Pashkët në dioqezën e Sapës
R.SH. / Vatikan
FESTA E PASHKËVE NË DIOQEZËN E SAPËS
Festa e madhe e Pashkëve, që janë qendra e jetës së të çdo krishteri, ashtu si në mbarë botën edhe tek ne është festuar me solemnitet. Misterit të madh të Pashkëve i parapriu tre-ditëshi i shenjtë organizuar me lutje, adhurim e meditim mbi vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit, ku vlen të theksohet pjesëmarrja e shumtë e besimtarëve që me zemrën e tyre duan të kërkojnë të vërtetën në Krishtin.
Krishti është ngjallur! Ky është lajmi i ngushëllimit, ky është Ungjilli i shpëtimit, ky është gëzimi i fitores. Janë këto fjalë që secili besimtar i ka dëgjuar dhe përjetuar në këtë Pashkë të shenjtë.
Kremtimi i tre ditëshit të shenjtë filloj që me Shugurimin e Vajrave, të kremtuar nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine në Meshën e të Mërkurës së Madhe. Pastaj me Larjen e Këmbëve, me Udhën dhe Adhurimin e Kryqit, me Vigjiljen dhe Kremtimin e Ringjalljes së Krishtit, në Katedralen e Shën Terezes së Kalkutës, Këto kremtime u udhëhoqën nga Administratori Dioqezan, Atë Mariano Tarantino, që në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve të dioqezës, theksoi se këto Pashkë për Dioqezën tonë, erdhën pas një kohe në të cilën, nga një anë kemi mbajtur në zemrat tona kujtimin mirënjohës të bariut tonë të ndierë, mons. Simon Kullit, ndërsa nga ana tjetër kemi vazhduar me lutjen për ipeshkvin e ri që Zoti do të na japë.
Sot shpallim se Krishti ështëfitimtar, se ia vlen të duam, ia vlen të sakrifikohemi për dashuri dhe në dashuri. Ne të krishterët jemi mësuar me këtë “logjikë” të Pashkës: nuk na tremb më sakrifica, as vdekja. Ne e dimë mirë se jeta e vërtetë nuk mund të arrihet përveçse duke sakrifikuar vetveten për lavdinë e Atit dhe për të mirën e të tjerëve. Kështu edhe ne, të dashur besimtarë, të vazhdojmë pa frikë me sakrificën që jeta e përditshme na kërkon, në dashuri të Zotit dhe për dashuri të të tjerëve, sepse vetëm nga kjo vjen paqja jonë dhe bekimi i tyre dhe i botës mbarë. Qofshin këto festat e Pashkëve fillimi i një jete të pasosur.
nga Violeta Marashi