Kryeppeshkvi i madh i Kyiv-Halych, Lumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk (©UGCC Departamenti i Informacionit) Kryeppeshkvi i madh i Kyiv-Halych, Lumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk (©UGCC Departamenti i Informacionit)

Kryeipeshkvi Shevchuk: populli ukrainas i bashkuar me Papën në lutje për paqe

Kreu i Kishës greko katolike ukrainase, në një intervistë me mediat e Vatikanit, pohon se ukrainasit do të luten së bashku me ata që marrin pjesë në vigjiljen e lutjes për paqen të nxitur nga Papa Leoni në Shën Pjetër, pikërisht në prag të Pashkëve të Ritit Lindor, duke shpresuar për një botë pa luftë e, për Ukrainën, me paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme!

R.SH. / Vatikan

"Brishtësia njerëzore e luftës, është bërë brishtësia e vetë Krishtit". Por dëshmitë e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer, e më vonë të liruar, "thonë se brishtësia po e zbulon forcën e Zotit të pranishëm ndërmjet nesh". Në një intervistë me mediat e Vatikanit, Kryeipeshkvi i Madh i Kiev-Halych dhe kreu i Kishës Katolike Greke Ukrainase, Sviatoslav Shevchuk, reflekton mbi Pashkët e pesta në gjendje lufte, që Ukraina po përgatitet ta pprjetojë të dielën, më 12 prill. E ai përsërit mesazhin e Papës Leoni XIV, i cili do të kryesojë vigjiljen e lutjes për paqe sonte, në Shën Pjetër: "Lufta nuk do të mbizotërojë. Fëmijët kanë të drejtën për një paqe të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme".

Fortlumturia Juaj, çfarë mendimesh do të dëshironit t’i shkëmbenit me rastin e kremtimit të Pashkëve Lindore, në kontekstin e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, e në vazhdim prej më shumë se katër vjetësh?

Po, me të vërtetë, ky është tashmë kremtimi i pestë i Pashkëve gjatë luftës në shkallë të gjerë. Mendimi ynë, lutja jonë kryesore, është thirrja për paqe, për Ukrainën. Gjatë Javës së Shenjtë, në këto çaste shpirtërisht më intensive të vitit liturgjik, ne kundruam Krishtin: Krishtin e dënuar, Krishtin e torturuar, Krishtin e kryqëzuar, Krishtin e varrosur, por edhe Krishtin e ringjallur. Këto çaste të Mundimeve të Krishtit jehojnë në një mënyrë shumë të veçantë në zemrat e ukrainasve, mbasi e dimë se po ecim në të njëjtën Udhë Kryqi së bashku me Zotin tonë Jezu Krisht. Kur kundrojmë Jezu Krishtin e dënuar mbi Kryq, e dimë se kjo është toka jonë, populli ynë i dënuar me vdekje. Kur dëgjojmë dëshminë e të burgosurve tanë të liruar: dëgjojmë të burgosurit para atyre, që i dënojnë dhe i torturojnë. Shumë prej tyre e perceptuan këtë si heshtje të Krishtit para Sinedrit. Kur dëgjuam dëshminë e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer dhe më pas të liruar, këta fëmijë ndanë me ne ndjenjën e tyre të paaftësisë për të mbrojtur veten, të pambrojtur siç ishin përballë ngacmuesit të armatosur. E kjo brishtësi njerëzore në rrethanat e luftës, u bë brishtësia e vetë Krishtit. Por këta fëmijë thonë se brishtësia po zbulon forcën e Zotit të pranishëm ndërmjet nesh. E edhe kur dëgjuam dëshminë e vullnetarëve tanë, që humbën shtëpitë e tyre, humbën gjithçka dhe u zhvendosën nga lufta, u çuditëm:  ata nuk e humbën aftësinë për të përballuar dhembjen, aftësinë për të qenë të ndjeshëm ndaj atyre që kanë nevojë. Atëherë u bënë vullnetarë shpëtimtarë dhe përfaqësim i gjallë i Simonit të Kirenës, i aftë t’i ndihmojë ata që bien të pafuqishëm nën kryqin e tyre.

Papa Leoni XIV i fton të gjithë të bashkohen me të në lutjen për paqen sot, e shtunën, 11 prill, në orën 6:00 pasdite. Si po pritet kjo iniciativë në Ukrainë?

Sigurisht, ukrainasit do të luten me Atin e Shenjtë për paqen. Është lutje që nuk imponohet, por vjen nga zemrat tona. Në Ukrainë, do të bëjmë roje te varri i Krishtit me shpresën e Ngjalljes, sepse kjo e shtunë në Ukrainë do të jetë e shtuna para të Dielës së Pashkëve. Prandaj, i jemi mirënjohës Atit të Shenjtë për këtë iniciativë, sepse ndërgjegjet njerëzore duhet të sensibilizohen, të inkurajohen dhe ndonjëherë të nxiten për t'u lutur për paqe. E shpresojmë se, ashtu si Krishti u ringjall më i fortë se vdekja, ashtu edhe paqja e Krishtit do ta mposhtë luftën në botën e sotme.

Çfarë mesazhi do të dëshironit t'u lini të krishterëve në vende të ndryshme të botës?

Që të mbarojë lufta, fëmijët të kthehen në shtëpi, ushtarët tanë, mbrojtësit tanë, si djemtë ashtu edhe vajzat, të kthehen shëndoshë e mirë në familjet e tyre. Të burgosurit e torturuar të luftës të lirohen më në fund. Pashkët të jenë vërtet fillim i ri, për një botë pa luftë. Është interesante dëshmia e një fëmije ukrainas nga Mariupoli, i cili u çua në Rusi. Nëna e tij është ende në një burg rus, por ai u lirua falë ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë. Ai e formuloi mesazhin e paqes për fëmijët ukrainas në një mënyrë që, sipas mendimit tim, ishte shumë e qartë: ai tha se ne nuk e duam vdekjen e armikut, por vetëm që asnjë fëmijë në botë të mos vuajë ose të përjetojë vuajtjet që fëmijët ukrainas po i përjetojnë tani. Kjo dëshmi u shndërrua në  aktivitet: Posta Ukrainase prodhoi një pullë kushtuar Papës Leoni e zbulimi u bë të Enjten e Madhe (9 Prill). Kjo pullë përsërit mesazhin e Atit të Shenjtë: "Lufta nuk do të mbizotërojë. Edhe fëmijët kanë të drejtën për një paqe të vërtetë, të drejtë, të qëndrueshme". Sipas meje, edhe fjalët e këtij vocrraku janë  mesazhi më i madh i paqes, i sjellë nga fëmijët e vuajtur të Ukrainës!

11 prill 2026, 14:31