme popullsisë lokale".
"Mbrojtja e pronave të dhuruara nga kisha është parim themelor", përsëriti departamenti, duke shtuar se "do të vazhdojë të miratojë të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative për të mbrojtur shenjtërinë e tyre, për të ruajtur identitetin e tyre kishtar, për të mbrojtur të drejtat e tyre legjitime dhe për të vazhduar të mbështesë popullsinë vendase".