Kërko

2024.04.20 Gesù il buon pastore

Kush nuk dhuron jetë, vret.

E diela e katërt e Pashkëve (Viti A)

R.Sh / Vatikan

Nga Ungjillt shenjt sipas Gjonit (Gjoni 10:1-10)

Në atë kohë, Jezusi tha: “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që nuk hyn nga dera në vathë të deleve, por kërcen brenda nga rrugtë të tjera, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve.

Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”

Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thoshte me të.

Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi”.

 

Pas tri të dielave që na paraqitën ringjalljen e Zotit Jezu Krisht nëpërmjet rrëfimeve të shfaqjeve të tij para dishepujve të tij, sot liturgjia na fton ta kundrojmë atë në jetën e tij, si Bariu i Kishës së tij, "Bariu i barinjve" (krh. Heb 13:20), i cili i tregon grigjës dhe barinjve rrugën që duhet ndjekur.

Gjendemi në Jeruzalem dhe të shtunën, Jezusi sapo ka shëruar një të verbër qysh nga lindja, duke shkaktuar kështu reagimin e indinjuar të farisenjve (krh. Gjn 9). Për t'u zbuluar atyre që e vënë në dyshim autoritetin që e lejon të veprojë në këtë mënyrë, Jezusi mban fjalimin e tij mbi "Bariun e Mirë" (krh. Gjn 10:1-21). Populli i Izraelit e njihte nga afër jetën e barinjve dhe lidhjen e tyre me delet e tyre: për këtë arsye ata i drejtoheshin Hyut si “bariu i Izraelit” (Ps 80,1), duke e thirrur Atë si një bari në gjendje për t’i udhëhequr ata që i besojnë “në rrugën e drejtë, drejt kullotash të mira dhe ujërave të qeta” (krh. Ps 23,1-3).

Për ta kryer këtë vepër, Zoti përdor edhe barinj njerëzorë, të cilët nuk duhet të jenë gjë tjetër veçse ndërmjetës të dashurisë së Tij, por që ndonjëherë përfundojnë duke “shkatërruar dhe shpërndarë grigjën e Tij” (krh. Jer 23,1).

"Vërtet, vërtet po ju them": kjo formulë veçanërisht solemne me të cilën Jezusi e hap zbulesën e tij është një paralajmërim për mendjet dhe zemrat tona që t'i dëgjojmë me vëmendje fjalët e tij. Pjesa e parë e ligjëratës së tij përqendrohet tërësisht tek një kontrast i qartë midis bariut të vërtetë dhe atij që, ndërsa e quan veten bari, sillet si hajdut dhe kusar. Bariu hyn në vathë përmes derës së vetme të përligjur, ndërsa hajduti futet fshehurazi nga një rrugë tjetër. Gjithçka që vijon është pasojë e kësaj rruge të ndryshme hyrjeje: derëtari – domethënë Ati – ia hap vathën bariut, i cili thërret delet një nga një, i nxjerr jashtë dhe u prin para. Si përgjigje, ato e ndjekin bariun sepse e dëgjojnë dhe e njohin zërin e tij. Kjo gjë përshkruan marrëdhënien tonë me Jezusin, bariun e vetëm të vërtetë të jetës sonë (khs. 1 Pjetrit 2:25): një marrëdhënie dëgjimi, mirëkuptimi dhe ndjekjeje me besim, një marrëdhënie e pamundur për t'u krijuar me dikë që është i panjohur për ne. Farisenjtë, megjithatë, nuk e kuptojnë këtë ngjashmëri, dhe për këtë arsye Jezusi përdor një imazh tjetër dhe thotë: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them, Unë jam dera e deleve... Nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë." Këtu dy imazhet e bariut dhe të derës vendosen sipër njëra-tjetrës, duke formuar një unitet të pandashëm: Jezusi është "bariu i mirë që jep jetën e tij për delet" (Gjoni 10:11) dhe është rruga që të çon tek Ati (khs Gjoni 14:6), është rruga që është bërë dera për ne, delet e tij. Ai është si ndërmjetësi i shpëtimit, ashtu edhe vetë shpëtimi: rruga, stili me të cilin ai jetoi jetën e tij, është bërë rruga që ne, dishepujt e tij, jemi të thirrur të ecim, nëse dëshirojmë ta shohim jetën tonë të shpëtuar.

Nga ana tjetër, Ai thotë, "të gjithë ata që erdhën para meje ishin hajdutë dhe kusarë, por delet nuk i dëgjuan ata". Me këto fjalë, Jezusi nuk po u referohet figurave të Besëlidhjes së Vjetër. Në të vërtetë, barinjtë dhe profetët besnikë të Izraelit, nga Abrahami te Gjon Pagëzori, sigurisht që kaluan përmes tij, por të tjerë erdhën me mëtime të pajustifikuara: mesitë e rremë dhe profetët e rremë, të cilët kërkonin vetëm lavdinë e tyre (krh. Gjn 7:18); barinjtë e rremë që kritikohen rreptë nga Jeremia (krh. Jer 23:1-3) dhe Ezekieli (krh. Ezek 34:1-10)...

Por Jezusi gjithashtu shikon nga barinjtë e kishës së tij, kur u bën thirrje për vigjilencë me fjalë që përbëjnë një paralajmërim të rreptë: "Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë dhe për të shkatërruar; Unë kam ardhur që ata të kenë jetë dhe ta kenë me bollëk." Po, ata që i shërbejnë grigjës në Kishë paralajmërohen nga Jezusi. Duhet të zgjedhin, ose të jenë barinj që kujdesen për delet me dashuri dhe u japin atyre jetë me bollëk, ose të jenë hajdutë dhe kusarë, të shqetësuar vetëm për veten, duke ia marrë jetën grigjës dhe duke e përçarë dhe shpërndarë atë. Shembulltyra që u paraqitet është vetëm një: Jezusi, “Bariu i barinjve” (1 Pjetri 5:4), ai që “pati dhembshuri kur pa turmat, sepse ishin si dele pa bari” (khs. Marku 6:34).

25 prill 2026, 14:57